Dr. Jorgji KOTE
Me të drejtë Marsi dhe në vazhdim ishte plot hapa dhe veprime të rëndësishme në politikën e Perëndimit ndaj Rusisë dhe Kinës. Spikatën Samiti i BE-së më 25 Mars që u përshëndet dhe nga Presidenti Biden dhe Ministeriali i NATO-s, më 22 – 23 Mars me praninë fizike të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, takimet e tij me të gjithë ministrat e jashtëm të Euro-Atlantikut, Video- Konferenca Merkel – Macron- Putin më 30 Mars, etj.
Aspekti më pozitiv tani është se SHBA-të bashkë me BE-në po e trajtojnë këtë problem madhor nga një prizëm i dyfishtë: së pari, sipas të ashtuquajturës « diplomaci misionare ose morale » të iniciuar nga ish- Presidenti amerikan Woodrow Wilson, e cila synon përqafimin dhe përhapjen kudo të vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë. Ajo mori hov pas viteve 90, kur SHBA/BE-ja nëpërmjet « fuqisë së butë » dhe bashkëpunimit ekonomik kërkonin dhe nga të tjerët respektimin e shtetit të së drejtës.
Nisur nga sa sipër, Rusia dhe Kina janë kritikuar dhe po sanksionohen, siç ndodhi në Samitin e BE-së dhe nga SHBA-të për difekte, mungesa dhe mangësi të njohura lidhur me respektimin e shtetit të së drejtës. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014, tentativa për helmimin e Navalnit, burgosja e tij, shtypja e ujgurëve dhe tentativat anti-demokratike në Hong Kong e gjetkë nga Kina janë rastet më të fundit alarmuese për Perëndimin.
Ama, për të qenë realistë, dhe ky i fundit ka pjesën e vet të fajit, mbasi nuk shfrytëzoi deri në fund momentet historike të ribashkimit europian pas rënies së Murit të Berlinit. Ato e muarën të mirëqenë fitoren, unipolaritetin e SHBA-ve, përhapjen automatike të demokracisë, etj. Të rrëmbyer nga entusiazmi i tepëruar i asaj kohe, ato menduan gabimisht se parimet demokratike do zbatoheshin apriori në Rusi e gjetkë.
Për pasojë, siç pohojnë ekspertë elitarë, Rusia mbeti « punë e pambaruar » (unfinished business) e viteve 90. Veç kësaj, u fetishizua dhe antarësimi në BE dhe NATO i vendeve lindore. E tepërt të përmendet se dhe zgjerimi i BE-së ka krijuar shumë lodhje dhe zhgënjime. Ai ka humbur goxha nga « magjia» tërheqëse, bashkë me imunitetin nga të këqiat anti-demokratike. Dhe çështë më e keqja, vlerat, kohezioni dhe interesat themelore të BE-së dhe NATO-s po vihen në dyshim e po « futin ujë dhe nga brenda «
Këto dhe dukuri të tjera negative në Perëndim kanë krijuar terren pjellor dhe të favorshëm për Rusinë& Kinën për marketingun dhe propagandën e tyre « të butë »( soft) por dhe « ashpër ( hard) kur e lyp nevoja. Kështu, Rusia ka propozuar dhe filluar punën për krijimin e Hapësirës Euro- Aziatike, si alternativë ndaj BE-së, ku në pikpamje të diplomacisë morale, sipas saj, secili vend është autonom lidhur me këto vlera dhe parime.
Nga ana tjetër, trysnia perendimore për kushtëzimin e ndihmave dhe investimeve ekonomike me reformat e kërkuara ndaj Rusisë dhe Kinës e kanë zbehur ndjeshëm efektivitetin e tyre. As sanksionet nuk ia kanë arritur qëllimit, madje në pikpamje politike ato ka të ngjarë të ndihmojnë në forcimin e tipareve populiste dhe autoritariste në vende të ndryshme, duke ndikuar negativisht në jetën e popullsisë së thjeshtë e të pafajshme.
Zhvillim tjetër i favorshëm për Rusinë dhe Kinën në këtë fushë ishte zgjedhja e tyre Tetorin e kaluar me shumicë votash në forumin më të lartë dhe të këtij lloji – Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së( HRC) me seli në Gjenevë. Madje, Rusia u prezantua si Model, duke kërkuar mospolitizimin e të drejtave të njeriut, ku secili vend ka standardet e veta dhe ato universale; ca më pak ato të shërbejnë si pretekst për ndërhyrje në punët e brendshme, siç po këmbëngul për Bjellorusinë dhe tani Birmaninë.
Ndonëse tingëllon ironik, por për antarësimin e tyre në HRC, faj ka dhe Administrata e ish Presidentit Trump me daljen e saj nga ky Këshill; duke i dhënë sebep Rusisë&Kinës të marrin flamurin e multilaterizmit, natyrisht me përqasjet dhe këndvështrimet e tyre. Gjë e mirë që Presidenti Biden ka njoftuar rikthimin në Gjenevë dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, por dëmi u bë.
Në këto kushte, me të drejtë po kërkohet ndërtimi i një raporti përpjestimor politik, që këmbëngulja në diplomacinë morale të mos kompromentojë, dhe ca më pak të dëmtojë interesat madhore, pa të cilat dhe vlerat e parimet demokratike do të ishin pa sens dhe pa rezultat. Sepse, siç pohon Kisinger « Ai vend që në politikën e jashtme kërkon perfeksionim moral nuk do të jetë dot perfekt as në sigurinë e tij »
Kështu, vijmë natyrshëm te komponenti i dytë madhor, Realpolitika, dmth mbrojtja dhe zhvillimi i interesave të përhershme politike, diplomatike, ekonomike, tregtare, të sigurisë me këto dy » pesha të super të rënda » në ringun politik botëror. Pra, krahas konkurrencës dhe rivalitetit, sa ia ka nevojën gjeopolitike bashkësia ndërkombëtare Rusisë&Kinës, dhe mbi këtë bazë, cili duhet të jetë qëndrimi ndaj tyre.
Për më tepër, ndryshe nga 3 dekada më parë, kur në rend të ditës ishte kryesisht shembja e komunizmit, sot realpolitika përballet me një katalog tematik shumë më të gjerë dhe shpërthyes; ndaj, duam s’duam, Realpolitika ka dalë në plan të parë. Sepse, siç thotë dhe i mirënjohuri Fareed Zakaria « politika e jashtme nuk është çështje teologjike, por e kosto – përfitimeve »
Mbi të gjitha, gjendja ndërkombëtare është e tillë që problemet dhe krizat rajonale dhe planetare nuk mund të zgjidhen pa Rusinë dhe Kinën, sado t’i qortojmë dhe shajmë gjithë ditën e ditës! Si dhe ato nuk bëjnë dot pa SHBA-të dhe BE-në, të cilët së bashku japin 60 për qind të GDP-së botërore! Sa për ilustrim, më 2014, pas aneksimit të Krimesë dhe Ukrainës Lindore, në shenjë proteste, KiE e pezulloi Rusinë. Mirëpo, në vitin 2019, e ripranoi atë « nga halli » Po atë vit, vendet nordike, që « nuk të falin » kur vjen puna për demokracinë, u larguan nga takimet periodike me Rusinë në kuadrin e Forumit të Arktikut. Mirëpo, më 2019 u detyruan të kthehen në tryezën e negociatave, mbasi ishte e pamundur të vijohej pa të, sidomos lidhur me mbetjet bërthamore, peshkimin, mjesisin, etj.
Kështu ndodh dhe me vendet e tjera, sepse çdo masë e sanksion ekonomik ndaj Rusisë&Kinës sjellin pasoja të mëdha dhe për vendet perendimore lidhur me punësimin, rritjen ekonomike, tregtinë, etj. Kjo ka ndikime të ndjeshme në mosrealizimin e premtimeve elektorale dhe rrëzimin e tyre, kur dihet se plot forca populiste dhe ekstremiste « presin rradhën te porta ».
Ja pse, Perëndimi e di se bashkëpunimi gjeopolitik me Rusinë dhe Kinën është « MUST » sidomos në fushat e mjedisit, klimës, terrorizmit dhe Covid – 19 ; madje, në këtë të fundit, diplomacia ruse&kineze e vaksinës » i sfidoi të gjitha tabutë dhe paragjykimet ideologjike. Dhe më vendimtare është prania e tyre në konfliktet në Paqësor, Libi, Siri, dhe tani së fundi në Myamar.
Jo rastësisht në Gjermani janë 17 komitete dhe forume lobuese zyrtare dhe jo-qeveritare për Rusinë, ku ka dhe kryeministra landesh, liderë partiakë, deputetë të Bundestagut, etj Ndonëse dhe vetë « viktimë » e hakerave rusë, sidomos pas rastit « Navalni » tani së fundi, Kancelarja Merkel po këmbëngul për bashkëpunim dhe jo konfrontim me Rusinë ashtu si dhe Presidenti Macron. Së bashku me liderë të tjerë ata janë kundër anullimit të Gazsjellësit « Nord Stream II » dhe prishjes së Marrëveshjes së re BE/kinë për Investimet pas 7 vitesh negociatash të vështira. Të dyja këto projekte janë « ura lidhëse » dhe asnjë « qar » nuk ka duke i kthyer në « mure » apo « mollë sherri »
Në këto rrethana delikate përbën shumë më tepër se lajm pozitiv rifillimi dhe forcimi në nivelet më të larta i bashkëpunimit amerikan me BE-në dhe NATO-n. Ndërkohë, duke vlerësuar Paqësorin si « zonën gjeostrategjike të zjarrit « për shkak të rivalitetit kinez në rritje, Shtëpia e Bardhë po lançon nisma dhe hapa konkretë dobiprurës për ndërtimin e një aleance gjithëpërfshirëse atje.
Kështu, javën e ardhëshme, Kryeministri japonez Yoshihide Suga do të jetë i pari aleat i madh perendimor amerikan që do të « shkelë » në Uashington, si mysafir i Presidentit Biden. Kjo vizitë është tejet e rëndësishme dhe për rigjallërimin e « Katërshes strategjike të Paqësorit» me SHBA-të, Japoninë, Indinë dhe Australinë. Këto dhe të tjera nisma pritet të kompensojnë vonesat e mëparshme dhe të sfidojnë Kinën pas gafës së madhe politike të ish Presidentit Trump më 2017 ; kur ai hoqi dorë nga « Traktati Trans Paqësor( TPP) të iniciuar nga Obama. Kjo i la rrugë të lirë Kinës të mblidhte pas vehtes 15 shtete dhe të krijonte Nëntorin e kaluar « Paktin Progresiv dhe Gjithëpërfshirës mbi Partneritetin Trans Paqësor » ( CPTPP) më i madhi në botë me 30 për qind të GDP-së së saj.
Të njëjtat strategji dhe veprime po ndjekin SHBA dhe BE edhe në Ballkan. Edhe aty ka shumë vërejtje, frikë dhe shqetësime për ndikimin rus dhe kinez, synimet, transparencën dhe metodat e përdorura prej tyre. Padyshim që kërkohet kujdes dhe vigjilencë, veçse pa habi dhe tepërime; si antar i KS të OKB-së dhe historikisht i angazhuar, si konkurent apo rival, Rusia po kërkon forcimin e pozitave dhe në Ballkan. Çështja shtrohet si të përballohet ky angazhim, pa ose me efekte të dëmshme minimale.
Problemi tjetër që del në Ballkan por që e kemi ne në dorë është paniku me « gogolin rus&kinez » dhe stigmatizimi i tij « me vend dhe pa vend » për konsum në politikën e brendshme dhe atë partiake. PO, ne duhet të shohim, gjykojmë dhe mbrohemi nga akte dhe veprime të mundshme në dëmin tonë; mirë, po aq, madje dhe më shumë, duhet të analizojmë vonesat dhe mungesat tona serioze; këto të fundit, pse të mos e themi në disa raste e drejtime sjellin dhe më shumë pasoja! Se ja, bie fjala, për çeljen e negociatave me BE-në, nuk është se na ka penguar Rusia, Kina, dhe as vende antare të BE-së, por kryesisht e keqja nga brenda!
Në përfundim, të gjitha këto e të tjera dukuri dëshmojnë drejtësinë e rekomandimeve që ka dhënë muajt e fundit grupi i punës me 10 personalitete elitare nga vende antare të NATO-s në marrëdhëniet me këto dy vende; ato mbështeten në 2 « D » madhore gjeopolitike – Dialog dhe Dekurajim » Veçse ato do kenë sukses kur të kombinojnë strategjitë, nismat dhe kanalet e diplomacisë dy dhe shumëpalëshe me masat për dekurajimin ushtarak./gsh