1. SHKËPUTJA NGA BIZANTI DHE EKSPANSIONI SERB NË TREVAT SHQIPTARE
Fundi i pranisë anzhuine dhe shtrirja e depërtimit serb në Shqipëri
Me thyerjen përfundimtare të ushtrive anzhuine në Berat më 1281, Perandoria Bizantine e rivendosi edhe një herë autoritetin e vet në Shqipëri, por kontrolli i saj kufizohej tani në një zonë më të ngushtë në krahasim me fundin e shek. XII. Në krahun verior bizantinët morën Durrësin dhe Krujën, por nuk arritën të shtriheshin më tutje. Atë kohë mbreti serb Stefan Uroshi II Milutin (1282-1321) kishte nisur një mësymje në front të gjerë në gjithë vijën Mat-Ohër. Madje, më 1296 ai mundi të pushtonte përkohësisht edhe Durrësin, ndërkohë që në krahun lindor ushtritë serbe nuk mundën t’i afrohen Ohrit, të mbrojtur nga fisniku shqiptar, Progon Skurra. Një mbishkrim mbi murin e kishës së Shën Klementit në Ohër, rindërtuar prej tij në vitin 1295, kujton se Progoni mbante titullin e lartë bizantin të heteriarkut të madh dhe se gruaja e tij, Eudokia, ishte mbesë e perandorit Androniku II Paleolog.
Gjithsesi paqja e arritur më 1299 midis perandorit Androniku II të Bizantit dhe mbretit serb Uroshi II ua njohu serbëve territoret e pushtuara në veri të Durrësit e të Ohrit. Megjithatë, ato vazhduan të jenë një zonë jo e qetë. Nga njëra anë, inkursionet serbe vazhduan edhe paskëtaj në jug të Matit, por, nga ana tjetër, në vitet e para të shek. XIV vihet re një riaktivizim i anzhuinëve të Napolit në Shqipëri. Vërshimi i serbëve në trevën e Durrësit dhe të Arbrit të hershëm prekte edhe interesat e anzhuinëve e të Papatit, të cilët vazhdonin ta konsideronin veten si titullarë të pushtetit laik e fetar në ato treva. Rikthimi i anzhuinëve në Shqipëri u mirëprit edhe nga vetë fisnikëria shqiptare, e cila shpresat e një ndalimi të mësymjes serbe i varte tashmë te bashkëpunimi me botën perëndimore katolike. Në shtator 1304 bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matrënga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishi, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karli II Anzhu. Nga ai çast trashëgimtari i fronit të Napolit mori dhe titujt zot i Mbretërisë së Arbrit dhe despot i Romanisë (Epirit). Në pranverë të vitit 1305 princi Filip i Tarentit zbarkoi me një ushtri në Durrës dhe me ndihmën e vendasve e mori qytetin. Megjithatë, ofensiva e re anzhuine u shua shumë shpejt. Marrëdhëniet e princit të Tarentit me fisnikët shqiptarë u prishën dhe po atë vit ky u kthye në Itali me synim që të vinte përsëri në pranverën e ardhshme me një ushtri më të madhe.
Megjithatë, edhe paskëtaj anzhuinët nuk mundën ta shtrijnë kontrollin e tyre përtej Durrësit. “Vasalët” e tyre shqiptarë nuk mungonin të ngrinin krye dhe të këputnin çdo lidhje me kryezotin e përtejdetit, sa herë që ky kërkonte ta ndërtonte një pushtet real në Durrës dhe në “Mbretërinë e Arbrit”. Në pamundësi të realizonin synimet e tyre në Shqipëri, në vitin 1311 anzhuinët e Napolit menduan për një çast t’i ndërronin zotërimet e tyre me Sicilinë. Por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, i informuar se anzhuinët nuk zotëronin një pushtet real në Durrës dhe në trevën e Arbrit, nuk e pranoi ofertën, megjithëse këto territore, siç shprehej ai, “ishin shumë të pasura dhe bujare” (que es molt noble e rich).
Në këtë mënyrë, në Durrës dhe në prapashpinën e tij vazhdoi të ruhej edhe paskëtaj një sovranitet gjithnjë e më formal i anzhuinëve. Për bashkësinë qytetare të Durrësit dhe për fisnikërinë feudale të Arbrit, mbajtja e lidhjeve me anzhuinët konsiderohej e dobishme, sidomos tani kur serbët po mësynin gjithnjë e më fort drejt jugut. Midis anzhuinëve dhe serbëve vazhdonin të ekzistonin marrëdhënie aleance, që këta të fundit hë për hë nuk donin t’i prishnin. Në fakt marrëveshja e arritur më 1308 kishte rikonfirmuar zonat e ndikimit anzhuin e serb në Shqipëri edhe për vitet e ardhshme.
Anzhuinët dhe Papati filluan t’u përgjigjen realisht ftesave të aristokracisë shqiptare për t’iu kundërvënë ofensivës serbe në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XIV, kur plasën hapur kundërshtitë serbo-anzhuine mbi sundimin në Shqipëri e në Dalmaci dhe kur u fik çdo shpresë e Romës lidhur me një kthim të mbretërve serbë në fenë katolike.
Aty nga viti 1318 serbët shpërthyen një ofensivë të re në Shqipëri, duke pushtuar Durrësin dhe Arbrin bashkë me Krujën. Atë kohë u krijua një koalicion antiserb i fuqive katolike, të bashkërenduara nga papati, në të cilin kishin një rol të rëndësishëm edhe shqiptarët. Në pranverën e vitit 1319 një numër fisnikësh shqiptarë nga dyert Blinishti, Jonima, Arianiti, Matrënga, Muzaka etj., nëpërmjet peshkopit të Krujës, Andreas, i bënin të ditur papa Johanit XXII se ishin gati “të ngrinin krye dhe të hidhnin tej zgjedhën e mbretit të Rashës (Serbisë)”. Ata premtonin gjithashtu të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katolicizmin, duke u ndarë edhe kishtarisht nga pushtuesit serbë.
Si rezultat i kësaj qëndrese të organizuar dhe të bashkërenduar me Papatin dhe me fuqi katolike të Evropës, si Napoli, Hungaria, Kroacia etj., serbët u bllokuan edhe për disa vjet përtej Durrësit dhe krahinës së tij, ku anzhuinët vazhduan të ushtronin një sovranitet përherë e më të vakët.
Shqipëria “bizantine” në gjysmën e parë të shek. XIV. Shkëputja nga Bizanti
Nën presionin serb dhe përballë ujdisë së krerëve shqiptarë me anzhuinët e Napolit, qysh në vitet e para të shek. XIV Perandoria Bizantine u detyrua të braktiste Durrësin, Krujën dhe territoret e tyre, duke mbajtur viset në jug të rrjedhës së lumit Shkumbin. Pushteti bizantin u ruajt pak a shumë në mënyrë të qëndrueshme në trevën që përfshinte viset e Myzeqesë, Vlorës, Beratit, Tomorricës, Këlcyrës, Skraparit, Ohrit, Korçës, Kolonjës e Kosturit. Viset poshtë Vlorës e rrjedhës së Vjosës vazhduan, kur më shumë e kur më pak, të bëjnë pjesë në Despotatin e Artës (Epirit). Territoret e fituara rishtazi në veri të tij, Perandoria Bizantine i organizoi në një njësi të veçantë politiko-administrative, Despotatin e Beratit. Qyteti buzë Osumit, përveçse qendër e rëndësishme strategjike, fitoi tani një profil të plotë edhe përsa i përket zhvillimit ekonomik. Roli i tij u rrit së tepërmi pas shkëputjes të rrugës së vjetër Egnatia nga sfera e sundimit bizantin. Berati u bë pika kulmore e arteries së re që lidhte pellgun e Ohrit me portin e Vlorës, e cila u bë porti kryesor bizantin në Adriatik. Gjatë fundit të shek. XIII dhe gjysmës së parë të shek. XIV, në Vlorë shënohet një lëvizje e pazakonshme mallrash. Kanina vazhdonte të luante edhe tani rolin e një kështjelle në mbrojtje të Vlorës. Por Kanina ishte njëherësh rezidenca e parapëlqyer për aristokracinë e krahinës si dhe qendër peshkopale, së cilës perandor Androniku II Paleologu i rikonfirmoi më 1307 të drejtat dhe privilegjet e vjetra.
Përfaqësues i drejtpërdrejtë i pushtetit bizantin në Despotatin e Beratit ishte qefaliu, që ishte para së gjithash një funksionar ushtarak. Në dokumentet e kohës ai cilësohet si “qefaliu i Beratit”, por edhe “qefaliu i Vlorës”. Në fakt, edhe rezidenca fikse e tij luhatej midis këtyre dy qendrave, që ishin më të rëndësishmet e despotatit. Me qëllim që qefaliu të mbahej sa më shumë nën kontroll, pushteti qendror e vuri atë nën vartësinë e një funksionari epror, i cili ushtronte pushtet të pakufizuar në despotat. Të tillë “guvernatorë të përgjithshëm” në Despotatin e Beratit dëshmohen që nga viti 1277. Ata zgjidheshin gjithmonë nga rrethi familjar i perandorit dhe mbanin tituj të lartë, si megas dukas, despot, protovestiar. Nëse këta zgjidheshin gjithmonë nga rrethi më i afërt familjar i perandorit, qefalitë ishin shpeshherë përfaqësues të aristokracisë lokale. Shqiptarë ishin, p.sh., qefaliu i parë i Beratit, me emrin Stano (1277), ose Gjon Pikerni (1314). Nivelet më të ulëta të administratës dhe të ushtrisë së despotatit përfaqësoheshin në pjesën dërrmuese nga elementi vendas. Fisnikë nga familjet Matrënga, Skurra, Muzaka, Ganxha, Frëngu etj. përmenden vazhdimisht në jetën politike të Despotatit të Beratit. Por tashmë shumë prej këtyre po e shfrytëzonin postin dhe autoritetin për të ndërtuar pushtetin e tyre të pavarur.
Despotati i Beratit fitonte një rol specifik në kuadrin e Perandorisë Bizantine të shek. XIII-XIV. Përveçse përfaqësonte “portën” e vetme bizantine drejt Perëndimit, ai formonte edhe barrierën kryesore përballë ekspansionit të Serbisë drejt jugut. Por, nga ana tjetër, Despotati i Beratit ishte edhe pikëmbështetja nga ku Perandoria Bizantine ushtronte presion mbi Despotatin fqinjë të Artës (Epirit). Ky vazhdonte të ishte, qysh nga viti 1204, një formacion i pavaruar. Despotët e tij bizantino-italianë nga familjet Engjëlli e Orsini, gjatë gjithë viteve 1270-1330 u përpoqën të ruanin pushtetin e tyre kundrejt perandorëve të Bizantit, të cilët këmbëngulnin ta quanin Despotatin si “tokë të tyre”, ndërsa despotët e tij si “vasalë” të perandorëve bizantinë. Për të siguruar mbështetje ndaj presionit bizantin, despoti Niqifori I Engjëlli pranoi, më 1294, të bëhej vasal i anzhuinëve të Napolit. Më 1320, despoti tjetër, Nikolla Orsini, kërkoi t’i vinte tokat e tij nën mbrojtjen e Venedikut, duke njohur këtë për kryezot. Nga ana tjetër, despotët e dobët të Epirit nuk ishin në gjendje të mbyllnin çdo portë dhe të kërkonin ballafaqim me Bizantin. Pothuaj të gjithë ata, pas Mihalit II Engjëll (1230-1268), ishin martuar me princesha nga oborri bizantin.
Sidoqoftë kjo lojë e despotëve të Artës, për ta mbajtur mirë sa me anzhuinët e Napolit, aq edhe me perandorët e Bizantit, shpehherë rezultoi të ishte e rrezikshme. Në vitin 1303 e 1306 anzhuinët u shfaqën me ushtri nën muret e Artës për të kërkuar përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga vasaliteti i despotit Thoma (1296-1318). Po ashtu, në vitin 1314 ushtria dhe flota e Despotatit të Beratit, nën komandën e qefalisë Gjon Pikerni dhe protontinit të Vlorës, Gjergj Ganxha, kryen një inkursion mbi Artën nga toka e nga deti. Disa vjet më vonë, më 1308, Janina bashkë me pjesën më të madhe të Vagenetisë (Çamërisë) iu aneksua Despotatit bizantin të Beratit. Si qeveritar të këtij territori të ri bizantin, perandori Androniku II Paleolog caktoi komandantin shqiptar, sebastin Skurra.
Dhjetëvjeçarët e fundit të pranisë bizantine në Shqipëri, përkatësisht në Shqipërinë e Poshtme, karakterizohen nga dy dukuri që e bënin gjithnjë e më formale lidhjen e saj me Bizantin. Nga njëra anë, ushtria dhe administrata bizantine mbusheshin gjithnjë e më shumë me elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, po zgjerohej vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin krerët dhe zotërit e vendit. Njoftimet historike të viteve 30 të shek. XIV bëjnë të ditur se atë kohë Perandoria Bizantine vazhdonte të ruante kontrollin e saj kryesisht nëpër qytetet dhe kështjellat e Despotatit të Beratit. Rrethinat e tyre, sidomos zonat e brendshme dhe malore, qeveriseshin tashmë nga fisnikët vendas. Me qëllim që t’i mbante të lidhur pas vetes krerët shqiptarë, Perandoria Bizantine u detyrua ta njihte edhe me marrëveshje të veçanta (synthekai) pushtetin e tyre, madje duke i shpërblyer edhe me tituj të lartë bizantinë. Atë kohë, Andrea I Muzaka, zoti i fuqishëm i viseve mes Ohrit, Kolonjës e Beratit, u shpërblye me titullin e lartë bizantin të “despotit”, që ishte i dyti në hierarkinë e titujve bizantinë, pas atij të perandorit. Të tjerë fisnikë shqiptarë u nderuan me të tjerë tituj të lartë, si sebastokrator etj.
Megjithatë tensioni midis pushtetit bizantin dhe aristokracisë vendase shqiptare doli në pah gjatë luftërave civile në Bizant (1321-1328) dhe shpërtheu hapur pas ardhjes në fuqi të perandor Andronikut III Paleolog (1328-1341). Midis viteve 1328-1333 Andronikut III iu desh të drejtonte vetë disa fushata ushtarake për të nënshtruar shqiptarët e Ohrit, Devollit, Kolonjës, Epirit e të Thesalisë. Sipas fjalëve të historianit bizantin Johan Kantakuzeni, pjesëmarrës dhe kryekomandant në ato operacione, shqiptarët jetonin në autonomi dhe nuk e njihnin pushtetin e perandorit.
Por kryengritjet shqiptare shpërthenin në vatra të reja, sapo që ushtritë bizantine arrinin të shuanin të mëparshmet. Aty nga mesi i viteve 30 ato mbërritën në shkallën më të lartë të pjesëmarrjes dhe të organizimit të tyre. Atë kohë të pakënaqur nga politika e re centralizuese e këtij perandori dhe të vendosur të shkëputeshin njëherë e mirë nga Bizanti, krerët shqiptarë ngritën në këmbë krahina të tëra. Në Vlorë, Berat, Këlcyrë, Skrapar, Kolonjë e në Ohër, në Epir dhe në Thesali, kryengritësit shqiptarë sulmuan qytetet dhe kështjellat bizantine dhe pjesërisht i morën ato.
Kryengritja shqiptare e shtyu perandorin Androniku III Paleolog të ndërmerrte një fushatë të madhe ushtarake në Shqipëri. I shoqëruar nga domestiku i madh, Johan Kantakuzeni, perandori bizantin hyri në tokat e Despotatit të Beratit në pranverën e vitit 1336. Ushtria bizantine, bërthamën e së cilës e përbënin repartet e zgjedhura me mercenarë osmanë, i shtypi me ashpërsi flakët e kryengritjes. Fshatra të tëra u dogjën, ndërkohë që popullsisë iu rrëmbyen pasuri të paçmueshme në të holla, në produkte e në bagëti. Kantakuzeni flet për 300 mijë kokë qe, 5 mijë kuaj e 1 milion e 200 mijë krerë dhen të rrëmbyera pronarëve shqiptarë. Shtypja e kryengritjes shkaktoi valën e parë të madhe të eksodit shqiptar drejt jugut. Mjaft familje fisnike shqiptare u detyruan të lënë gjënë dhe pronat e tyre dhe të vendoseshin në Peloponez. Të tjera u përpoqën të gjejnë shpëtim në Durrësin anzhuin dhe të marrin rrugën e Italisë.
Shtypja e dhunshme e kryengritjes në Despotatin e Beratit përcaktoi rënien e lëvizjes edhe në trevat e tjera. Despina e Epirit, Ana, dhe bashkësitë shqiptare të Thesalisë pranuan më në fund të njihnin pushtetin bizantin.
Megjithatë, rivendosja e pushtetit bizantin në trevat e Despotatit të Beratit, të Despotatit të Epirit dhe të Thesalisë nuk e pati jetën e gjatë. Tensioni antibizantin në këto vise vazhdoi të mbetej i gjallë, dhe me vdekjen e perandorit Androniku III (1341), kryengritjet morën një hov të ri. Tashmë pasardhësit e Andronikut III, të angazhuar në një luftë të re për fronin dhe të ndodhur përballë një ofensive të re të Serbisë drejt Jugut, nuk mund të merreshin me kryengritjen shqiptare. Për rrjedhim, bizantinët u detyruan të lënë në duart e kryengritësve shqiptarë edhe kështjellat e tyre të fundit në Shqipëri.
Shqipëria gjatë sundimit të car Stefan Dushanit (1331-1355)
Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t’i mbajë serbët për mjaft kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe, në përfundim të së cilës pushtoi viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.
Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve shqiptarë. Për t’i dhënë më tepër gjerësi qëndresës së tyre, këta iu drejtuan për aleancë mbretit Robert Anzhu të Napolit, i cili ishte i interesuar së tepërmi për Durrësin e prapatokën e tij që anzhuinët vazhdonin t’i konsideronin feud të tyre. Në fakt, mbreti Robert dërgoi që atë vit në Shqipëri një ushtri të vogël nën komandën e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej të bashkëpunonte me forcën kryesore të kryengritësve shqiptarë. Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan në Durrës paktet e aleancës që hapeshin me premtimin anzhuin për t’u ofruar ndihmë ushtarake fisnikëve shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin edhe një sërë të drejtash e privilegjesh, të cilat anzhuinët ia njihnin posaçërisht despotit Andre Muzaka dhe familjes së tij. Të tilla të drejta e privilegje kishin të bënin me pronat e pasuritë e tundshme e të patundshme të Muzakajve, me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit e që do t’u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit anzhuinë etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka duhej të konfirmonte bindjen dhe besnikërinë e tij ndaj oborrit anzhuin e t’i garatonte ato duke dërguar peng në Napoli njërin nga djemtë e tij.
Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush Topia, të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave midis Matit e Shkumbinit bashkë me dhënien e një shpërblimi vjetor prej 1 000 grosh.
Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria e deriatëhershme e marrëdhënieve të oborrit anzhuin me krerët shqiptarë, tregojnë se pozita e tyre kundrejt njëri-tjetrit kishte ndryshuar në favor të të dytëve. Anzhuinët jo vetëm nuk ishin në gjendje të impononin me forcë sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën, ata përpiqeshin t’i joshnin me tituj e privilegje zotërit e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur sovranitetin e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën e tij.
Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi t’u bënte ballë për një kohë të gjatë sulmeve të përsëritura të serbëve. Brenda vitit 1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur të shtronin territoret e Arbrit të hershëm, me kryeqendër Krujën. Po atë vit qyteti i Beratit pësoi sulmin e parë nga një ushtri serbe që vinte nga ana e Ohrit. Në verën e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye të një fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës. Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani, i cili që prej vitit 1346 filloi të quhej “perandor i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë”, aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe në detin Egje. Një numër popujsh të huaj, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë hynë në përbërje të Perandorisë Serbe.
Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë shqiptare. “Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë….. Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen”, shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës.
Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa i përket përbërjes së elitës sunduese. Në krahinat apo në qytetet e pushtuara u vendos një administratë serbe, në krye të së cilës qenë njerëzit më të afërt të carit, të cilët mbanin sipas rastit titujt despot, cezar, qefali etj. Kështu, në krye të provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni, kunati i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në vitin 1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve të atyshëm.
Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet intensifikimit të shtypjes ekonomike e shoqërore të popullsisë shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit, dokumenti kryesor që sanksiononte marrëdhëniet ekonomike, politike e juridike të shtetasve të Perandorisë me pushtetin e carit e të klasës sunduese serbe, përfshinte në sistemin e marrëdhënieve feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale, duke i dhënë ato si pronë feudale për manastiret e për feudalët serbë. Një masë e tillë godiste rëndë fshatarësinë e lirë shqiptare, posaçërisht atë të zonave malore, që kishte mundur t’i shpëtonte deri atëherë shfrytëzimit feudal e të ruante një farë autonomie politike ndaj pushtetit qendror. Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në institucionet juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai në shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën e popujve të tjerë që u përfshinë në suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai shpallte ndalimin e institucioneve tradicionale vendase, siç qe ai i mbledhjeve (kuvendeve) të fshatit, ku vendosej e gjykohej për probleme të ndryshme, që tani kalonin në kompetencë të feudalëve të veçantë e të vetë carit serb.
Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku sundimi serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka bujqësore, me qendra të zhvilluara minerare, zejtare e tregtare, këto territore kishin qenë një joshje e vazhdueshme për mbretërit serbë. Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe.
Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.
Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë me theks të veçantë këtë aspekt të politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse në fjalë, “… ku populli arbër mund të nxirrte në luftë më se 15 000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë”.
Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk qe karakteristikë vetëm për viset e veriut, por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir. Ajo doli akoma më në pah pas vdekjes së carit serb, Stefan Dushanit (1355). Kryengritjet e zonës së Beratit (1356) dhe të Himarës (1358), e reduktuan pushtetin e despotit sllav Ivan Komnen Asenit vetëm në qytetin e Vlorës e në rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë, sipas një shënimi të kohës në një nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u sollën aq mizorisht “saqë edhe të vdekurit i nxorën nga varri”. Një vit më parë, më 1355, shqiptarët e Thesalisë ngritën krye kundër qeveritarit serb, Qezar Preljubit, dhe e vranë atë. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t’i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.
Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një shteti të përqendruar shqiptar.
2. FORMACIONET SHTETËRORE SHQIPTARE NË SHEK. XIV DHE NË FILLIM TË SHEK. XV
Despotati shqiptar i Artës
Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet familja fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më në zë të Shqipërisë.
Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare, edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355). Në atë çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë. Qeveritari serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të largohej në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar Preljubit, i vrarë gjatë një përpjekjeje me shqiptarët e atyshëm. Përfaqësues të tjerë të aristokracisë dhe të administratës së vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin e Janinës.
Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë në Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë së vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori II Engjëlli. Në verën e vitit 1358 ky u doli përpara forcave shqiptare në vendin e quajtur Akelou (Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë pjesërisht prej mercenarëve osmanë, u asgjësua në betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e ku vetë despoti bizantin humbi jetën.
Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit, të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari, me qendër në Artë, kishte në krye fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit, në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit. Megjithatë në pjesën lindore të Epirit mbeti një territor i ngushtë me qendër Janinën, i cili nuk u përfshi në kufijtë e këtyre dy formacioneve shqiptare fqinje. Këtu përfaqësuesit e fisnikërisë e të administratës së vjetër serbo-bizantine të Epirit u përpoqën të organizojnë qëndresën kundër hegjemonisë së krerëve shqiptarë. Të mbështetur edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm serb i Epirit, Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë si qeveritar të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç. Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai trashëgoi një armiqësi dhe urrejtje të pashuar kundër tyre.
Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit serb në Epir. Qenia e tij përbënte një rrezik real për formacionet fqinje shqiptare të Gjirokastrës e të Artës, pasi Thoma Preljuboviçi vështronte t’i zgjeronte kufijtë e despotatit të tij pikërisht në dëm të zotërimeve të Shpatajve e të Zenebishëve. Nga ana tjetër, despoti serb nuk ngurroi të thërriste për ndihmë kundër sundimtarëve shqiptarë reparte serbe, italiane e, ç’ishte më keq, osmane, duke e kthyer Epirin në një fushë beteje ku mercenarët e huaj mbillnin terror e shkatërrime të pafundme.
Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur ekonomike e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë të Epirit në një konflikt të gjatë të armatosur me despotin e Janinës. Për tre vjet rresht (1370-1373) kështjella e Janinës iu nënshtrua rrethimit e sulmeve të njëpasnjëshme të despotit të Artës, Pjetër Losha, e të aleatëve të tij, bashkësive shqiptare të mazarakëve e të malakasëve që banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua të kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk pushoi së përndjekuri e së tiranizuari popullsinë shqiptare të Janinës e të fshatrave përreth, nga e cila tërhiqte robër e pengje që i mbyllte në burgje të posaçme. Për këtë zell të tij kundër shqiptarëve, bashkëkohësit i ngjitën despotit serb nofkën “shqiptarovrasës” (alvanitoktonos).
Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374, në krye të despotatit të Artës u vu zoti i Angjelokastrës, Gjin Bua Shpata. Në kohën e sundimit të tij, konflikti me despotin serb, Thoma Preljuboviçin, u ashpërsua edhe më. Që në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të qëndrojë edhe kësaj radhe falë mureve të tij të papushtueshme. Gjithsesi, i interesuar për pushimin e armiqësive, Thomai i ofroi Shpatës dorën e së motrës, Helenës.
Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë shqiptare të malakasëve. Nën komandën e Gjin Fratit këta e sulmuan kështjellën më së pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin atë. Dy vjet më vonë, më 1379 malakasët arritën të zinin ishullin në liqen si dhe kullën e brendshme të kështjellës së Janinës. Kësaj radhe në anë të tyre qëndronin edhe pjesëtarë të parisë vendase, përfshi mitropolitin Mateo, përkrahës i Gjin Bua Shpatës. Por edhe kësaj radhe shqiptarët dështuan në qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme ua bëri atyre të pamundur që të shpërthenin muret e kështjellës, qoftë nga toka e qoftë nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej te Gjin Bua Shpata.
Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve të Artës u fut në këtë kohë në një konflikt të ashpër me anzhuinët e Napolit, të cilët qysh prej një shekulli vazhdonin të ngulnin këmbë në pretendimet e tyre mbi bregdetin epirot. Ky konflikt u shpreh më së pari në përleshjet e armatosura me forcat e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi ishujt e Qefalonisë e Leukadës si vasal i mbretëreshës Xhovana të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë se qysh në vitin 1360 “konti i Qefalonisë bënte luftë të madhe me Despotatin e arbërve”. Në vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez edhe më keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit organizoi një fushatë të madhe për asgjësimin e Despotatit shqiptar të Artës. Bërthama e ushtrisë së grumbulluar prej saj përbëhej nga Urdhri i Joanitëve të Rodit, një formacion i famshëm për bëmat e tij luftarake, që ishte futur në shërbim të anzhuinëve të Napolit.
Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos), kështjella më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi bregun verior të gjirit të Korintit. Prej këndej ajo përparoi drejt veriut e brenda pak kohe qendra e Despotatit shqiptar, Arta, u ndodh nën rrethimin e ushtrisë napolitane. Gjatë betejës vendimtare që u zhvillua nën muret e Artës, despoti Gjin Bua Shpata korri një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti i ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.
Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata fitimtar mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi Janinën. Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti një aleat të fuqishëm kundër shqiptarëve te turqit osmanë, të cilët kishin filluar të vendoseshin në Thesalinë fqinje. Disa herë brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të thirrura nga Thomai, kryen inkursione shkatërruese në zotërimet e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon Zenebishit, duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën. Me ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani i Janinës ra pre e një komploti dhe, i urryer nga të gjithë, vdiq në dhjetor 1384. Në vend të tij paria e Janinës e mbreti serb i Thesalisë, Joazaf, thirri e vuri italianin Izau Buondelmonte Açajuolin, kunat i kontit Leonard Toko të Qefalonisë. Ky gëzonte njëherësh mbështetjen e perandorit të Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të Mbretërisë së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura edhe në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse aty nga viti 1394, ky mori për grua të bijën e Gjin Shpatës, Irenën, i nxitur edhe nga arkondët e qytetit. Inkursionet e reparteve osmane, të thirrura nga despoti i ri i Janinës, vazhduan edhe paskëtaj, madje për të siguruar mbështetjen më të madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall vasal i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të Artës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.
Në rrethana të tilla të vështira, më 29 tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata “burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë”, siç e quan atë një kronikë e kohës. Me emrin e tij është e lidhur periudha më e lulëzuar e historisë së Despotatit shqiptar të Artës. Zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërme të tij, që shpeshherë ishin në armiqësi e mëri me njëri-tjetrin. Një mëri e tillë ekzistonte dhe midis Muriq Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës, që qeveriste zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla i Gjinit, këtij i takonte të ishte trashëgimtar i ligjshëm i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta mënjanojë kushëririn e tij plak dhe të marrë në dorë drejtimin e principatës.
Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës dhe osmanët e Thesalisë kishin qenë kujdesi kryesor i paraardhësit të tij të madh. Me komandantët osmanë të Thesalisë Muriqi nuk e pati të vështirë të gjente një modus vivendi, sidomos pas katastrofës që sulltan Bajaziti pësoi nga mongolët e Timurlengut në betejën e Ankarasë (1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet me despotin Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit dhe që për më tepër kërkoi dorën e vajzës së Muriqit për djalin e tij të lindur nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë e Gjergjit I Balsha.
Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq Shpatës u përqendrua nga rreziku që i vinte zotërimeve të tij nga konti i Qefalonisë Karl Tokoja. Për sa kohë në krye të principatës kishte qenë Gjin Bua Shpata, Tokoja kishte dalë gjithnjë i mundur nga ballafaqimi me shqiptarët. Këta, madje, ishin në gjendje të organizonin me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë dhe Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut.
Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës, raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të Tokos. Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit të ri të Artës shtynë mjaft feudalë shqiptarë dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia, Margëlliçi e Janina (përfshirë bashkësitë e mëdha të mazrekëve e malakasëve) të dorëzoheshin përpara dhuratave dhe premtimeve që u drejtoi atyre me bollëk konti Karl Toko. Në këtë mënyrë, me një ushtri, lulen e së cilës e përbënin luftëtarët shqiptarë, ku shquheshin vëllezërit Muriq e Dhimo Bua, si dhe me ndihmën e një flote të ofruar nga mbreti i Napolit, Karl Tokoja, filloi t’i rrëmbejë Muriq Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë, ai pretendonte të bëhej, ashtu siç qenë bërë ata një shekull më parë, despot i krejt Epirit.
Në këtë mënyrë, me luftë dhe më shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve një sërë kështjellash, fillimisht në jug të gjirit të Artës, si Katohinë, Varnakun, Kandilen, Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej ai filloi sulmet dhe plaçkitjet në territorin e Angjelokastrës e të Artës. Shumë shpejt Muriq Shpata u detyrua të lëshojë kështjellat e Riniasës e Ajtoit, që siguronin mbrojtjen e Artës. Gjatë një beteje me forcat e Tokos, u plagos rëndë e më tej vdiq edhe vëllai i legjendarit Gjin Bua Shpata, Sguroj, i cili të paktën në çastet e fundit gjeti ngushëllim kur pa se Muriq Shpata me forcat e tij po vraponte t’i vinte në ndihmë.
I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t’i ruante zotërimet që i la i ati në jug të gjirit të Artës, nxitoi t’ia ofrojë ato Venedikut. Më 1402 ai i propozoi këtij lëshimin e kështjellës së rëndësishme bregdetare të Lepantos si dhe vetë kryeqendrën e vet, Angjelokastrën. Ndërsa mori në dorëzim të parën (1407), kundrejt një shpërblimi, Republika e Venedikut u mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra, t’i kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet në jug të gjirit të Artës, në Etoli e në Akarnani.
Në kushtet e dobësimit e të përçarjes së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e pati të vështirë të zinte vendin e despotit Ezau të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas elementëve të parisë së qytetit, ku u shqua greku Simon Stratigopulos dhe dhëndri i tij, serbi Stefan Vojsllavi, dorëzimin e Janinës në duar të Karl Tokos e përkrahën edhe mjaft krerë e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë qytetit, të cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime. Tashmë i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të tij, Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë, afër Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia lënë barrën e drejtimit, të asaj që kishte mbetur nga Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës, vëllait të tij, Jakupit, që kishte kaluar në fenë islame.
Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm e trimëri që s’e kishin karakterizuar vëllanë e tij. Me të u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo bashkësitë shqiptare që ishin hedhur në anën e Karl Tokos, siç qe, p.sh., prijësi i shquar Muriq Bua.
Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri shqiptar në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti atij një pritë në kështjellën e Vombljanës, afër Artës. I ftuar nga kështjellari i saj, njeri i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga forcat e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve të saj. Jakupi vdiq me shpatë në dorë mes luftëtarëve të tij. Me vrasjen e tij u shënua dhe fati i Artës dhe i gjithë zotërimit të Shpatajve. Më 4 tetor 1416 Karl Tokoja hyri në Artë. Pinjollët e fundit të Shpatajve ose pranuan të hyjnë në shërbim të Karl Tokos, ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të Jonit.
Principata e Zenebishëve
Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike më të shquara të Shqipërisë së Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë pikërisht në këtë kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri për herë të parë osmanët në këto anë më 1380 kundër shqiptarëve. I mbështetur dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në vitin 1386.
Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli (1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues i interesave të huaja në atë qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit. Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun e kështjellës së tij të Gjirokastrës. Të gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që i çonte për këtë çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi bënte të qartë se “paqja e tij me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin buka e tij”.
Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para të shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte dorë si nga Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga dhe të kërkonte rregullimin e marrëdhënieve me Republikën e fuqishme të Venedikut.
Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri në plan të parë problemin e pushtetit në Janinë. E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e të famshmit Gjergjit I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve të një pjese të parisë së qytetit, që donte t’ia dorëzonte qytetin nipit të despotit Ezau, kontit të Qefalonisë, Karl Toko. E mbështetur kryesisht nga shtresat e ulta dhe të mesme të qytetit, “despina e Arbërisë” hyri në traktaktiva me Gjon Zenebishin, gjë që vuri në lëvizje përkrahësit e Karl Tokos. Pas një komploti të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua të braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht te Gjon Zenebishi në Gjirokastër.
Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl Tokos, që synonte të vinte nën sundimin e tij të gjitha territoret e Despotatit të dikurshëm të Epirit, e çuan atë drejt një ndeshjeje të pashmangshme me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës. Në verën e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën në Kranesë (Mesopotam) ushtrisë së Karl Tokos, që kishte depërtuar në thellësi të zotërimeve të tij dhe synonte të kapte Gjirokastrën. Në betejën e ashpër të zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t’i bënte ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur kryekëput tek aleanca që lidhi me osmanët dhe që u vulos edhe me martesën e vajzës së tij me Musa Beun, pretendentin e fronit.
Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën e Republikës së Venedikut. Në korrik të vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t’i vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të cilët të mund të mbronte këshjellat e tij dhe njëherësh të ndalte vërshimin e osmanëve në brigjet e Jonit. Në të njëjtën kohë, sundimtari shqiptar kërkonte nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.
Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz ishin vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000 vetash, e thirrur nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër i Tokos, rrethoi Gjirokastrën. Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t’i bënte ballë këtij sulmi të parë mbi kryeqendrën e tij, por, kur osmanët ndërmorën në vjeshtën e parë të atij viti, një fushatë të re akoma më të fuqishme, ai nuk jetonte më dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve dhe u strehuan në Korfuz. Nga Korfuzi trashëgimtarët e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk i reshtën përpjekjet për të çliruar zotërimet atërore, duke organizuar e duke u vënë në krye të kryengritjeve të fuqishme antiosmane.
Principata e Topiajve
Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes së shquar fisnike të Skurrajve në trevën e Arbrit u kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia. Emri i kësaj familjeje nuk përmendet para shek. XIII.
Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë për një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt ditën t’i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Topiajt ishin shpallur vasalë të mbretit të Napolit, Karli I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë varësia e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale. Si mbreti Karli I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli II e Roberti I Anzhu, ankoheshin vazhdimisht në aktet e tyre për “mosbindjen” madje edhe për “rebelimet” e vazhdueshme të Topiajve dhe të krerëve të tjerë shqiptarë kundër pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të ndërgjegjshëm se s’do të mund ta ruanin autoritetin e tyre mbi Durrësin dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin t’i mbanin afër Topiajt, qoftë duke u falur herë pas here “fajet”, qoftë duke u dhënë edhe provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në oborrin e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.
Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit pësuan një ngrirje të fortë në kohën e sundimit të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse qe martuar me një vajzë jashtë martese të mbretit Robert, Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj tij, aq sa anzhuini vuri njerëz dhe e vrau.
Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi në fuqi në vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e vet, Karli shfrytëzoi mjeshtërisht për këtë qëllim lidhjet e hershme të familjes së tij me anzhuinët e Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje “lidhjet e gjakut” që kishte me këta të fundit nga e ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës familjare të Topiajve, që paraqiste një luan, edhe simbolin e anzhuinëve, zambakun.
Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte vendosur t’u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit. Më 1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe nga deti. Ndonëse nuk u mor dot, qyteti u detyrua t’i paguajë Topisë një tribur vjetor, i cili nxirrej nga rritja e taksave mbi tregtarët e huaj që vizitonin Durrësin.
Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim sa në bashkësinë e këtij qyteti, që i trembej pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana e Napolit, dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk mund të pajtohej me faktin që princi shqiptar zotëronte tashmë një flotë ushtarake, të ankoruar në Kepin e Rodonit në veri dhe në Kepin e Melit (caput Meliarum) në jug të Durrësit, me të cilën ai mund të kontrollonte ose të dëmtonte trafikun e anijeve veneciane nëpër Adriatik. Ndaj në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut e urdhëronte kapitenin e flotës së Adriatikut që të pengonte çdo aksion të flotës së Karl Topisë dhe, në rastin ekstrem, t’i kapte anijet shqiptare dhe t’i digjte ato, si dhe të shkatërronte bazën e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto duhet të bëheshin në mënyrë të fshehtë pa rënë në sy të princit shqiptar, me të cilin gjithsesi Republika ishte e interesuar të mbante marrëdhënie të mira. Në fakt Topia pati rastin të tregonte se nuk ishte një sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit theu të fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që të ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl Topinë qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo nuk e ndali këtë të fundit të forcojë flotën e tij dhe të intensifikojë sulmet mbi Durrësin. Më në fund, në muajt e parë të vitit 1368, qyteti ra në duart e Topisë. Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi titullit të tij si “princ i Arbrit” edhe titullin tjetër të “zotit të Durrësit”.
Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë të Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370, aneksuan zotërimin e sebastokratorit Vlash Matrënga, që shtrihej midis derdhjes së Shkumbinit dhe Semanit. Gjithsesi aleanca e Muzakajve me Balshajt e veriut e keqësoi gjendjen e principatës së Karl Topisë, duke shtrënguar darën rreth saj. Ishte keqësuar ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare e saj. Sovranët e Napolit nuk ia falën “vasalit” Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet me Venedikun, pavarësisht që Republika e detrave e kishte shpallur Karl Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet ishin ftohur dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht me papën Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar prirjet “heretike” duke e akuzuar atë për patarin (ithtar i lëvizjes antipapale patarine). Edhe miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë nuk i sillte ndonjë avantazh të madh Karl Topisë në planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi tregtare, por ajo s’kishte ndonjë peshë në ngjarjet politike e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht armiqësia e kësaj të fundit me Venedikun, pra kishte karakter koniunktural pa ndonjë ndikim në planin praktik.
Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet me bashkësinë qytetare të Durrësit qenë acaruar, Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri për pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve të Napolit. Madje këta të fundit në fillim të vitit 1372 vendosën të organizonin një fushatë të madhe për të shtrirë pushtimet tej Durrësit dhe për të rikrijuar “Mbretërinë e Arbrit” të kohës së Karlit I Anzhu. Në planet e organizatorëve ishte edhe zënia rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës, për të cilët premtohej një çmin prej 1 000 dukatë ari. Por fushata që iu besua Gjergjit të Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm i “gjithë vendit të Arbrit”. Madje, ai mundi t’u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme të Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të lumenjve Shkumbin e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë kapte gjithë hapësirën midis Drinit e Semanit. Vetë Durrësi, ndonëse formalisht mbeti në zotërimin e anzhuinëve të Napolit, në të vërtetë e ndiente gjithnjë e më shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky i fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur ta merrte qytetin në mënyrë “të ligjshme”, duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt aty nga viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt një shume të madhe të hollash.
Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij ndodhi në një kohë kur ishte rindezur konflikti i hershëm me Balshajt, ndërkohë zotër edhe të Vlorës.
Me një sulm të befasishëm në vitin 1384 Balsha II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet zyrtare ai filloi t’i atribuojë vetes titullin “dukë i Durrësit”. Por nuk e gëzoi gjatë. Më 18 shtator 1385 forcat osmane të Hajredin Pashës shpartalluan në Savër të Myzeqesë ushtrinë e Balshës II dhe të aleatëve të tij. Karl Topia hyri përsëri në Durrës, por tashmë edhe ai, si mjaft sundimtarë të tjerë shqiptarë, u detyrua t’i nënshtrohej hegjemonisë së osmanëve. Në përpjekje për t’i shpëtuar kësaj të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve 1386-1387 ai bëri disa përçapje pranë Republikës, duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi të drejtpërdrejtë në një zonë që tashmë ishte në vëmendjen e osmanëve, Venediku u mjaftua t’i premtonte Karl Topisë ndihma modeste ushtarake, sigurisht kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur nën trysninë e vazhdueshme të osmanëve, Karl Topia tentoi në maj të 1387 një ujdi të fundit me Republikën. Propozimi i tij i ri kishte të bënte me shitjen e Durrësit, me largimin e vetë Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën nga kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.
Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë për shkak të hezitimeve të Venedikut, që tashmë ishte i bindur se marrja e Durrësit do të thoshte luftë me osmanët, qoftë edhe se, shumë shpejt pas paraqitjes së këtij propozimi të ri, princi Karl Topia ndërroi jetë.
Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji, mundi të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës e në rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth saj i kaluan motrës së tij, Helenës, që ishte martuar me fisnikun venecian Mark Barbadigun. Konti Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit, sundonte ultësirën në jug të Durrësit. Feudalë të tjerë, që s’i përkisnin familjes fisnike Topia, sundonin tashmë të pavarur në viset e Tiranës, në luginën e Shkumbinit e gjetkë. Marrëdhëniet e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë armiqësore. Në këtë mënyrë juridiksioni i trashëgimtarit të Karl Topisë kufizohej në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e afërta të tij. Në fakt, edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet thjesht “zot i Durrësit”, ndryshe nga paraardhësi i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej “zot i gjithë vendit të Arbrit”.
Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me intensifikimin e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe, për rrjedhojë, edhe me politikën e re të Venedikut, për të shtënë në dorë qytetet bregdetare shqiptare. Herë me premtime dhe herë me presione Venediku arriti të bindte Gjergjin që fillimisht t’i lëshonte kullën e poshtme të qytetit, atë që ruante pjesën e portit.
Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll gjithë qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë e zotit të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një sërë fisnikësh shqiptarë nga familjet Muzaka, Skurra, Nesha e vetë Topia, të cilëve u shpërndante provizione vjetore. Me marrëveshjen e nënshkruar me Venedikun në gusht të vitit 1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes së tij, i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit në Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më vonë, kur sundimtari shqiptar vdiq.
Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe të Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti Niketë Topia mori kështjellën e Krujës nga duart e kushërirës së tij, Helenës. Në këtë mënyrë Niketa bashkoi nën sundimin e tij territoret pjellore rreth e rrotull Durrësit prej të cilave nxirrte fitime të mëdha. Venediku ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar, aq më tepër që ato formonin një perde midis Durrësit dhe posteve të përparuara osmane në Maqedoni. Nga ana tjetër, nga zotërimet e Niketës mbërrinin në Durrës produktet bujqësore e blegtorale të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një disfatë të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin me Teodor Muzakën e Beratit për zotërimin e fushave rreth Shkumbinit. Falë ndërhyrjes së Republikës së Raguzës, Niketa u lirua nga burgu i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të matej me sulmet e osmanëve, që pikërisht në atë kohë njohën një intensifikim të ri. Me vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën. Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant turk, Ballaban Beun, i cili quhej “subash i Krujës dhe i Arbrit”.
Principata e Muzakajve
Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Lavdar të Oparit. Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek. XIII.
Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281), i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua si një ndër krerët kryesorë të qëndresës. I zënë rob gjatë një beteje, në tetor të vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën e Brindizit bashkë me tre bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin. Por, nën presionin e krerëve shqiptarë, mbreti Karli I Anzhu u detyrua ta lironte atë vitin tjetër, kundrejt premtimit se “nuk do të fliste e nuk do të vepronte më kundër tij”.
Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe. Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me pronia të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para vitit 1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë, pinjollë të Muzakajve vazhduan të qëndronin në poste të rëndësishme në Konstandinopojë, si epistrati Muzaka në vitet 1320.
Krijuesi i një principate të vërtetë të kësaj familjeje ishte pikërisht despot Andrea II Muzaka (1335-1372). Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë në krye të lëvizjeve antibizantine të viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore. Me atë rast, despot Muzaka lidhi edhe një aleancë me anzhuinët e Napolit. Në paktet e nënshkruara në Durrës më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit, i cili nga ana e tij i konfirmoi fisnikut shqiptar pronat, titujt e gradat e dhuruara nga perandorët e Bizantit. Si peng të besnikërisë ndaj sovranit anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin prej djemve të tij.
Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më 1336 u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin e mjaft fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët u strehuan në Greqi, posaçërisht në Peloponez. Edhe në kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin frymëzuesit e qëndresës dhe ishin vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav të zonës së Beratit e të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin. Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht prej tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve u bë i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit, ku despot Andrea zotëronte pasuri të patundshme dhe ku marrëveshja e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte të qëndronte dhe të lëvizte lirisht në atë qytet.
Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë e zotërimeve të tij në drejtim të zonës së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej andej sundimtarët serbë të vendosur rishtazi. Nga fundi i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të Karavastasë, sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi kështjellën e rëndësishme të Bregut, doli mbi Shkumbin e mori tokat e Gosës e të Garunjës, duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti me princin e fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po në atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty pas vdekjes së despotit Ivan Komnen.
Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi në formë paje këto dy qytete vëllait të vogël të Balshajve, Balshës II, pas martesës së këtij me vajzën e tij, Komitën. Siç duket, në bazë të aleancës midis këtyre dy familjeve fisnike shqiptare qëndronte rivaliteti i tyre i përbashkët me Topiajt e veçanërisht me sundimtarin serb Vukashin, atë kohë zot i Kosovës e i gjithë Maqedonisë Perëndimore, deri në Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve, despot Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë rast i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit, duke i dhuruar fronin bashkë me shenjën përkatëse dalluese, shqiponjën me dy krerë e me yll në mes. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më dysh.
Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani V Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat mbi Kosturin.
Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve e të bujarëve të tjerë shqiptarë, despot Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë mënyrë, në fund të jetës së tij, despoti plak, Andrea II Muzaka, kishte përfshirë në principatën e tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën, Skraparin, Këlcyrën, Përmetin, Oparin, Devollin, Kolonjën e Kosturin. Megjithatë, në krahun perëndimor të zotërimeve të Muzakajve, ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm, të cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të madh në zonat përreth, deri në Berat, siç e dëshmon edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit “Epitaf i Glavinicës” i vitit 1372. Aty nga viti 1374, Muzakajt ishin detyruar të tërhiqeshin edhe nga tokat që kishin zënë para pak vjetësh përtej Shkumbinit, si dhe nga kështjella e nga tregu i Bregut, në derdhje të Shkumbinit. Këto vende i kaluan rivalit të tyre, princit Karl Topia.
Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur. Shumë shpejt, në vitin 1375, Stojë Muzakës iu desh të përballonte një sulm të Mark Krajleviçit, i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa sukses të rimerrte Kosturin. Deri në pushtimin përfundimtar nga osmanët, më 1385, qyteti mbeti në duar të Muzakajve, siç e vërteton edhe një mbishkrim ktitorial në kishën e Shën Thanasit, të ngritur më 1382 nga vëllezërit Stojë e Teodor Muzaka. Stoja vdiq në vitin 1384, kurse vëllai i dytë, Teodori, mbeti i vrarë në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, ku kishte shkuar me forca të shumta bashkë me fisnikë të tjerë shqiptarë. Vëllai i madh Gjini, pasi kishte kaluar mjaft vjet në burgun e Kaninës, ku e kishte mbyllur i kunati, Balsha II, vdiq edhe ai para vitit 1390 në një çast rrëmuje e shthurrjeje të principatës. Osmanët tashmë shfaqeshin rregullisht në zotërimet e tyre dhe në zonën e Korçës ata ishin bërë zotër realë të vendit. Zotërimet e Muzakajve u rrudhën kryesisht në viset malore. Mjaft pinjollë të tyre, si djali i madh i Gjinit, Andrea, ishin vendosur në Durrës ku ishin vënë në shërbim të Venedikut.
Periudha e shkurtër e rimëkëmbjes së zotërimit të Muzakajve pas disfatës së osmanëve në betejën e Ankarasë (1402) lidhet me emrin e Teodorit III Muzaka, djalit të Andresë. Ky për disa vjet arriti ta shtrijë përsëri zotërimin e Muzakajve në fushën e Myzeqesë, duke ringjallur për këtë konfliktin e vjetër me Topiajt, posaçërisht me kontin Niketë Topia, i cili gjatë një përpjekjeje më 1412 ra rob i Muzakës.
Me rifillimin e sulmeve osmane zotërimi i Muzakajve u prek rëndë. Më 1417, njëherësh me Vlorën, ra edhe Berati. Teodor Muzaka u kthye nga ajo kohë në vasal të sulltanit dhe pasardhësit e tij me përkrahjen e osmanëve apo të Venedikut, mbajtën një minimum të principatës së dikurshme derisa pas rënies së Shkodrës, më 1478, i fundi i Muzakajve të krishterë, Gjon Muzaka, autori i njohur i Gjenealogjisë së shtëpisë Muzaka (1510), e la vendin dhe u vendos në Mbretërinë e Napolit.
Shteti i Arianitëve
Arianitët ishin një familje e vjetër fisnike. Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit e Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe në lindje arrinin së paku deri në afërsi të Manastirit.
Në burimet historike emri i familjes fisnike të Arianitëve haset për herë të parë në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018) perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini, përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit, Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që u njiheshin privilegjet e mëparshme, është shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.
Për këto figura me mbiemrin Arianiti nuk mund të krijohet një lidhje e sigurt dhe të pohohet se domosdo ata i përkisnin të njëjtit trung familjar. Sidoqoftë, nëpërmjet tyre del qartë së Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër e Shqipërisë Qendrore, nga më të njohurat dhe me ndikim të veçantë në jetën politike të vendit. Rol pozitiv në këtë drejtim kishte zotërimi e kontrolli prej Arianitëve i segmenteve të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) nëpër të cilën lëviznin karvane të shumta për tregtimin e drithit, të kripës e të mallrave të tjera. Për zotërimin e kësaj rruge tregtare shumë të rëndësishme, Arianitët duhet të kenë bashkëpunuar me Pavël Kurtikun, zotërimet e të cilit gjendeshin në krahinat përgjatë rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, si dhe me Andre Gropën, sundimtarin e qytetit të Ohrit. Pozicioni mbizotërues i kështjellës së Ohrit, mbi tërë rajonin e një liqeni shumë të pasur me peshk të cilësisë së lartë, kishte bërë që zotërimi i tij të ishte në qendër të aksioneve politike e ushtarake të zotërve të rajoneve pranë tij.
Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata, prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore dhe filluan të ndiqnin një politikë më aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive osmane.
Krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet në burimet historike edhe me emra të tjerë familjarë, si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika, si dhe me disa tituj fisnikërie. Titujt ishin të trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet krushqore që kishin krijuar Arianitët me familjet e tjera fisnike, duke përfshirë edhe atë perandorake të Bizantit, siç e tregon mbiemri Komneni. Si familje sundimtare Arianitët kishin edhe simbolet e veta. Shqiponja dykrenare ishte në stemën e tyre. Në një dokument të kohës tregohet se Gjergj Arianiti kishte porositur në Raguzë që të thurej flamuri i tij.
Pema gjenealogjike e Arianitëve nuk mund të ndërtohet saktësisht, që nga periudhat më të hershme, kur ata përmenden për herë të parë. Sipas autorëve të vjetër shqiptarë, Marin Barlecit e Gjon Muzakës, i ati i Gjergj Arianitit ka qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia, zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.
Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut, Mamicën.
Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare të Arianitëve emër e peshë të veçantë në jetën politike të Shqipërisë.
Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që, më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina (ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit. Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin dhe Arianitin) dhe një vajzë.
Zotërimet e Arianitëve, ashtu si dhe ato të fisnikëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhave të ndryshme kanë njohur zgjerime e ngushtime. Pavarësisht nga këto, duke zotëruar segmente të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe të degëzimeve të ndryshme të saj, Arianitët kanë gëzuar një pozitë të veçantë në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e lidhjet që mund të krijoheshin midis rajoneve të ndryshme të vendit dhe forcave politike të tyre. Dëshmi e kësaj janë edhe lidhjet e shumta martesore të Arianitëve me zotërit e tjerë të viseve shqiptare, që ishin kufitare me ato të Arianitëve, si Muzakajt e Kastriotët, apo edhe më të largëta si Dukagjinët e deri me despotin serb, Stefan Brankoviçin, kur ky, pas pushtimit të Despotatit të Rashës prej osmanëve, u vendos në vitin 1459 në Krujë, ku qëndroi për disa vjet pranë Skënderbeut dhe u martua me një vajzë të Gjergj Arianitit.
Për rëndësinë politike dhe ekonomike të shtetit të Gjergj Arianitit dëshmon më së miri martesa e dytë e tij me vajzën e guvernatorit të qytetit të Leçes në Italinë e Jugut, që ishte porti më jugor i krahinës së Puljes dhe, në rrugë detare, më i afërti me bregdetin shqiptar. Interesat ekonomikë në Shqipëri e kanë shtyrë guvernatorin e Leçes të martonte vajzën larg vendit të tij e përtej detit Adriatik, së pari në Korfuz, dhe, pasi mbeti e ve, me Gjergj Arianitin në Shqipëri, që ka qenë eksportuese e rëndësishme drithërash. Shtrirja lindore e shtetit të Gjergj Arianitit ka qenë e thellë. Ajo i ka përfshirë, ose së paku ka qenë kufitare me fushat e Manastirit e të Follorinës, që ishin rajone të prodhimit të bollshëm të drithërave, ku çmimi i shitjes së tij ka qenë më i ulëti se në rajonet e tjera të prodhimit të tij në Shqipëri dhe shumë më i ulët se çmimi i shitjes në Itali. Gjithashtu nën zotërimin e Arianitëve ka qenë, në mos tërësisht, pjesërisht, rajoni i liqenit të Ohrit, prej të cilit siguroheshin të ardhura shumë të mëdha nga peshkimi dhe nga eksportimi i gjerë i peshkut të thatë të cilësisë së lartë, artikull ushqimor ky që ishte shumë i parapëlqyer nga banorët e rajoneve të tjera.
Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Këto synime të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e “Arbërisë së Arianitit”, emërtim i përdorur krahas “Arbërisë së Skënderbeut”.
Balshajt dhe përpjekjet për një shtet të bashkuar shqiptar
Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza e Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe. Për këtë qëllim, ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt “rebelë” dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Kundër sundimtarëve shqiptarë të Gentës, ai u përpoq të nxiste sundimtarët sllavë si dhe Republikën e Venedikut, e cila i druhej fuqizimit të Balshajve dhe sidomos kthimit të principatës së tyre në një principatë detare. Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Buduës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës. Gjithë pushtetin e Balshajve në këto treva nxitoi ta shfrytëzonte në të mirë të tregtisë së vet Republika e Raguzës, e cila më 1361 u dha tre vëllezërve sundimtarë qytetarinë raguzane. Të njëjtin hap e kreu një vit më vonë edhe Republika e Venedikut, e cila Strazimirin, Gjergjin I dhe Balshën II i pranoi si qytetarë të vet. Megjithatë, Republika e Shën Markut vazhdoi të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte, fshehurazi, një grupim kundërshtar të Balshajve, me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Gjithashtu, Venediku nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarët sllavë, si Stefan Uroshin e Vojsav Vojnovin, që kishin arsye të shqetësoheshin nga fuqizimi dhe shtrirja e zotërimit të princërve shqiptarë.
Përpjekjet për t’i shtrirë kufijtë e principatës drejt jugut, i çuan Balshajt drejt përplasjes me fisnikë të tjerë shqiptarë, Dukagjinët, Zahariajt e sidomos Topiajt, zotër të Arbrit dhe, qysh nga viti 1364, zotër edhe të Durrësit. Përplasja në mes dy principatave më të fuqishme shqiptare u bë e pashmangshme për sa kohë që edhe vetë Topiajt luftonin për të vënë nën kontroll qendrat, që tradicionalisht bënin pjesë në sistemin administrativo-ushtarak të Durrësit, në radhë të parë Lezhën. Në një betejë të zhvilluar aty nga muaji shtator i vitit 1364 Balshajt u thyen nga zotërit e Durrësit dhe vetë Gjergji I Balsha u zu rob. Me ndërhyrjen e Republikës së Raguzës, mike e dy shtëpive fisnike shqiptare, Gjergj Balsha u la i lirë dhe armiqësisë iu dha fund me martesën e Karl Topisë me Katerinën, motrën e Balshajve.
Një qëndresë të fortë ndeshën edhe përpjekjet e Balshajve për t’u zgjeruar në veri të grykës së Kotorrit, dhe sidomos për të pushtuar këtë qytet të fundit. Republika e Venedikut, Mbretëria e Hungarisë, Papati, sundimtarët sllavë të Kanalit, Zaklumjes e të Bosnjës dhe vetë Republika e Raguzës u bashkuan për t’i detyruar Balshajt të hiqnin dorë nga një ndërmarrje e tillë. Në këtë mënyrë, pas vitit 1368 veprimet e vëllezërve Balsha u përqendruan në zgjerimin e zotërimeve të tyre drejt viseve të Kosovës dhe thellë në jug, në despotatin e Vlorës. Duke hequr dorë përkohësisht nga Kotorri, Balshajt arritën një zbutje të marrëdhënieve të tyre me të gjitha fuqitë e interesuara. Me Republikën e Venedikut Balshajt i forcuan lidhjet në fushën tregtare dhe ushtarake. Në vitin 1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre në ritin katolik për forcimin e lidhjeve me Papatin dhe me fuqitë katolike të Perëndimit, si dhe në vazhdën e lidhjeve që princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë) kishin me këta të fundit. Një vit më vonë papa Urbani V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës, u rekomandoi atyre peshkopët e porsaemëruar të Arbrit, Pultit, Sardës (Shurdhahut), Lezhës e të Vlorës. Nëpërmjet këtij fakti, kuptohet se Balshajt ishin bërë atë kohë zotër të Vlorës. Rrethanat e zbritjes së Balshajve në Vlorë mbeten ende të errëta. Por është e sigurt që në themel të kësaj ngjarjeje qëndronte aleanca e Balshajve me zotin e fuqishëm të Beratit, despot Andrea II Muzaka, i cili në atë kohë e zotëronte, ose të paktën e kishte nën kontrollin e tij, qytetin e Vlorës bashkë me kështjellën e Kaninës. Aleanca e Balshajve me Muzakajt e Beratit u vulos me martesën e Komnenë Muzakës, vajzës së despot Andresë, me më të voglin e sundimtarëve të Gentës, Balshën II.
Pavarësisht nga mbështetja që gjetën sidomos në gjirin e fisnikërisë feudale, Balshajt hasën në Vlorë edhe në armiqësinë dhe qëndresën e shtresave të caktuara zejtare-tregtare, të lidhura ekonomikisht e politikisht me interesat veneciane. Pas hyrjes së Balshajve në Vlorë, mjaft nga këta përfaqësues të fisnikërisë qytetare dhe bashkë me ta edhe tregtarë venecianë të Vlorës, e braktisën qytetin dhe u vendosën përkohësisht në Sazan e në zotërime të tjera të Venedikut. Kjo ngjarje shkaktoi një krizë të re në marrëdhëniet e Balshajve me Republikën e Venedikut.
Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja e një aleance të sundimtarëve shqiptarë të viseve të Vlorës, të Beratit, të Përmetit, të Ohrit e të Korçës në luftë me princërit e fundit sllavë, trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme të Dushanit, në radhë të parë me mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur. Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372).
Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më 1375, për ta rimarrë qytetin me ndihmën e osmanëve, dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt, por edhe familje të tjera fisnike të trevave të Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën sovranitetin e Balshajve. Këta të fundit arritën, po në fillim të viteve 70, të shtrijnë sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke shkaktuar përsëri pakënaqësinë e Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës). Në këtë mënyrë, përveç zotërimit të tyre të parë të Gentës, vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.
Republikat e fuqishme të Venedikut e të Raguzës përpiqeshin të mbanin marrëdhënie të mira me Balshajt. Ato u kishin dhënë atyre qytetarinë e vet. Raguza u paguante atyre haraçin e përvitshëm të Shën Dhimitrit, që dikur ua jepte mbretërve të Serbisë. Tribut të tillë u jepte Balshajve edhe qyteti i Kotorrit. Mbreti serb i Rashës apo ai i Bosnjës u ndodhën shpeshherë në vështirësi përballë fuqisë së princërve shqiptarë të Gentës dhe nuk munguan t’u kërkojnë atyre paqe me kushte shpeshherë të rënda.
Qeverisja e zotërimeve të Balshajve realizohej njëherësh nga tre vëllezërit: Strazimiri, Gjergji dhe Balsha II. Aktet zyrtare firmoseshin njëherësh prej tyre dhe vuloseshin me vulën e përbashkët. Në bisedimet e traktativat me fuqitë e huaja ishin si rregull të pranishëm të tre vëllezërit Balsha. Balshajt nuk kishin një rezidencë të ngulur. Ata lëviznin së bashku ose veç e veç nga Ulqini, në Tivar, në Shkodër e në Vlorë. Për muajt e verës ata shpërnguleshin në rezidencën e tyre verore, që ndodhej në malësinë e Tivarit.
Institucioni i bashkëqeverisjes, që ishte karakteristikë si për Balshajt, ashtu edhe për fisnikë të tjerë shqiptarë, ishte një institucion me rrënjë të thella në traditën e familjeve të mëdha partiakale shqiptare të mbështetur në vëllazëritë. Marrëdhëniet midis vëllezërve rregulloheshin në bazë të moshës. Strazimiri, si vëllai më i madh, kishte gjithmonë privilegjin e moshës në marrëdhënie me vëllezërit. Kur ai vdiq, më 1373, në këmbë të tij erdhi dhe u bashkua me Gjergjin I dhe Balshën II djali i tij, Gjergji II. Emri i tij, si më i riu, në aktet zyrtare përmendet pas xhaxhallarëve. Pas vdekjes së Gjergjit I Balsha, më 1378, Balsha II e mënjanoi nga pushteti nipin e tij dhe mori në duart e veta qeverisjen e gjithë zotërimit të Balshajve.
Balshajt kishin një administratë të tyre në bazë dhe në qendër, të përfaqësuar nga njerëz të besuar me tituj fisnikërie, si protovestiar, vojvodë, logotet etj. Ata kishin kancelaritë e tyre, me shkrues, noterë, sekretarë, kishin vulën dhe shenjat e tyre dalluese, që shprehnin pushtetin dhe sovranitetin e tyre.
Aleanca e përkohshme e Balshajve me Karl Topinë nuk mundi t’i largojë për shumë kohë projektet e tyre për t’u shtrirë në kufitjtë e Arbrit të vjetër dhe në Durrës. Tashmë Principata e Topisë krijonte një ndërprerje të zotërimeve të tyre veriore me ato jugore dhe i ndante Balshajt nga vasalët dhe aleatët e tyre të jugut. Në këtë mënyrë, në vitin 1383, Balsha II u përpoq dhe ia doli mbanë të shtinte në dorë qytetin dhe rrethinat e Durrësit, duke realizuar një ëndërr të vjetër, që qysh në shek. X-XI ishin përpjekur ta realizonin përpara Balshajve edhe princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë). Sundimtari i Durrësit dhe i Arbrit, princi Karl Topia, u detyrua të tërhiqej në kështjellën e Krujës. Balsha II këtej e tutje i shtoji emrit të tij edhe titullin e “dukës së Durrësit” (dux Dyrrachii), duke ringjallur kështu një institucion të vjetër bizantino-venecian. Në këtë mënyrë, zotërimet veriore të Balshajve dhe ato jugore u lidhën midis tyre me një vazhdimësi territoriale, duke krijuar formacionin më të madh mesjetar shqiptar që ishte deri në atë kohë.
Principata e Shkodrës në kohën e brezit të dytë të sunduesve Balshaj
Në çastin e fuqizimit dhe të shtrirjes së tij më të madhe, shtetit të Balshajve iu desh të ballafaqohej me mësymjen gjithnjë e më intensive të sulltanëve osmanë.
Në vjeshtë të vitit 1385, një ushtri osmane, nën komandën e Hajredin Pashës, depërtoi në zotërimet jugore të Balshajve dhe iu drejtua Vlorës. Në Savër forcat e mbledhura me ngut nga Balsha II u ndeshën me osmanët, duke pësuar një humbje katastrofale. Vetë Balsha II ra në fushën e betejës. Nën goditjet e vazhdueshme të osmanëve dhe si rezultat i shkëputjes së zotërimeve të vogla të vasalëve të dikurshëm shteti i Balshajve u rrudh së tepërmi. Nipi i Balshës II, Gjergji II Strazimir Balsha (1385-1403), mundi të shpëtojë pjesërisht zotërimet e Gentës. Ato të Kosovës, në pjesën më të madhe, ranë në dorë të princërve sllavë, vasalë të sulltanit. Në Vlorë dhe në territorin e saj vazhdoi të sundojë e veja e Balshës II, Komnenë Muzaka – Balsha, e cila nuk kishte lidhje varësie me Gjergjin II Balsha. Durrësin e shtiu përsëri në dorë princi Karl Topia, por edhe ky, tashmë nën presionin e vazhdueshëm osman, e kishte humbur pushtetin e dikurshëm. Përpjekjet e Gjergjit II, në fillimet e sundimit të tij, për të shtrënguar lidhjet me Republikën e Venedikut ndeshën në ftohtësinë e kësaj të fundit. Për rrjedhojë, princi shqiptar u afrua me Republikën fqinje të Raguzës, që i rikonfirmoi qytetarinë raguzane, dhe me princ Llazarin e Rashës. Vajza e këtij të fundit u bë gruaja e Gjergjit. Në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve të tjerë shqiptarë e ballkanas. Tre vjet më vonë, më 1392, në një përpjekje me forcat osmane Gjergji II Balsha ra rob i tyre dhe, kundrejt lirimit të tij, u lëshoi Shkodrën. Një vit më vonë, më 1393, Radik Gjurashi (Cërnojeviçi) i mori Balshës Buduën. Tashmë Gjergjit II i mbetën vetëm Ulqini dhe Tivari. Psikoza e pushtimit të afërm osman shtyu në atë kohë masa të tëra njerëzish të braktisnin qytetet e Shkodrës, Lezhës, Tivarit e të Ulqinit dhe t’i drejtoheshin bregdetit dalmat.
Gjithnjë e më shumë i izoluar nga fuqitë e huaja dhe nga njerëzit e tij Gjergji II i propozoi Venedikut dorëzimin e Shkodrës. Republika që nuk deshi të implikohej hapur me këtë ndërmarrje, e inkurajoi Balshën në këtë drejtim, duke e bërë edhe qytetar të saj (maj 1395). Në fillim të shtatorit 1395 Shkodra u hoq nga duart e komandantit osman, Shahin, dhe kaloi përsëri nën sundimin e Gjergjit II Balshës. Këtë qytet, bashkë me kështjellat e afërta të Drishtit, Dejës e Shasit (Suaçit), si dhe territorin e tyre, Gjergji II i dorëzoi në duart e Venedikut (prill 1396). Pinjolli i Balshajve mbajti për vete viset e Tejbunës, me Ulqinin e Tivarin. Për viset e lëshuara ai do të merrte një provizion (shpërblim në para) vjetor nga Republika e Venedikut.
Heqja dorë nga territore të rëndësishme në dobi të Republikës së Venedikut, në një moment të vështirë për të, u duk se të paktën i siguroi Gjergjit II Balsha më në fund miqësinë e Republikës së detrave. Gjergji u pranua në gjirin e fisnikërisë veneciane dhe të Këshillit të Madh të Republikës. Me këmbënguljen e tij, atij iu lejua që të ngrinte flamurin venecian në zotërimet e mbetura Tejbunës, gjë që do të thoshte se ato viheshin nën mbrojtjen veneciane. Venediku gjithashtu hoqi dorë nga përkrahja që u kishte dhënë deri atëherë rivalëve të Gjergjit II, në radhë të parë Radik Gjurashit (Cërnojeviçit). Në këtë mënyrë, Cërnojeviçi u ndodh i vetëm përballë hakmarrjes së Balshës, i cili që në fund të muajit prill 1396 e sulmoi në zotërimet e tij, duke e lënë edhe atë vetë të vrarë. Po ashtu, ai vuri nën trysni edhe kundërshtarët e tjerë të rrezikshëm të tij, si Dukagjinët, Jonimët e Zahariajt, si dhe princin serb Vuk Lazareviç, që synonte t’i rrëmbente zotërimet Balshës. Të gjithë këta zotër, kush më shumë e kush më pak, ishin kthyer në vasalë të sulltan Bajazitit I.
Afrimi i Venedikut nuk e ndaloi Gjergjin II të vazhdonte lidhjet tradicionale me kundërshtarët e Republikës detare, me Raguzën dhe Mbretërinë e Hungarisë. Si njëra dhe tjetra vazhduan ta mbështesin princin shqiptar (princeps Albaniae), siç e quante atë mbreti Sigizmund i Hungarisë.
Nga ana tjetër, Gjergji II u mundua deri në fund të ruante një farë distance nga osmanët. Ndryshe nga mjaft fisnikë shqiptarë dhe shumë të tjerë ballkanikë, ai nuk shkoi të ndihmojë sulltan Bajazitin I në betejën e Ankarasë kundër mongolëve të Timurlengut. Gjergji II Balsha vdiq aty nga fillimi i vitit 1403 në qytetin e tij të Ulqinit.
Më i shquari nga brezi i dytë i Balshajve ishte pa dyshim djali i Gjergjit II, Balsha III (1403-1421). Një nga aktet e para të këtij, pasi mori frenat e pushtetit, ishte pikërisht rifitimi i Shkodrës dhe i qendrave të tjera të principatës, tashmë në dorë të Venedikut.
Në tetorin e vitit 1404 Shkodra dhe Drishti u morën me sulm nga Balsha. Republika e Venedikut u detyrua të mobilizonte flotën e saj dhe ta dërgonte urgjentisht në Shkodër. Njëherësh ajo joshi dhe shkëputi nga Balsha III aleatë e vasalë të tij, si Dukagjinët, Zahariajt, Jonimët, Gjurashët e Gentës së Sipërme. Në këtë mënyrë, kundërmësymja e Venedikut përfundoi në korrik 1405 me ripushtimin e Shkodrës e të Drishtit, si dhe të Ulqinit, Tivarit e të Buduës. Megjithatë, të ndërgjegjshëm për mbështetjen që kishte në të gjithë atë trevë Balsha III, i cili në shkurt-mars 1407 rifilloi sulmet kundër tyre, venecianët u treguan të gatshëm t’i ofronin atij një paqë. Me ndërmjetësinë e Niketë Topisë, vjehrrit të Balshës, paqja u nënshkrua në qershor 1408 në kishën e Shën Laurentit, jashtë mureve të Durrësit. Garantë të paqes ishin ndër të tjerë Niketë Topia, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Kastrioti e Merksha i Vlorës. Venediku pranoi t’i lëshonte Balshës Buduën me rrethina, si dhe viset e Tejbunës. Venediku pranoi t’i jepte Balshës III një provizion vjetor prej 1 500 dukatësh. Të dyja palët u morën vesh të bënin një amnisti të përgjithshme dhe të shkëmbenin robërit e luftës.
Por Venediku nuk vonoi t’i shkelte kushtet e paqës. Në vitin 1410 ai nënshkroi një paqe të shumëkërkuar me osmanët. Provizionin që i paguante si Gjergjit II Balshës, edhe Balshës III për qytetin e Shkodrës Venediku ua kaloi osmanëve. I mbështetur nga popullsia e pakënaqur e viseve të Shkodrës, të Ulqinit e të Tivarit dhe nga mjaft krerë shqiptarë, që u bashkuan me të, Balsha III rifilloi sulmet mbi zotërimet e Venedikut. Një flotë e tij arriti, madje, të depërtonte në Bunë dhe të futej në liqenin e Shkodrës në mars 1410. Megjithëse të mbështetur nga komandanti osman i Shkupit, Bajaziti, venecianët nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të Balshës, që mbështetej nga kryengritja që kishte përfshirë gjithë trevat veriperëndimore shqiptare. Me porosi të Senatit, kapiteni i flotës së Adriatikut, Pjetër Loredani, i ofroi Balshës kushtet e paqes të vitit 1408. Por ndërkohë pozitat e këtij të fundit ishin forcuar së tepërmi. Mjaft nga krerët shqiptarë të malësive të Buduës, të Tivarit e të Shkodrës qenë bashkuar me të. Njëherësh, sundimtari i fuqishëm i Bosnjës, Sandali, që ishte bërë njerku i tij pas martesës me nënën e Balshës, Helenën (dhjetor 1411), filloi të bënte presion mbi Venedikun që t’i kthente zotërimet atërore thjeshtrit të tij. Si rrjedhim, brenda vitit 1412 Balsha mundi të shtinte në dorë qytetet e Tivarit e të Shkodrës. Venedikut s’i mbetej tjetër veçse të ulej në tryezën e bisedimeve me sundimtarin shqiptar. Në paqen e arritur midis tyre në nëntor 1412 Balshës i njihej e drejta e zotërimit të Buduës, të Ulqinit e të Tivarit (por duhej të linte Shkodrën) kundrejt dhënies së provizionit vjetor prej 1 000 dukatesh. Balsha, nga ana e tij, zotohej të hiqte dorë nga çdo pretendim tjetër territorial, të pushonte sulmet mbi kështjellat dhe njerëzit e Venedikut dhe të mos hakmerrej ndaj shtetasve të tij që kishin bashkëpunuar me këtë të fundit. Në fakt, Balsha II nuk iu përmbajt kësaj klauzole të fundit. Ai zuri, vrau, gjymtoi dhe torturoi mjaft burra nga bashkësitë e Hotëve, Tuzëve, Bitidosëve, Matagushëve. Nga ana tjetër, ai ndihej aq i fuqishëm sa të vazhdonte të sulmonte anijet, karvanet e deri forcat e kështjellat e Venedikut. Në fillim të vitit 1419 Balsha III rrethoi Drishtin dhe qyteti, veç kështjellës së sipërme, u mor prej tij në qershor të po atij viti. Ndihma që osmanët i dërguan sakaq garnizonit venecian të Drishtit (rreth 8 mijë ushtarë) nuk luajti rol. Më 25 gusht 1419 garnizoni venecian i qytetit me podestan Korrer në krye iu dorëzua sundimtarit shqiptar, i cili e vazhdoi paskëtaj mësymjen në Shkodër, duke shtënë në dorë territorin jashtë qytetit. Oferta që ai i bëri Republikës për të nënshkruar një paqe kundrejt lëshimit të Shkodrës nuk u pranua nga kjo e fundit. Në fund të vitit 1420 Balsha III sulmoi Kotorrin, rival i përhershëm i Balshajve, që po atë vit kishte pranuar sundimin e Venedikut. Ndihma që Balsha priste t’i vinte nga veriu prej njerkut të tij, Sandalit të Bosnjës, nuk u duk dhe, në betejën e ashpër që u zhvillua në janarin e vitit 1421 jashtë mureve të qytetit, ushtria e Balshës u thye keqas. Disa muaj më vonë pinjolli i fundit i Balshëve vdiq (26 prill 1421) pa mundur të rikrijonte zotërimin e pavarur të paraardhësve të tij të mëdhenj.
Dukagjinët dhe shtrirja e tyre
Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë qenë një familje fisnike e rëndësishme, prandaj emrin familjar të tyre e trashëguan ndër shekuj rajone të gjera fushore e malore të Shqipërisë së Epërme, si edhe e drejta dokesore shqiptare e këtyre viseve. Për ta kanë qarkulluar edhe gojëdhëna mesjetare, të cilat, pavarësisht nga sfondi fantazist i tyre dhe kronologjia e gabuar që kanë, dëshmojnë se Dukagjinët kanë qenë një familje e vjetër fisnike, e cila ka ndikuar në jetën politike shqiptare, madje edhe më tej.
Në një kronikë raguzane është dhënë një gojëdhënë, sipas së cilës në shek. VII Dukagjinët kishin shkaktuar kryengritje në Bosnjë dhe dy herë kishin ndërhyrë në Raguzë. Një gojëdhënë e dytë gjendet në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Sipas saj Dukagjinët rridhnin nga një njeri me prejardhje trojane i vendosur në Francë, që quhej Dukagjin. Ky ishte nisur me kryqtarë të tjerë nga Franca për të çliruar Jeruzalemin, por, me të arritur në Shqipëri, Dukagjini pushtoi Zadrimën, krahinat rreth saj dhe u bë sundimtar i tyre. Gojëdhëna vijon me vrasjen e Dukagjinit prej vasalëve të vet dhe tregon se si djali i tij i mitur u fsheh për të rimarrë më pas zotërimet atërore.
Mbiemri Dukagjin përbëhet nga dy emra vetjakë: Dukë dhe Gjin. Këta emra gjatë mesjetës kanë qenë shumë të përhapur te shqiptarët si emra vetjakë e familjarë, gjithandej ku ata banonin. Ka studiues që mbiemrin Dukagjin e lidhin me titullin e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Sipas tyre mbiemri Dukagjin lidhet me një personazh historik, me “dukën arbër Gjin Tanushin” (dux Ginius Tanuschius Albanensis), i cili në një dokument të vitit 1281 përmendet si kundërshtar dhe i burgosur politik i pushtetit anzhuin në Shqipëri. Vetëm pas një shekulli shfaqet për herë të parë emri familjar Dukagjini. Këtë mbiemër (llagap) e kanë mbajtur gjatë shek. XV një varg njerëzish të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Dukagjinët kanë pasur edhe një mbiemër të dytë, Perlati, që është përdorur vetëm një herë, në një dokument të vitit 1402.
Nëpërmjet shqyrtimit të burimeve historike njihen dy degë fillestare të pemës gjenealogjike të Dukagjinëve, të cilave ende nuk u dihet prindi i përbashkët.
Emri familjar Dukagjini del për herë të parë në një dokument raguzan të vitit 1377 për një njeri me disa mbiemra “Nikollë Stefan Tuderoviç Dukagjini” (Nicolaus Stephani Tuderovich Ducaghin). Ky mund të jetë paraardhësi i njërës degë fillestare të Dukagjinëve. Përfaqësuesi i sigurt i njërës degë është Gjergji, që përmendet në vitin 1403 si proniar i dy fshatrave pranë Lezhës (Balldre dhe Kakarriq) dhe si komandant i një trupe prej 40 kalorësish dhe njëqind këmbësorësh. Gjergji ka vdekur para vitit 1409 dhe, sipas Gjon Muzakës, ka pasur tre djem (Gjergjin, Tanushin dhe Nikollën). Dokumentet e kohës japin vetëm njërin prej tyre, Nikollën. Emri i Nikollës del në vitin 1409. Ai në fillim të viteve 30 u ngrit në luftë kundër serbëve dhe osmanëve dhe i dëboi ata nga Deja. Më pas mori pjesë në kryengritjen çlirimtare të vitit 1443 dhe në Kuvendin e Lezhës, ku u bë personazh politik i rëndësishëm i vendit. Nikollë Dukagjini ka vdekur gjatë viteve 1452-1454. Djemtë e tij, Draga dhe Gjergji, nuk arritën të kishin veprimtari politike, sepse në vitin 1462 u vranë. Si pasardhës i vetëm i tyre mbeti djali i mitur i Gjergjit, Nikolla, i cili hyri në shërbim të Venedikut.
Emrat e paraardhësve të degës tjetër të Dukagjinëve janë shkruar në një dokument raguzan të vitit 1387. Në të është treguar se vëllezërit Lekë e Pal Dukagjini ishin zotër të Lezhës dhe se ata u siguronin raguzanëve kalimin nëpër trevat e tyre shqiptare.
Pal Dukagjini ka vdekur para vitit 1393 dhe la pesë djem: Tanushin e Vogël, Progonin, Palin, Andrean dhe Gjonin. Pali përmendet vetëm në një dokument të vitit 1402, ku dëshmohet se gjatë kthimit nga Venediku, ai është vrarë në Dalmaci. Kurse emrat e Progonit dhe të Tanushit të Vogël janë shënuar për herë të parë në të njëjtin dokument (1393). Progoni ka vdekur në vitin 1394, kurse Tanushi i Vogël para vitit 1433. Ky ka qenë së bashku me Gojçin Gjurashin dhe Kojë Zaharinë për të mbrojtur tokat shqiptare nga pushtimi serb i Despotatit të Rashës. Andrea del në vitin 1406, kur Venediku i riktheu një dajlan në Shkodër, që e kishte marrë me ankand. Po me koncesion të Venedikut ai kishte edhe prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Në fillim të vitit 1416 Andrea përmendet si i vdekur, kurse vëllai i tij, Gjoni, ishte prift dhe kishte prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Emri i Gjonit përmendet për herë të fundit më 1446. Koncesionet e Venedikut për pronat zakonisht trashëgoheshin. Prandaj Andrea duhet të ketë pasur djalë sipërmarrësin Budomir, i cili në vitet 20 të shek. XV ishte qiramarrës i dajlaneve të Shkodrës dhe, krahas tregtimit të peshkut, merrej edhe me tregtinë e metaleve që prodhoheshin në Kosovë dhe që përdoreshin gjerë në jetën e përditshme. Kështu, me argjendin e Kosovës, krahas monedhave dhe zbukurimeve, bëheshin edhe objekte të tryezës së ngrënies, si lugë, kupa, poçe, tasa etj. Një pasardhës i tyre, Budomiri, mori pjesë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës më 1478. Pas rënies së qytetit gruaja dhe tre fëmijët e tij u strehuan në Venedik.
Të dhënat burimore të drejtpërdrejta për degët gjenealogjike të Dukagjinëve, mund të plotësohen edhe me të dhëna të tërthorta. Gjatë viteve 30 të shek. XV shfaqet Vukë Dukagjini si figurë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës, të cilit iu bënë dhurata nga administrata shtetërore e Raguzës në vitin 1433. Veç këtij, dalin edhe banorë të tjerë të qytetit të Shkodrës me mbiemrin Dukagjini, që janë dërguar herë pas here në Venedik si përfaqësues e mbrojtës të interesave të bashkësisë shkodrane pranë autoriteteve shtetërore veneciane. Njëri përmendet në vitin 1431 vetëm me emrin familjar Dukagjini, një tjetër, Teodor Dukagjini, në vitin 1458 është dërguar në Venedik etj. Ngarkimi i Dukagjinëve me misione të tilla të rëndësishme nga bashkëqytetarët tregon se ata respektoheshin shumë prej tyre dhe se ishin të arsimuar dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja. Dy Dukagjinët e parë (që mund të jenë i njëjti njeri, Vuku), duhet të jenë djem të Budomirit. Për Teodorin nuk dihen lidhjet familjare; ai mund t`i përkiste edhe degës së mësipërme ose një dege tjetër, sepse mund të ishte nip i Tanushit të Madh. Teodori është vrarë në luftë për mbrojtjen e Shkodrës gjatë vitit 1478.
Dega gjenealogjike e Lekë Dukagjinit ka lënë shumë gjurmë në jetën politike të Shqipërisë gjatë shek. XV. Vetë Leka ka të njëjtin vend në burimet historike sa edhe vëllai i vogël i tij, Pali. Të dy këta përmenden bashkë si zotër të Lezhës (1387) dhe si të vdekur (1393). Leka la pas dy djem dhe një vajzë: Progonin, Tanushin e Madh dhe Boksën, e cila u martua me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë.
Progoni dhe Tanushi i Madh, në emër të tyre dhe të dy djemve të xhaxhait të vdekur, Palit (djem të të cilit ishin Tanushi i Vogël dhe Progoni), i dorëzuan Lezhën Venedikut në vitin 1393. Progoni u martua me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, dhe u vu në shërbim të Venedikut si kështjellar i Shasit, ku mbeti i vrarë para vitit 1402. Tanushi i Madh u vendos familjarisht në Shkodër, u emërua vojvodë i rrethinave të saj dhe më pas pati mosmarrëveshje me autoritetet veneciane të qytetit. Për këtë shkak dhe me akuza të trilluara për bashkëpunim me osmanët, edhe pse ishte një personalitet që gëzonte autoritet në Shqipëri, Tanushi i Madh u burgos, u torturua, u dërgua si i dënuar në Venedik dhe, për mungesë provash fajësie, iu rikthyen pasuritë e konfiskuara. Megjithatë, më 1438, ai u internua në Padovë dhe pas këtij viti nuk ka të dhëna për jetën e tij.
Tanushi i Madh ka pasur në vitin 1435 katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza: Palin, Lekën, Kalen dhe një vajzë të vogël 14-vjeçare, emrin e së cilës nuk e përmend. Dy djemtë e tij, edhe pse ishin fëmijë të ligjshëm, janë cilësuar nga Gjon Muzaka si Dukagjinë “jo të vërtetë” për shkak të kundërshtive që lindën në gjirin e Dukagjinëve. Më i vogli i djemve, Leka, nuk del si figurë politike e rëndësishme. Ai ka lindur në vitin 1420 dhe për herë të fundit përmendet në vitin 1451 si kundërshtar i Venedikut. Nuk dihet nëse ka lënë pasardhës. Vëllai i tij, Pali (1411-1458), për të cilin Gjon Muzaka rrëfen se është edukuar pranë Gjon Kastriotit, ka qenë aktiv në jetën politike. Ai ka marrë pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe që në fillim është bashkuar me Skënderbeun. Pali ka pasur katër djem: Lekën, Nikollën, Progonin dhe Gjergjin. Emri i Gjergjit del vetëm në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Progoni përmendet në vitin 1471 si i vdekur. Leka u bë personazh i rëndësishëm i jetës politike të Shqipërisë. Në vitin 1456 ai i dëboi qeveritarët venecianë nga Deja e nga Shasi, u bë bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe vijoi luftën kundër osmanëve edhe në vitet 70. Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët (1479), Leka dhe vëllai i tij, Nikolla, mërguan në Itali dhe u rikthyen në vitin 1481 për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Leka ka pasur ndikim të madh te banorët e Shqipërisë së Epërme. E drejta dokesore shqiptare lidhet me emrin e tij. Një pasardhës i vëllezërve Dukagjini, që jetonte në Itali, Progoni, në vitin 1501 është kthyer në atdhe për të udhëhequr kryengritjen antiosmane që shpërtheu në Shqipërinë e Epërme. Më pas ai bëri marrëveshje me osmanët dhe mori prej tyre titullin e pashait, si edhe qeverisjen e një pjese të zotërimeve të Dukagjinëve.
Krahas Dukagjinëve të mësipërm, të cilëve drejtpërdrejt ose tërthorazi u njihen degët gjenealogjike, në dokumentet e shek. XV dalin edhe njerëz të tjerë me mbiemrin Dukagjini. Në Durrës jetonte Rask Dukagjini, për të cilin dokumente të vitit 1408 dhe 1410 tregojnë se ishte rrogëtar i Venedikut dhe me një trupë kalorësish të vet ruante dhe mbronte Durrësin. Në Raguzë ka banuar Stipan Dukagjini, i cili në vitin 1408 ka lënë testamentin e vet. Stipani duhet të ketë qenë pronar kopshtiesh në Raguzë, sepse në vitin 1406 përmendet një pronar i tillë vetëm me mbiemrin Dukagjini, që mbante shërbyese në shtëpi. Në letra të papës përmenden gjatë vitit 1492 Luka dhe Stefan Dukagjini, kurse në vitin 1499 del një tjetër Dukagjin si pronar i një anijeje që transportonte drithë nga Pirgu në Kotorr.
Vetëm një herë fjala Dukagjin është gjetur si emër vetjak në një dokument të vitit 1446 për një banor të fshatit Mogulsi, Dukagjin Mogulsi. Gjatë shekujve që pasuan emri familjar Dukagjini vijoi të përdorej te shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare.
Disa anëtarë të familjes së madhe fisnike Dukagjini u islamizuan dhe në shek. XV ata arritën të zinin poste shumë të larta në administratën osmane. Gjatë shek. XVI në tërë Perandorinë Osmane shkëlqyen edhe dy poetë, Jahja Beu dhe Ali Beu, që i shkruan veprat e tyre osmanisht. Në këto vepra ata kanë shënuar edhe emrin familjar të tyre, Dukagjini, që dëshmon edhe përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare.
Dukagjinët kanë pasur si stemë të tyre një shqiponjë të bardhë njëkrenore. Ata kanë gëzuar vend parësor në radhët e fisnikërisë vendase dhe janë respektuar nga elita drejtuese shqiptare gjatë shekujve të mesjetës. Këtë e dëshmojnë lidhjet martesore, edhe pse njihen pak prej tyre.
Djali i Lekë Dukagjinit, Progoni, ishte martuar me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, ndërsa vajza e Lekës, Boksa, ishte martuar me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë. Në Përkujtesën e Gjon Muzakës përmenden disa lidhje martesore të Dukagjinëve me Muzakajt dhe me Arianitët. Gjon Muzaka ka shkruar se kishte për grua Marie Dukagjinin, por nuk ka treguar atësinë e saj. Motra e tij, që ishte martuar tek Arianitët, Suina, e ka martuar vajzën e saj, Jelën, me “Lekë Dukagjinin, të quajtur Kolë Dukagjini”, pa treguar atësinë e këtij. Po sipas Gjon Muzakës, tri vajza të Gjergj Arianitit, Kiarina, Elena dhe Dhespina, ishin martuar përkatësisht me Nikollë Dukagjinin, Gjergj Dukagjinin dhe Tanush Dukagjinin. Një motër e tij ishte martuar me Pal Dukagjinin.
Trojet e Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Epërme. Ato kanë ndryshuar duke u zgjeruar ose duke u ngushtuar, në varësi të jetës së trazuar politike të shek. XIV-XV. Dukagjinët kanë qenë një familje e madhe fisnike. Në krye të tyre kanë qëndruar një ose dy persona, të cilët janë zëvendësuar nga pinjollë të tjerë më energjikë. Trojet e tyre Dukagjinët i kanë administruar herë si zotër të pavarur dhe herë si vasalë të sundimtarëve më të fuqishëm.
Për sa kohë që në shtetin e Balshajve janë përfshirë trojet e Dukagjinëve, këta nuk përmenden në dokumentet e kohës. Pas betejës së Savrës të vitit 1385, që çoi në rrudhjen e shtetit të Balshajve, Dukagjinët dalin si zotër të pavarur në Lezhë dhe zhduket anonimiteti i tyre. Në vitin 1387 ata kanë ftuar tregtarët raguzanë të kalonin nëpër trojet e tyre. Kjo dëshmon se nën pushtetin e Dukagjinëve ishin krahinat përgjatë rrugës së rëndësishme Lezhë-Prizren, si edhe të dy këto qytete. Praninë e pushtetit të tyre në Prizren e dëshmon, sipas rrëfimit të Marin Barlecit, përmendorja e ngritur në këtë qytet në përkujtim të Nikollë Dukagjinit. Në veri të trojeve të Dukagjinëve kanë qenë trojet e dhëndrit të tyre, Kojë Zaharisë. Kështu Dukagjinët kanë zotëruar për një periudhë kohe, ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte nga Deja, përpjetë rrjedhjes së Drinit për në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata duhet të kenë zotëruar edhe Pejën.
Vërshimi i ushtrive osmane në Shqipërinë e Epërme dhe pushtimi përkohësisht prej tyre në vitin 1393 i Krujës, i Ulqinit, i Shkodrës dhe i Dejës, ndonëse Dukagjinët arritën ta mbronin Lezhën dhe dolën kështu si forcë antiosmane, i dobësoi pozitat e tyre si zotër të pavarur. Prandaj Lezhën ata ia dorëzuan Venedikut në vitin 1393 dhe bashkë me të Dukagjinët humbën kontrollin e rrugës Lezhë – Prizren, por jo ndikimin e tyre në këtë rajon.
Rruga e mësipërme dhe krahinat përgjatë saj, me miratimin e pushtuesve osmanë, kaluan në duart e Dhimitër Jonimës, i cili i kishte ndihmuar ata për pushtimin e Shkodrës. Jonimët ishin një familje e vjetër fisnike. Një pinjoll i saj përmendet për herë të parë në fillim të shek. XIII si vasal i princit Dhimitër të Arbrit dhe një Jonimë i dytë shfaqet në fund të atij shekulli si sebast që, bashkë me disa fisnikë të tjerë shqiptarë, kishte nënshkruar një marrëveshje (1274) me mbretin e Sicilisë, Karlin I Anzhu. Pas një shekulli, në vitin 1394, burimet historike na japin fisnikun e fuqishëm me emrin Dhimitër Jonima. Ky kishte dy kështjella, emrat e të cilave nuk njihen, portin dhe qendrën doganore të Shufadasë në grykëderdhjen e Matit dhe një forcë ushtarake prej dyqind kalorësish e katërqind e më shumë këmbësorësh. Në veri zotërimet e Dhimitrit ishin në kufi me trojet e Kojë Zaharisë. Duke njohur ndikimin që kishin Dukagjinët në këtë rajon, Dhimitër Jonima krijoi marrëdhënie të mira me ta dhe u bë shprehës edhe i kërkesave të tyre pranë kancelarive të huaja, sidomos ndaj Venedikut. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie të mira edhe me fqinjin e tij të fuqishëm, Gjon Kastriotin. Për herë të fundit, Dh. Jonima përmendet si zot i Shufadasë më 1409, vit kur ai duhet të ketë vdekur. Paskëtaj Shufadaja dhe krahinat përgjatë rrugës Lezhë-Prizren janë përfshirë tërësisht në shtetin e Gjon Kastriotit. Ky e ruajti bashkëpunimin me ata anëtarë të familjes Jonima që mbetën në zonën e Lezhës, sepse shumica e tyre jetonin në rajonin e Shkodrës. Dhimitër Jonima është përmendur edhe pas vdekjes. Një pjesë e zotërimeve të tij janë regjistruar në kadastrat osmane të mëvonshme me emrin vilajeti i Dhimitër Jonimës.
Një vit pas vdekjes së Dhimitër Jonimës, më 1410, janë bërë përpjekje të pasuksesshme që Lezha të kalonte në duart e Tanush Dukagjinit. Pas kësaj veprimtaria politike dhe ekonomike e Dukagjinëve është përqendruar kryesisht në rajonin e Shkodrës, ku gjendeshin edhe familje të tjera fisnike, si Spanët, Jonimët, Zahariajt etj.
Në veprimtarinë politike të Zahariajve ka pasur një peshë të veçantë Boksa Dukagjini, gruaja e Kojë Zaharisë. Për herë të parë emri i familjes fisnike Zaharia del në vitet 1318-1320 te peshkopi i Shasit. Pas peshkopit, burimet historike na njohin në fund të shek. XIV me Kojë Zaharinë. Veprimtaria politike e Kojës është e ngjashme me atë të Dhimitër Jonimës dhe të dy këta kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Koja përmendet në vitin 1396 si zot i kështjellës së Shasit, dhe, më pas, si zot i Dejës e i ngushticave të rrugës përgjatë Drinit. Zotërimet e Kojë Zaharisë kufizoheshin në lindje me viset e pushtuara nga osmanët. Koja ka qenë vasal i tyre dhe kundërshtar i despotëve serbë të Rashës. Koja ka pasur një djalë, Lekën.
Në këto treva shqiptare janë ndërthurur interesat e Zahariajve me ato të Dukagjinëve, që kufizoheshin me njëri-tjetrin. Ndërmjet këtyre dy familjeve fisnike, që jo rastësisht kanë qenë në krushqi, përgjithësisht ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë. Pas vdekjes së Lekë Zaharisë në vitin 1444, meqenëse djali i tij, Koja, ishte i mitur, gjyshja e këtij, Boksa, doli në krye të familjes. Ajo kërkoi mbështetjen e Venedikut, duke i dorëzuar Republikës së Shën Markut Dejën, Shasin etj. Zotërimet që mbetën nga trashëgimia e Lekë Zaharisë kaluan në duart e Dukagjinëve. Këta morën në zotërim rrugën tregtare dhe krahinat përgjatë luginës së lumit Drin, si edhe një pjesë të konsiderueshme të Rrafshit të Dukagjinit. Përkohësisht këto krahina ishin pushtuar nga Despotati i Rashës dhe, pas shembjes së tij më 1439, u rimorën nga Zahariajt e Dukagjinët.
Në veri të Dukagjinëve dhe të Zahariajve shtriheshin trojet shqiptare të Spanëve, që kanë qenë familje fisnike shumë e madhe. Emri familjar i tyre shfaqet për herë të parë në vitin 1322 te një shkodran. Në radhët e Spanëve kishte pronarë tokash, tregtarë, klerikë etj. Mbiemrin e tyre e mbanin edhe një varg familjesh të thjeshta. Si veçori e përbashkët e familjeve Spani, krahas mbiemrit, ishte se thuajse që të gjitha ato banonin në krahinat pranë Rrugës së Gentës. Spanët kanë jetuar në qytetet dhe në krahinat e Shkodrës, Drishtit, Pultit, Pejës, Trepçës etj. Një trevë në veri të lumit Drin del në dokumentet e fundit të shek. XV me emrin e përfaqësuesit më në zë të kësaj familjeje, Pjetër Spanit (nahija e Pjetër Spanit), i cili ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës.
Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve, Zahariajve e Spanëve, në Shqipërinë e Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të tjera me peshë në jetën politike shqiptare, veçanërisht gjatë shek. XV. Këto familje kanë qenë Gjurashët (Cërnojeviçët), Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët etj.
Të gjitha këto familje shqiptare kanë dalë në skenën politike në një periudhë shumë të trazuar, të shkaktuar prej ndërhyrjeve e pushtimeve të shteteve të huaja. Gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, për jetën politike të Shqipërisë së Epërme kanë qenë si më rrënimtare dy shtete: Perandoria Osmane dhe Despotati i Rashës, që ishte shtet vasal i të parit, madje një nga gratë e sulltan Muratit II ka qenë edhe vajza e despotit serb. Pas vdekjes së Balshës III (1421), sundimtarët serbë, deri më 1439 kur u shkatërrua Despotati i Rashës, i zhvendosën kufijtë dhe dolën në bregdetin shqiptar, nga Kotorri deri në Tivar, si edhe në rrethinat e Shkodrës, ku pushtuan Drishtin. Përballë fuqisë ushtarake të papërballueshme osmane një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim të rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë (zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën), Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.
Shteti i Gjon Kastriotit
Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese më e rëndësishme e jetës politike dhe ushtarake të Shqipërisë në shek. XV.
Për pemën gjenealogjike, vend-origjinën dhe veprimtarinë e Kastriotëve gjatë shek. XIV dihet fare pak. Prandaj, për këto çështje, mendimet e historianëve kanë qenë të ndryshme.
Për herë të parë përmendet një Kastriot në vitin 1368 si kështjellar i Kaninës. Ka studjues që shohin te ky kështjellar një paraardhës të Kastriotëve të mëvonshëm, që është dëbuar nga pronat e veta. Një mendim i tillë duhet pranuar si supozim, sepse nuk ka lidhje me të dhënat për Kastriotët që japin më pas burimet historike. Prej disa familjeve shqiptare, që emigruan në Itali, Kastriotët njihen edhe me një mbiemër të dytë: Mazreku.
Sipas dy historianëve më të hershëm shqiptarë, Marin Barlecit e Dhimitër Frëngut, Kastriotët ishin nga Mati që, sipas mendimit të kohës, shtrihej deri në bregdet. Në këtë përfundim ata janë nxitur nga pozicioni gjeografik kyç i trevës së Matit, si vend-kryqëzimi i rrugëve që lidhnin krahinat e ndryshme të shtetit të Kastriotëve si në kohën e Gjon Kastriotit, ashtu edhe në atë të Skënderbeut. Kurse periudhave më të hershme të veprimtarisë së familjes Kastrioti autorët e sipërpërmendur nuk i kanë kushtuar vëmendje, aq sa në veprat e Marin Barlecit e të Dhimitër Frëngut nuk përmendet as emri i gjyshit të Skënderbeut. Kurse një autor tjetër shqiptar, bashkëkohës me dy të parët, Gjon Muzaka, ka rrëfyer se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal dhe se, sipas tij, kishte qenë proniar i dy fshatrave të Dibrës së Poshtme, Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm, rrëfim ky që mund të merret me një farë rezerve. Tregimi i mësipërm i Gjon Muzakës ka shërbyer si argument kryesor për ndonjë historian të ditëve tona që Dibrën ta konsiderojë si vendorigjinën e Kastriotëve. Po ashtu, si Marin Barleci, edhe Gjon Muzaka ka shënuar se Gjon Kastrioti ka pasur në zotërim Matin. Dhimitër Frëngu ka shkruar se Kastriotët zotëronin edhe Ujmishin. Tre autorët e mësipërm i shkruan veprat e tyre në fillim të shek. XVI dhe larg Shqipërisë, kur jetonin si emigrantë në Itali. Më pas, në vitin 1553, një tjetër shqiptar, Andre Engjëlli, ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka qenë i biri i “Gjergj Kastriotit” dhe ky i “Kostandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku” që kishte vdekur në vitin 1390.
Vepra e Gjon Muzakës është më e saktë dhe më e besueshme se ajo e A. Engjëllit, prandaj thuajse të gjithë studiuesit e sotëm mendojnë se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal.
Përveç autorëve të mësipërm, është edhe një autor tjetër i mëvonshëm, por shumë i rëndësishëm, sepse ka jetuar në Shqipëri, kleriku i ndritur shqiptar, Frang Bardhi. Në vitin 1636 ai botoi një vepër polemizuese për të mbrojtur origjinën shqiptare të Skënderbeut, kundër përpjekjeve të J. Marnoviçit për ta nxjerrë atë me origjinë sllave. Në veprën e tij Frang Bardhi i ka kushtuar një vend të veçantë përcaktimit të vendorigjinës së Kastriotëve. Pas një parashtrimi polemik të çështjes ai arrin në përfundimin se Kastriotët ishin nga Hasi i Prizrenit, se kështu është në “pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë”. Kjo frazë e veprës së F. Bardhit i jep mendimit të tij për Hasin si vendorigjinën e Kastriotëve vlerën e një burimi historik të dorës së parë. Për më tej ai shpjegon edhe origjinën e emrit familjar të Kastriotëve, duke e lidhur atë me emrin e fshatit Kastrat, që gjendej buzë lumit, dhe tregon se në kohën e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin e fshati Kastrat. Për vendorigjinën e Kastriotëve nga Hasi i Prizrenit dëshmojnë gjithashtu edhe kronisti raguzan Lukari (vepra e të cilit është botuar në vitin 1605), si dhe shënimet e fundit të shek. XV të një kleriku boshnjak, të botuara për herë të parë në vitin 1892. Po kështu mbiemri i dytë, Mazreku, i Kastriotëve si dhe pronat e tyre, Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend A. Engjëlli, gjenden në mikrotoponiminë e shek. XVII dhe të sotme të Hasit (Kastrat dhe Mazrek) dhe të Lumës (Ujmisht që përmendet edhe nga Dh. Frëngu). Në përforcim të këtyre vjen edhe një dëshmi e fillimit të shek. XIX se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi Mihal Kastrioti, që flet për praninë e ruajtjen ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën e Hasit nga e kishin origjinën Kastriotët. Edhe tiparet fizike të Kastriotëve, siç ishin ato të Skënderbeut dhe të nipit të tij Ferrandit, të cilëve u njihen deri diku mirë, mbështesin origjinën hasiane të tyre.
Pranimi i Hasit si vendorigjina e familjes Kastrioti nuk e bën të pashpjegueshme pse më pas përfaqësues të kësaj familjeje, si degë të pemës gjenealogjike të saj, do të shfaqen si proniarë e zotër në viset e tjera të Shqipërisë, si në Dibër, në Mat etj. Gjatë shek. XV e më pas, edhe në këto krahina kishte banorë me mbiemrin Kastrioti. Çështja e origjinës së Kastriotëve ka të bëjë me një periudhë më të hershme nga ajo që nis me gjyshin e që vazhdon me të atin e Skënderbeut. Të shtrira gjatë një harku kohorë të tillë mendimet për vendorigjinën e Kastriotëve, që japin autorët e hershëm shqiptarë si M. Barleci, Dh. Frëngu, Gj. Muzaka, A. Engjëlli dhe F. Bardhi, si dhe burime të tjera historike, nuk kanë kundërshti ndërmjet tyre, por shfaqen si dëshmi në vijim që flasin për kohë të ndryshme dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. F. Bardhi flet për periudhën më të hershme, për trungun gjenealogjik të familjes kur ishte në Has, Gjon Muzaka përmend emrin e gjyshit të Skënderbeut, Pal Kastriotin, duke treguar dy fshatrat që kishte si pronia në Dibër, kurse M. Barleci dhe Dh. Frëngu flasin për pasardhësin e Palit, Gjon Kastriotin dhe zotërimet që kishte ky.
Pozita shoqërore e familjes Kastrioti u fuqizua si rrjedhojë e përpjekjeve të pinjollëve të ndryshëm të saj, disa prej të cilëve kjo rrugë i shtriu përtej vendorigjinës së tyre. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, sipas Gjon Muzakës, kishte dy fshatra si feud në Dibër. Kurse i biri i Pal Kastriotit, Gjoni, krijoi një nga shtetet më të rëndësishme në Shqipëri që, në hapësirat e tij, përfshiu edhe krahinat e përmendura nga M. Barleci, Gj. Muzaka, Dh. Frëngu etj.
Dëshmitë historike për fillimet e shtetit të Kastriotëve thuajse mungojnë, një realitet i përgjithshëm ky për historinë tonë mesjetare, sidomos për viset lindore shqiptare.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti. Në këtë periudhë zotërimet e tij duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës, sepse, sipas M. Barlecit dhe Gj. Muzakës, Gjon Kastrioti qe martuar në atë kohë me Vojsavën (Jellën, sipas një dokumenti raguzan të vitit 1439), vajzë e një dere fisnike të rëndësishme pranë Shkupit. Nga nëntë fëmijët që lindi Vojsava dhe që arritën moshën madhore, shtatë kishin lindur para vitit 1405.
Zgjerimi e fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit përkoi me rënien e dy shteteve kufitare me të, të Balshajve e të Topiajve, dhe sidomos pas dobësimit të fuqisë ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ushtria e saj pësoi një disfatë të rëndë prej trupave mongole në betejën e Ankarasë të vitit 1402. Gjatë këtij viti (1402), zotërimet e Gjon Kastriotit u shtrinë në drejtim të viseve bregdetare dhe u bënë kufitare me ato të Venedikut. Që nga viti 1406 Gjon Kastrioti shfaqet si një partner i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetet e huaja, ambasadorët e tij shkonin në Venedik, Raguzë e në vende të tjera dhe ai cilësohej prej tyre si zot “shumë i fuqishëm”, “i madhërishëm” etj. Ndërkohë edhe ambasadorë të tyre dërgoheshin pranë Gjon Kastriotit. Pushteti dhe ndikimi i tij mbi zotërit e tjerë ishin të fuqishëm, prandaj më 1408 ai ishte i pranishëm si garant i paqes, që u nënshkrua në rrethinat e Durrësit, midis Venedikut dhe Balshajve.
Shtetin e Gjon Kastriotit e përshkonin rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Ndër to, në rrafshin perëndim-lindje më të rrahurat ishin dy. Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin, që duhet të ketë qenë qendra administrative e shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë qytet të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare shumë të rrahura dhe që shkonin në drejtim të Prishtinës, të Pejës, të Tetovës etj. Traseja e rrugës së dytë kalonte nga bregdeti nëpër krahinën e Matit, vijonte në drejtim të Dibrës dhe ndiqte rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar për të arritur në Shkup. Në dokumentet mesjetare këto dy rrugë janë shënuar me emra të ndryshëm të qyteteve nga ato kalonin: rruga e Lezhës, rruga e Prizrenit, rruga e Prishtinës dhe rruga e Shkupit. Interesat ekonomikë e tregtarë të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve të tij, në Fushë-Dardani, madje edhe përtej Shkupit, ku mund të bliheshin argjend, plumb e hekur si dhe drithë me çmime më të ulëta se në rajonet e tjera, prodhime bujqësore të viseve të ngrohta, si pambuk, oriz, susam etj. Kështu shpjegohen, p.sh., lidhjet e tij me manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, që gjendet në brigjet e detit Egje. Këtij manastiri, Gjon Kastrioti i dhuroi në vitin 1426 dy fshatra nga pronat e veta në rajonin e Gostivarit, i bleu pirgun e Shën Gjergjit (i njohur edhe me emrin Pirgu Shqiptar) dhe në këtë manastir një nga djemtë e tij, Reposhi, e kaloi jetën si murg derisa vdiq më 25 korrik 1431. Në epigrafin e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë.
Për jetën ekonomike e politike të shtetit të Gjon Kastriotit, ashtu si edhe të zotërimeve të fisnikëve të tjerë shqiptarë si dhe ato të Republikës së Venedikut, rëndësi parësore kishin raportet e tyre me kryekomandantin osman të Shkupit dhe, nëpërmjet tij, me sulltanin. Në marrëdhëniet me fqinjin e vet lindor e shumë të fuqishëm ushtarakisht, Gjon Kastrioti duhej të ndiqte një politikë shumë të kujdesshme. Edhe bejlerbeut të Rumelisë i interesonte që deri diku të kishte mirëkuptim me Gjon Kastriotin, sepse në shtetin e tij, nëpër një terren të vështirë e me prita të shumta, kalonin rrugët tregtare më të shkurtra për në brigjet e detit Adriatik, të cilat, në atë kohë, nuk mund të mirëmbaheshin e të ruheshin nga askush tjetër, veçse nga vendasit. Në rrethana të tilla, gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, Gjon Kastrioti arriti të fuste nën bindjen e tij disa familje fisnike të njohura të Shqipërisë së Epërme dhe u bë figura politike kryesore e botës shqiptare të këtyre rajoneve.
Zgjerimet e pushtimeve osmane në viset lindore shqiptare bënë që Gjon Kastrioti dhe familje të tjera fisnike shqiptare të mos ndiheshin të sigurta, prandaj filluan të përforconin veprimtarinë politike të tyre në viset perëndimore, si dhe të zgjeronin lidhjet me forcat antiosmane e shtetet e huaja. Qysh në fillim të shek. XV burimet historike tregojnë se në kufijtë e shtetit të Gjon Kastriotit ishin përfshirë qyteti i rëndësishëm i Prizrenit bashkë me rrethinat e tij, krahinat përgjatë rrugëve Prizren-Prishtinë dhe Prizren-Tetovë, ato të Matit e të Mirditës dhe se ai kishte siguruar dalje në detin Adriatik në afërsi të zotërimit venecian të Lezhës. Në grykëderdhjen e lumit Mat Gjon Kastrioti mori në zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë, kriporet e rëndësishme të Shën Kollit, që më parë kishin qenë në duart e Dhimitër Jonimës, si edhe të gjithë zotërimin e këtij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Gjon Kastrioti synonte të shtrihej në vijën bregdetare së paku deri në grykëderdhjen e lumit Bunë, rajon bregdetar që kontrollohej nga Venediku. Në vitin 1410 Gjoni arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për t’i dhënë fshatin Barbullush dhe Malin Medua (Shëngjinin), ku dëshironte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Zotërimet e tij u bënë kufitare në veri me Despotatin e Rashës dhe në verilindje me rajonin e Prishtinës, banorët e së cilës njihnin taksat doganore që paguheshin për kalimin nëpër shtetin e Gjonit. Në jug zotërimet e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët, përveç Shkupit, zotëronin në perëndim të tij kështjellën e Tetovës. Pjesa më e madhe e fushës përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar e në perëndim të Tetovës për një kohë mbeti nën zotërimin e Gjon Kastriotit, të cilën M. Barleci e ka emërtuar Dibra e Poshtme. Edhe rajonet më në jug ishin pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, kufijtë e të cilit në atë drejtim shtriheshin deri në afërsi të qytetit të Kërçovës, që kishte rënë nën pushtimin osman qysh në fund të shek. XIV.
Shtrirja e gjerë gjeografike e shtetit të Gjon Kastriotit është pasqyruar edhe në burimet historike osmane. Në një dokument të muajit maj të vitit 1438 përmendet regjistri kadastral “i tokave të Gjonit” (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti i Dhimitër Jonimës. Ky regjistër nuk është zbuluar deri tani, sepse, si shumë kadastra të tjera të asaj kohe, mund të jetë zhdukur. Regjistri kadastral “i tokave të Gjonit” duhet të jetë hartuar në pranverë të vitit 1430, gjatë fushatës ushtarake të Isak-bej Evrenozit, ose, më së shumti, njëkohësisht me regjistrin e Sanxhakut Shqiptar, në vitin 835 h. (1431-1432). Administrata osmane hartonte nga një regjistër kadastral të veçantë për çdo sanxhak, të cilët po ashtu si “tokat e Gjonit” kishin disa vilajete si njësi administrative më të vogla. Prandaj edhe shtrirja gjeografike e “tokave të Gjonit” ishte përafërsisht me atë të një sanxhaku.
Pasuritë e shumta që kishin viset e Dibrës së Poshtme e të Prizrenit dhe numri i madh i banorëve që jetonin në to e bënin këtë rajon, i cili formonte pjesën lindore të shtetit të Gjon Kastriotit, të kishte rol vendimtar në veprimtarinë ekonomike, politike dhe ushtarake të tij. Prandaj edhe fëmijët e tij përgjithësisht mbanin emrat karakteristikë të këtij rajoni. Pjesën lindore të shtetit të vet Gjon Kastrioti e zotëronte si funksionar i administratës osmane, sepse vetë ai deklaronte në vitin 1411 se kishte në gatishmëri të përhershme një ushtri të përbërë nga “dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq” dhe kohë pas kohe është shprehur se sulltani ishte kryezot i tij.
Për të gjallëruar sa më shumë lëvizjen e mallrave e të njerëzve në rrugët tregtare që kalonin nëpër zotërimet e Kastriotëve, Gjoni nënshkroi akte me qeveritarët e vendeve të ndryshme, duke u garantuar sigurinë e qarkullimit të mallrave e të tregtarëve të tyre nëpër shtetin e tij. Për të nxitur sa më shumë ardhjen e tyre, ai thjeshtësoi sistemin tatimor dhe vendosi vetëm një taksë doganore për mallrat që tregtarët e huaj do të transportonin nëpër zotërimet e Kastriotëve. Për të garantuar sigurinë e lëvizjes së njerëzve dhe të karvaneve të mallrave nëpër rrugët tregtare, Gjoni vendosi roje nëpër to si dhe nëpër kështjellat që shërbenin për mbrojtjen e tyre, si në ato të Prizrenit, të Gurit të Bardhë, të Stelushit etj. dhe rriti shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve.
Pozicioni gjeografik kyç i shtetit të Gjon Kastriotit e kishte bërë atë një urëlidhje në Shqipërinë Qendrore për të kaluar në rajonet e tjera të Shqipërisë së Epërme e të Poshtme si dhe në rajonet lindore të Shqipërisë, si në Fushë-Dardani dhe në Shkup nëpërmjet rrugës më të shkurtër. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që Gjon Kastrioti të kishte lidhje të shumta familjare e martesore me sundimtarë të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët). Lufta e përhershme e Stefan Gjurashit (Cërnojeviçit) dhe e paraardhësve të tij në rajonin e Gentës kundër despotit të Rashës, Gjergj Brankoviçit, pa dyshim ka qenë e mbështetur dhe e bashkërenduar me aksionet ushtarake të vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, që ky detyrimisht ka ndërmarrë edhe për interesat e veta në rajonet e Shkodrës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushë-Dardanisë kundër armikut të përbashkët, despotit Gjergj. Përballë një lufte me dy fronte të shqiptarëve, Gjergj Brankoviçi dhe paraardhësit e tij kanë qenë të detyruar të tërhiqen dhe të rrudhin kufijtë jugorë të Despotatit të Rashës. Gjon Kastrioti hyri në lidhje ekonomike e politike edhe me vende të huaja, si me Venedikun, Raguzën etj.
Gjon Kastrioti zotëronte një potencial të ndjeshëm ekonomik dhe ushtarak. Të ardhurat kryesore vinin nga sistemi tatimor feudal që nënshtetasit e tij tradicionalisht ishin të detyruar t`i jipnin kryezotit të tyre me prodhime në natyrë, me të holla dhe me punë angari. Ky sistem tatimor është shprehur në një akt-dhurimi të vitit 1426, që Gjon Kastrioti së bashku me djemtë e tij i bënë manastirit të Hilandarit për fshatrat Radostushë dhe Trebisht. Në të thuhet: “duke dhuruar në dobi të manastirit këto dy fshatra, unë i liroj ato nga çdo angari e madhe dhe e vogël, me të gjitha detyrimet për haraçin mbretëror dhe taksat e shtetit dhe të gjitha këto ia jap manastirit të shenjtë: të mos ketë as qefali, as zot, as psarë e të mos japin të dhjetë as për drithë, as për verë, as për mjaltë, as dhuratë në para, as para për kullotë, as për të dhjetë bagëtish, kështu që kisha t`i marrë të gjitha të drejtat mbi këto fshatra sipas ligjit”.
Krahas sitemit tatimor të mësipërm, Gjon Kastrioti siguronte të ardhura të rëndësishme nga doganat, tregtia e drithit, e metaleve, e kripës etj.
Gjon Kastrioti ndoqi një politikë aktive për zgjerimin e fuqizimin e shtetit të tij, me gjithë kushtet e vështira që ishin krijuar prej sulmeve e pushtimeve osmane. Ai forcoi lidhjet me Republikën e Venedikut dhe qysh në vitin 1407 arriti të siguronte prej saj qytetarinë veneciane, e cila, bashkë me fëmijët e tij, iu rinjoh edhe në vitin 1413. Në fillim të vitit 1410 Venediku pranoi kërkesën e Gjon Kastriotit që të kishte banesë në Ulqin dhe, në rast se do të dëbohej nga zotërimet e tij prej osmanëve, ai bashkë me familjen të banonte në atë qytet. Këto lidhje me Venedikun Gjoni i shfrytëzoi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pati në vitin 1407 me peshkopin e Lezhës, i cili kishte gjetur mbështetjen e papës që peshkopatës së Arbrit t`i shkëpuste 12 kisha. Ndërhyrja e Venedikut pranë papës qe efikase për Gjonin. Në vitin 1411 Gjon Kastrioti, kundrejt një shpërblimi të përvitshëm prej një mijë dukatësh, i ofronte Venedikut ndihmë ushtarake me “dy mijë kalorës të tij dhe treqind kalorës turq”, madje edhe më shumë në rast nevoje.
Si çështje parësore e aktivitetit politik të Gjon Kastriotit ishin marrëdhëniet e tij me fqinjët lindorë, pushtuesit osmanë, fuqia ushtarake e të cilëve ishte e papërballueshme prej tij. Siç del nga fraza e dokumentit të vitit 1411, të cituar pak më sipër, Gjon Kastrioti ishte afruar me komandantin osman të Shkupit, Bajazitin, aq sa mund të komandonte edhe 300 kalorës osmanë, e dhënë kjo që lejon të supozohet se ai mund të ketë qenë së paku në postin e subashit të Tetovës. Në kushte të tilla, për të mbajtur në këmbë shtetin e tij Gjon Kastrioti ishte i shtrënguar të pranonte vasalitetin ndaj sulltanit dhe t`i paguante, siç ka shkruar vetë në vitin 1426, “haraçin mbretit”. Si garanci për pranimin e vasalitetit osman, të paktën qysh në vitin 1409, Gjon Kastrioti qe detyruar të dorëzonte peng një nga djemtë e tij, që, me sa kuptohet, ka qenë djali i madh, Stanisha.
Në betejën e Ankarasë, që u zhvillua gjatë vitit 1402 midis trupave mongole dhe ushtrive osmane, këta të fundit pësuan një disfatë të rëndë dhe jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të brendshme për trashëgimin e fronit osman, konflikte që vazhduan afër një dhjetëvjeçar. Gjatë këtyre viteve u dobësua përkohësisht presioni osman, për t`u riaktivizuar pas ardhjes në fron të sulltan Mehmetit I (1413-1421). Ndërkohë zotërimet e Gjon Kastriotit arritën një zgjerim e fuqizim të madh. Këtë e favorizoi edhe qëndrimi i komandantit osman të Shkupit, Bajazitit, i cili nuk ndoqi një politikë pushtimesh, por atë të marrëveshjes me fisnikët shqiptarë. Pas vdekjes së tij në vitin 1414, ai u zëvendësua nga i biri, për veprimtarinë e të cilit është vështirë të thuhet diçka. Gjatë viteve në vijim rol të veçantë në drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake të Pashasanxhakut të Shkupit do të kishin Isak bej Evrenozi dhe i biri i tij, Isa Beu. Evrenozët ishin një familje shumë e pasur. Vetëm në Shkup ata kishin mbi njëqind dyqane. Gjatë disa dhjetëvjeçarëve si ushtarakë të lartë osmanë, Evrenozët u përpoqën të kontrollonin rrugët tregtare të vendit që të fuqizoheshin ekonomikisht gjithnjë e më shumë.
Në fillim të vitit 1415 kaloi në duart e osmanëve Kruja, e cila kishte një pozicion shumë strategjik dhe kontrollonte segmente të rrugëve tregtare që lidhnin Shkupin me bregdetin shqiptar si dhe viset perëndimore të vendit. Prandaj pushtimi i Krujës dëmtoi rëndë interesat e fisnikëve të Shqipërisë Qendrore dhe të Epërme, sepse tani zotërimet e tyre nga çasti në çast mund të pushtoheshin prej osmanëve. Rëndë u goditën edhe zotërimet e Gjonit, sepse osmanët mund të zotëronin rrugën tregtare që kalonte nëpër Mat e Dibër për të arritur në Shkup, e kontrolluar deri në atë kohë prej Kastriotëve. Sidoqoftë, Gjoni u tregua mjaft i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me osmanët. Për të mbrojtur interesat e shtetit të tij dhe për të mënjanuar përplasjen me ta, kur Kruja ra në duart e osmanëve, Gjoni dërgoi djalin e tij të vogël, Gjergjin, si iç-ogllan (pazh) pranë oborrit osman. Në këtë mënyrë ai evitoi për disa vjet konfrontimet me osmanët. Kurse Republika e Venedikut vendosi që t`i jepte një tribut vjetor prej 200 dukatësh subashit turk të Krujës, që ky të mos sulmonte Durrësin dhe të mos prekte kriporet e shumta të këtij qyteti.
Me gjithë përpjekjet e Gjonit për të pasur marrëdhënie sa më të mira me sulltanin, ai nuk hoqi dorë nga masat mbrojtëse. Në nëntor të vitit 1417 Gjoni i kërkoi më kot Venedikut që të përballonin së bashku sulmet e mundshme osmane dhe i premtonte se ishte i gatshëm të vinte në dispozicion të një aksioni të përbashkët të gjithë luftëtarët dhe kështjellat e veta. Në këto rrethana Gjon Kastrioti i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëveprimit me fisnikët shqiptarë.
Kur në vitin 1418 Balsha III i shpalli luftë Republikës së Shën Markut për të rimarrë Shkodrën dhe Drishtin, Gjoni mbajti anën e tij dhe qenë të paefektshme përpjekjet e Venedikut gjatë viteve 1419-1420 për ta larguar atë nga Balsha. Konflikti midis Balshës III dhe Venedikut në rajonin e Shkodrës pengoi lëvizjen e tregtarëve shqiptarë, raguzanë etj. dhe qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës, ku nxirrej e përpunohej ari, argjendi e plumbi dhe ku çmimi i prodhimeve të shumta bujqësore ishte më i ulët në krahasim me çmimet që ato kishin në viset perëndimore. Këto rrethana i shfytëzoi Gjon Kastrioti për të intensifikuar qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës nëpër rrugën tregtare Shufada-Prizren-Prishtinë dhe në atë të Shkupit të kontrolluara prej tij. Në shkurt të vitit 1420 ai nënshkroi një akt-tregtar me Republikën e Raguzës, nëpërmjet së cilës u garantonte tregtarëve të saj lëvizje të sigurt nëpër rrugët e sipërpërmendura. Në mars të vitit 1422 Gjon Kastrioti siguroi edhe miratimin e Venedikut për të lejuar tregtarët raguzanë, që në vend të Shkodrës të vinin në Lezhë për të rrahur rrugët e zotërimeve të tij.
Pas vdekjes së Balshës III, Gjon Kastrioti ndërmori masa të menjëhershme për të mbrojtur interesat e veta politike dhe ekonomike. Në rajonin e Shkodrës, ku kishte zbritur ushtria e Stefan Lazareviçit dhe mbante të rrethuar qytetin, Gjoni dërgoi trupat e veta. Në një letër, që i shkroi Venedikut në nëntor të vitit 1422, ai ka rrëfyer se nuk e kishte lejuar despotin serb të Rashës të merrte Lezhën dhe shprehte me këtë rast gatishmërinë e tij për të ndihmuar venecianët që të dëbonin ushtrinë serbe nga rajoni i Shkodrës.
Ndërkohë, krahas Gjonit, edhe djemtë e tij kishin filluar të aktivizoheshin në veprimtarinë politike dhe ushtarake të familjes së tyre. Burimet historike tregojnë se gjatë vitit 1422 një nga djemtë e tij komandonte trupat e Kastriotëve në rrethinat e Shkodrës. Kurse në vitin 1428 përmendet një djalë i Gjon Kastriotit “i bërë turk e mysliman”, që kishte trupa ushtarake pranë zotërimeve të Venedikut po në rajonin e Shkodrës.
Interesat ekonomikë dhe politikë të shtetit të Kastriotëve e nxitën Gjon Kastriotin që t`u kushtonte vëmendje edhe rajoneve të tjera shqiptare, të cilat nuk ishin kufitare me zotërimet e tij. Jo lidhjet familjare që Kastriotët kishin me Balshajt, po pikërisht interesat ekonomikë e shtynin Gjon Kastriotin t`i përkrahte vazhdimisht ata, madje duke dërguar edhe ushtrinë e tij në ndihmë të tyre. Edhe pas vdekjes më 1421 të Balshës III, që ishte kushëri i tij, Gjoni vazhdoi lidhjet me fisnikët e tjerë shqiptarë të zotërimeve të Balshës III, si me Gjurashët (Cërnojeviçët), që i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe që më pas i shtrinë edhe në Gentë, me të cilët lidhi krushqi. Gjurashët u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Ndërkohë edhe Gjon Kastrioti kundërshtoi synimet e despotëve serbë për marrjen e Lezhës dhe për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Fushë-Dardani.
Pesha dhe roli i shtetit të Gjon Kastriotit në jetën e vendit erdhi gjithnjë duke u rritur. Fuqizimin më të madh ai e arriti në kohën kur në krye të tij doli djali i vogël i Gjonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
/historia.shqiperia.com/