Ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca folën sot për mediat pas një takimi me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi.
Gjatë fjalës së tyre, diplomatët u shprehën se zgjedhjet zhvillohen për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.
Në fjalën e saj, Yuri Kim tha se është tepër e rëndësishme që procesi zgjedhor të jetë paqësor. Ajo pati edhe një apel për liderët që bëjnë thirrje për dhunë.
Referuar vbrasjes në Elbasan, ambasadorja e SHBA u shpreh se thirrjet për dhunë apo grupet kriminale janë shëmtira të së shkuarës.
“Kemi ardhur këtu për të falenderuar komisionerin Celibashi dhe grupin e tij. U informuam për zgjedhjet e 25 prillit. Është e rëndësishme që të jetë një proces i qetë zgjedhor. Ka një proces transparent që tashmë është krijuar. Miqtë tuaj nga bashkësia kombëtare janë gjithashtu për tu siguruar për këtë proces. Gjithashtu duhet theksuar fakti se ODIHR dhe ekpertët janë tashmë në vend. Unë do të jem pjesë e njërit prej ekipeve që kanë ardhur këtu për të vëzhguar zgjedhjet. Ndërkombëtarët janë këtu për të monitoruar të gjithë procesin. Të gjithë jemi të shqetësuar pas lajmeve të asaj që ka ndodhur dje. Është e rëndësishme që të kapen të gjithë shkelësit, nuk ka trajtime të veçanta për askënd. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Kim.
“Gjëra të tilla të tmerrshme siç janë grupet e paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, të mbeten pas në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron të integrohen në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve që të bëjnë thirrje për qetësi për të siguruar që të ketë qetësi dhe të mos ketë nxitje për gjëra që s’kanë lidhje me qetësinë. Jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e drejtuesve të vendit. Falenderoj kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Basha për deklaratën e tyre që të qëndrojnë të qetë dhe të refuzojnë dhunën”, tha Kim.