Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rikthimi origjinal i partisë kërkon vendime politike të guximshme e jo të inatit, teksa ka folur për çështjen e votimit të presidentit dhe marrjen pjesë të LDK-së në votim.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se takimi i parë me Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti, ka pasuar me dy të tjerë veçmas me Osmanin me kërkesë të vetë Abdixhikut.
Ai ka thënë se nuk ka negociuar me Kurtin për presidentin, sepse, “s’kemi çfarë të tregtojmë në mes vete”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se është diskutuar pozita apolitike dhe apartiake e Osmanit si presidente.
“Mbi të gjitha, kemi diskutuar për pozitën apolitike e apartiake të znj. Osmani si Presidente. Ndonëse të vetëdijshëm që Kushtetuta e Kosovës jep një kornizë të përgjegjësive e detyrimeve të Presidentit, detyra e tillë plotësohet, e merr kuptim nga ushtruesi i saj. Është njeriu që e bën Presidentin, jo letra; qoftë ajo një letër aq e vlefshme sa Kushtetuta e Kosovës. Sepse e shkuara na ka mësuar ndryshe”, ka shkruar ai.
Pas takimeve që më pas ua ka transmetuar organeve të partisë, ai tha se kanë vendosur që LDK-ja të marrë pjesë në votimin e presidentit, në këtë rast të Osmanit.
“Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon dhe fatin politik të vendit për një periudhë pesë vjeçare. Në këtë fat, rol të veçantë ka vetë Presidenti; si autoritet unifikues, si zë i pavarur, si figurë apartiake. Ne presim që Presidenti i ardhshëm i vendit, të ushtrojë këto detyrime me përgjegjësi të plotë. Që të jetë President i të gjithëve, që të jetë bashkues e jo ndarës, që të jetë garantues i Kushtetutës e jo keqpërdorës i saj. Që të jetë njëmend President, e jo një i nënshtruar i një pushteti”.
Abdixhiku ka thënë se LDK-në do ta rikthejë siç ka qenë, porse i duhet unitet.
“Kam marrë detyrën për të ndërtuar një rrugëtim të ri, duke i bashkuar forcat tona e duke i shtuar radhët tona me mbështetës e votues të vjetër e të rinj. Prandaj do të jem bartës i kësaj barre, dhe s’do të lejoj asgjë, për asgjë, të pengojë rikthimin tonë origjinal”.