Të dielën zhvillohen zgjedhje parlamentare në Bullgari. Të rinj të mirëarsimuar thonë për DW, se duan ta ndryshojnë vendin e të luftojnë korrupsionin. Nëse nuk ia dalin kësaj, ata shohin vetëm një alternativë, emigrimin.
Qetësi në bulevardin Vitosha, rruga prestigjioze e Sofjes pak para zgjedhjeve parlamentare të dielën (04.04). Nuk ndjehet atmosferë fushate elektorale. Vetëm disa anëtarë të partisë opozitare “Ngrihu! Zhduke mafian” transmentojnë live në Facebook mitingun e tyre. Kjo parti doli si lëvizje pas demonstratave kritike ndaj qeverisë në verën e vjeshtën e shkuar. Një parti që synon të fitojë besimin e zgjedhësve për të penguar mandatin e tretë të kryeministrit, Bojko Borisov.
Në mesin e fushatës zgjedhore, Bullgaria u fut në një lockdown të ri. Më 1 mars qeveria kishte premtuar të hapte gastronominë dhe të bënte lirime të tjera, megjithë kritikat e ekspertëve dhe një numri të madh të infektimeve me Corona. Rezultati: Aktualisht Bullgaria ka numrin më të lartë të të sëmurëve nga Covid-19. “Jemi gati në limitin tonë”, tha Assen Baltov, drejtor i spitalit më të madh të emergjencës së Bullgarisë, së fundmi në një intervistë për radio.
Më mirë atë që njohim
Por megjithë menaxhimit jo të suksesshëm të pandemisë dhe demonstratave masive kundër korrupsionit, partia e kryeministrit, Bojko Borisov „Qytetarët për një Zhvillim Europian të Bullgarisë”, GERB kryeson sondazhet me një avantazh të ndjeshëm. Pse? Një burrë në qendër të Sofjes ka një përgjigje të gatshme për DW; „Opozita nuk është forcuar akoma. Unë preferoj atë që e njoh ndërkohë, edhe nëse nuk është më e mira.”
Shumë bullgarë të rinj nuk janë të këtij mendimi. Si Dimitar Dimitrov: 29 vjeçari është elokuent, punimi i tij i magjistrës për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin London School of Economics u vlerësua me notën më të lartë të dhënë ndonjëherë. Shanset e tij në botë për karrierë do të ishin shumë të mira. Megjithatë Dimitari u kthye para gjashtë vjetësh në Bullgari. Tani ai kandidon për listën e „Bullgarisë Demokratike”, DB një aleancë liberale e djathtë, e drejtuar nga Hriston Ivanov, një ish-ministër drejtësie nën Bojko Borisovin që u dorëhoq në vitin 2015 pas reformës së dështuar në drejtësi.
“Nepotizmi dhe korrupsioni të kudogjendur”
Dimitrov është i bindur, që Bojko Borisov dhe qeveria e tij janë „të konsumuar, të delegjitimuar dhe të dëmshëm për jetën politike dhe publike në Bullgari”. Studiuesi i ri përfaqëson një gjeneratë të bullgarëve që mendojnë globalisht, por veprojnë lokalisht. Dëshira e tij është që këta të rinj shpesh me arsim të shkëlqyer të angazhohen në politikë dhe të presin lidhjet e vjetra.
Pikërisht këtë e duan Iva dhe Atanasi. Vitin e kaluar ata morën pjesë në demonstratat kritike duke thirrur “Mafia! Korrupsion!”. Të dy 27 vjeçarët janë çift dhe punojnë si forca të kualifikuara në “Digital Management”. Iva ka studiuar në Austri por është kthyer para tre vjetësh në Bullgari. “Në asnjë sektor të politikës nuk gjej njerëz që vërtet e kuptojnë atë që bëjnë”, thotë Atanasi. “Burokracia dhe mungesa e kompetencës janë të pranishme gjithandej”, thotë ai. Më e keqja, e plotëson Iva: „Nepotizmi dhe korrupsioni janë të kudogjendur”. Për ta është e rëndësishme të votojnë dhe të gjejnë një alternativë.
Krijimi i qeverisë do të jetë i vështirë
Bullgaria së bashku me Hungarinë dhe Rumaninë zënë vendet e fundit në BE në indeksin e perceptimit të korrupsionit të publikuar nga Transparency International. Edhe në çështjet e lirisë së shtypit, Bullgaria zë vendin e fundit në vendet e BE, në renditjen e „Reporterëve pa kufi” zë vendin e 111 nga 180 vende. „Disa pak koncerne kanë nën pronë në Bullgari një pjesë të madhe të medias dhe vendosin për politikën redaksionale në një dakordim të ngushtë me politikanë udhëheqës” vëren organizata „Reporterë pa kufi”.
Bullgarët e rinj dolën në rrugë pikërisht kundër korrupsionit, nepotizmit dhe mediave të komanduara politikisht – ata duan ta luftojnë këtë me votë ose me kontribut në parlament. Sipas sondazheve, partia Bullgaria Demokratike, partia urbane e Dimitrovit mund të fitojë 6-7% të votave, dhe nuk është e qartë nëse do të krijojë një koalicion me partitë e tjera. „Në të vërtetë nuk shoh asnjë partner të mundshëm për qeverisje”, thotë Atanas. Për votuesit do ishte demotivuese, nëse DB do të futej në një koalicion me partinë e status-quo-së.”
Jo kompromise pa parime
Me parti të status-quo-së, ai ka parasysh partitë më të mëdha në Bullgari. GERB-in e Bojko Borisovit, Partinë Socialiste Bullgare, BSP, pasuesen e partisë komuniste dhe Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë, DPS, pra partinë e pakicës turke. Politikani më i njohur i kësaj partie, Deljan Peevski është sipas Reporterëve pa kufi „personi më me influencë i mediave në Bullgari”, i cili „është përfshirë disa herë në skandale për pasurim dhe keqpërdorim posti”. Peevski vetë nuk kandidon, e për këtë nuk pati asnjë shpjegim zyrtar.
Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve? Dimitar Dimitrov merr frymë thellë. “Nuk do të jetë e lehtë. Ne nuk duhet t’u hyjmë kompromiseve joparimore”, thotë ai. Një plan fisnik por i vështirë në realizim, pasi parlamenti i ri me 5 deri në 8 parti do të jetë shumë i fragmentarizuar.
Të rinjtë që demonstruan në Bullgari shpresojnë që megjithatë shteti të marrë një drejtim të ri. „Unë ende shpresoj që gjërat mund të ndryshojnë”, thotë Iva. Dhe nëse jo? „Protesta”, thotë Atanas. „Dhe nëse nuk shohin asnjë ndryshim, atëherë u mbetet vetëm emigrimi./dw