Nga James Stavridis
Londra ka qenë ditët e fundit nën ankth, për shkak të kushteve jo të përshtatshme, për një vend që mëton se ballafaqohet me një proces të padisiplinuar, për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Debati ka të bëjë kryesisht me atë se si Brexit, do të ndikojë në marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës.
Ajo që është injoruar këto kohë, si nga britanikët ashtu edhe amerikanët, është se Brexit është një humbje tragjike gjeopolitike si për SHBA-në, ashtu edhe për aleancën trans-atlantike. Kur kombet e Evropës Perëndimore veprojnë së bashku, ato përfaqësojnë një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës, dhe buxhetin e dytë më të madh të mbrojtjes në botë.
Por individualisht, asnjëri nuk është i rëndësishëm si një partner i SHBA-së, sikurse janë kolektivisht. Një thënie e vjetër që i atribuohet Henrit Kisingerit, thotë se nuk ka asnjë mënyrë për t’i “telefonuar Evropës”, dhe kërkuar ndihmë për politikën e jashtme.
Megjithatë, hapat e hedhura gjatë 20 viteve të fundit nga BE-ja – duke përfshirë formimin e një shërbimi diplomatik, dhe një politike të jashtme dhe të mbrojtjes të koordinuar – nisi procesin e sigurimit të atij “numri telefonik”, vetëm për të patur kontakte me aleatët më të vendosur të Amerikës.
Brexit i vë në rrezik këto arritje, duke tërhequr ekonominë e dytë më të madhe në bllokun evropian nga marrëveshja e tregtisë kontinentale, dhe e shkëputur atë politikisht dhe ushtarakisht nga pjesa tjetër e Evropës. Për më tepër, ajo është një pykë midis Britanisë së Madhe dhe dyshes franko-gjermane, që po dominon gjithnjë e më shumë politikat dhe pozicionet evropiane.
Kjo e dëmton aftësinë e Uashingtonit, për të ndërtuar koalicione koherente që adresojnë problemet e mëdha globale, nga censurimi i Iranit tek vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, tek ndryshimet klimatike.
Në mënyrë të veçantë për NATO-n, ka në fakt një lajm i mirë. Ushtria britanike, e cila tani tentonte të ndante pjesëmarrjen e saj në mes misioneve të BE-së dhe atyre të NATO-s, do të zhvendoset tek kjo e fundit pas Brexit.
Lajmi i keq:Kjo do të bënte të mundur që francezët dhe gjermanët, të rrisin mbështetjen e tyre për prioritetet ushtarake të BE-së, në kurriz të NATO-s. (Kini prasysh thirrjen e gabuar të presidentit francez Emanuel Makron për një “ushtri evropiane”).
Edhe nëse Brexit, do të kishte një efekt neutral në aspektin e strukturës së forces ushtarake, ai do ta dobësonte psikologjikisht aleancën. Në fundin më të errët të spektrit, Brexit mund të përshpejtojë rënien e përgjithshme të “projektit evropian”, dhe masën e sigurisë që ai ofron.
Forca të tjera, përfshijnë zgjedhjen në Itali të një qeverie anti populiste të BE-së; qeveritë anti-demokratike në Poloni dhe Hungari, që janë censuruar nga BE; kapitali më i vogël politik i kancelares gjermane Angela Merkel; dhe protestat në rrugë të Jelekëve të Verdhë në Francë, që minojnë ndjenjat e një Evrope të bashkuar.
Çfarë duhet të bëjë SHBA-ja? Së pari, Uashingtoni duhet të qëndrojë mënjanë në debatin britanik. Administrata e Trump, ka qenë paksa mbështetëse e Brexit, duke nënkuptuar se Shtetet e Bashkuara do të siguronin në këtë mënyrë një marrëveshje të re dypalëshe tregtare. Por, në fakt në këtë drejtim, nuk ka pasur hapa konkretë.
Kjo është një çështje që duhet të vendoset nga populli i Britanisë së Madhe. Përsa i përket BE-së, SHBA-të duhet ta mbështesin kudo që munden – sepse një Evropë e bashkuar, është në interesat e saj gjeopolitike. Masat konkrete, duhet të përfshijnë respektimin e trupit diplomatik të ri të BE-së, dhe njohjen e misioneve të tyre në çështjet botërore; koordinimin me BE-në si një bllok për çështjet kyçe, si programi bërthamor i Iranit dhe mbështetja ndaj terrorizmit; dërgimin e më shumë ushtarakëve amerikanë, të inteligjencës dhe profesionistëve të shërbimit të huaj, për t’u takuar me homologët europianë; dhe mbështetjen e interesave të përbashkëta me evropianët në OKB, dhe në organizata të tjera ndërqeveritare.
Së fundmi, Shtëpia e Bardhë duhet të planifikojë zgjedhjet e politikave, për të ndihmuar një Britani të Madhe të sapo-izoluar. Kërcënimet më të mëdha nuk janë ushtarake, por të natyrës ekonomike dhe diplomatike.
Përveç një shoqate të re të tregtisë së lirë, SHBA-të duhet t’i japin Britanisë një politikë më të fortë dypalëshe ushtarake në ushtri; të përshtasin bashkëpunimin e saj në fushën e inteligjencës, për të kompensuar atë që Britania e Madhe do të humbasë nga partnerët e saj të mëparshëm të BE; si dhe të veprojë si një ndërmjetëse e ndershme mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, derisa të përfundojë raundi fillestar i zemërimit dhe i hidhërimit të ndërsjellë.
SHBA-ja duhet të bëjë gjithçka që mundet, për ta mbajtur të bashkur këtë grup gjithnjë e më të padiskutueshëm. Por ajo duhet të përgatitet më mirë për rreziqet e sigurisë, që sjell çdo gjë që shpërbëhet.
Shënim: Xhejms Stavridis, ish-admiral i Marinës së SHBA-së, dhe ish-komandant ushtarak i NATO-s.
“Bloomberg View” – Bota.al