Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat ditën e sotme bëri me dije se votimet duhet të nisin në orën 7:00 në të gjithë vendin dhe çdo shkelje e këtij orari do të sanksionohet me gjobë.
Ai tha se KQZ i ka marrë të gjitha masat që procesi të jetë i sigurt dhe garancia e fshehtësisë së votës të jetë e plotë për këdo dhe kudo.
Z. Celibashi, deklaroi se një ditë para zgjedhjeve po shpërndahen materialet zgjedhore, në mënyre që të garantohet një proces i sigurt dhe i rregullt. Votuesit, të dielën do të kenë mundësi të japin verdiktin vetëm në një fletë votimi në 5199 qendra në të gjithë vendin, ndërsa në hyrje të secilës do të marrin informacionin e plote për të mos gabuar.
Kreu i KQZ risolli edhe një herë në vëmendje të publikut tri mënyrat se si mund të votojnë në këto zgjedhje teksa siguroi se projekti pilot i votimit elektronik në njësinë 10 në kryeqytet është 100 për qind i sigurt.
“Në çdo qendër do të votohet vetëm me një fletë, ku janë emrat e partive politike dhe koalicionet dhe numrat e kandidatëve.
Me qëllim, që vota e secilit të jetë e vlefshme duhet të votojë në njërën nga tre mënyrat që kemi bërë publike; mund të zgjedhë vetëm subjektin dhe njërin nga kandidatët, vetëm subjektin ose mund të votojë qoftë edhe për një kandidat, pa qenë nevoja të shënojë partinë. Projekti pilot në njësinë 10 është 100 për qind i garantuar, fshehtësia e votës është e garantuar, ndaj i bëjmë me dijë votuese të kësaj zone se ky proces është edhe më i sigurt se ai i votimit me fletë votimi”, u shpreh kreu i KQZ.