Një mesazh ka ardhur sot në telefonat e deputetëve socialistë, të cilët njoftohen se PS ka nisur procedurat për shkarkimin e Metës. Pasi Kryeministri Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së e paralajmëruan, tashmë ka hapa konkretë nga ana e mazhorancës për të ‘dënuar’ Ilir Metën.
“Të dashur, bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te inicijojme Proceduren e Shkarkimit të Presidentit te Republikes. Për kete qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyres se Grupit Parlamentar per te firmosur propozimin për shkarkimin e Presidentit”, thuhet në mesazhin e mbërritur në telefonat e deputetëve të PS.
Ndërkohë që përmes një urdhri të kreu të Kuvendit Gramoz Ruçi është bërë e ditur se parlamentarët do të rinisin punën ditën e martë. Në rendin e ditës të firmosur nga Ruçi nuk është parashikuar çështja e shkarkimit të Metës por kjo nuk e përjashton që të futet në rend të ditës nga seanca plenare.
Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet nëLSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.
Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim.
Kjo është hera e dytë që mazhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Meta: Shashka të Ramës, do jem këtu deri më 24 korrik të vitit 2022!
Për herë të parë pasi drejtuesit e mazhorancës kanë konfirmuar se shumë shpejt në Kuvend do të ndërmerret nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës, vetë Ilir Meta i ka konsideruar thjesht shashka.
Në një konferencë për shtyp nga Presidenca Ilir Meta tha se mazhoranca po përpiqet të largojë vëmendjen nga 88 mijë vota të pavlefshme që sipas Metës duhet të hetohen, pasi aty luhen disa mandate. Ai theksoi se do të jetë President deri më 24 korrik të vitit 2022.