Të enjten në Podgoricë u zhvillua një protestë qytetare para ndërtesës së qeverisë së Malit të Zi, pas paralajmërimeve të qeverisë së re se do të miratojë një projektligj që do të të lehtësonte marrjen e shtetësisë. Protestuesit u mblodhën nga disa qytete të Malit të Zi me flamuj kombëtar dhe hodhën slogane kundër qeverisë aktuale.
Gjatë protestës u shënua edhe një incident ku një grup të rinjsh u përpoqën ta ndalë autoveturën zyrtare ku gjendej vajza e kryeministrit malazez.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, përmes një postimi në Twitter ka thënë se vajza e tij ndodhej në automjetin zyrtar i cili është sulmuar ditën e sotme rrugën Nikshiq – Podgoricë.
Krivokapiq ndër të tjera shkruan se si “baba kurrë nuk do t’i harrojë lotët dhe frikën e saj” dhe se “nuk do të lejojë egërsinë dhe paligjshmërinë”,
“Sot, u sulmua automjeti zyrtar në të cilin ishte vajza ime, një person i mbrojtur. Si baba, nuk do t’i harroj lotët dhe frikën e saj. Si Kryeministër, nuk do t’ju lejoj egërsi dhe paligjshmëri! Rendi dhe ligji do të sundojnë në vendin që nuk jeni mësuar. Do ta shihni shpejt”, shkroi Krivokapiq në Twitter.
Në rrugën Podgoricë – Nikshiq, më herë kishte ndodhur një incident në të cilin u plagosën dy persona.
Një grup qytetarësh u përpoqën të parandalonin kalimin e automjeteve të Qeverisë së Malit të Zi në të cilin po udhëtonte vajza e Krivokapiq.
Ai gjithashtu ka akuzuar presidentin malazez, Milo Gjukanoviq se po prodhon trazira dhe se duhet të ndalet me provokimet.
Projekligji që propozohet do t’u jepte atyre personave me leje qëndrimi të përhershme dhe të përkohshme të drejtën e votës dhe të drejtën e aplikimit për shtetësi, pasi me ligjin aktual, njerëzit që jetojnë në Malin e Zi me leje qëndrimi nuk kanë të drejtë të votojnë ose të kenë prona.
Ligji aktual thotë se shtetësia mund t’i jepet vetëm një personi që ka pasur qëndrim të ligjshëm në vend për më shumë se dhjetë vjet dhe ka hequr dorë nga shtetësia e një vendi tjetër.
Opozita malazeze sheh një aspekt politik në këtë propozim. Sipas tyre, ndryshimi i ligjit do t’u jepte të drejtën e votës një numri të madh të serbëve, që kanë ardhur si refugjatë të luftës nga vendet e ish-Jugosllavisë.
Ditëve të fundit, situata në Mal të Zi është tensionuar edhe nga fakti se ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviq gjatë një seance parlamentare ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”, duke vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës së Hagës. Deklarata ka ngjallur reagime të faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri Krivokapiq ka kërkuar dorëheqjen e tij. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp zoti Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.