Në Ditën Botërore të Infermierëve, Presidenti Meta ,kryeministri Edi Rama dhe ambasadorët Luigi Soreca e Yuri Kim, nderuan lart figuren e infermiereve, për punën e tyre heroike përgjatë pandemisë Covid-19.
Nepermjet nje mesazhi ne rrjetet sociale Presidenti Meta thekson se “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, ne u jemi më mirënjohës se kurrë për kujdesin dhe profesionalizmin e dëshmuar në vijën e parë të frontit kundër armikut të padukshëm”.
Gjatë kësaj krize të rëndë të pandemisë, infermierët kanë bërë një punë heroike, duke luftuar ditë e natë me humanizëm, përkushtim dhe sakrifica të jashtëzakonshme, deri duke rrezikuar jetën e tyre në mbrojtje të shëndetit tonë.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, ne u jemi më mirënjohës se kurrë për kujdesin dhe profesionalizmin e dëshmuar në vijën e parë të frontit kundër armikut të padukshëm.
Përmirësimi i kushteve të punës dhe trajtimi i duhur financiar është vendimtar për të frenuar largimin e tyre nga vendi dhe rritur standardet e shërbimit tonë shëndetësor.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorët Luigi Soreca e Yuri Kim, kanë zhvilluar një takim me infermierë nga e gjithë Shqipëria, në amfiteatrin tek Liqeni i Tiranës.
Po ashtu në këtë takim është mbajtur një minutë heshtje në nder të bluzave të bardha, të cilët kanë humbur jetën në luftë me Covid-19.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u zotua se rritja e rrogave për bluzat e bardha do të fillojë pas formimit të qeverisë së re.
Kryeministri tha se rritja e rrogave do të shkojë nivelin 40 %. Po ashtu, kreu i qeverisë u ndal dhe tek rastet korruptive në sistemin e shëndetësisë, duke thënë se ata nuk janë përfaqësuesit e infermierëve dhe mjekësve shqiptarë.
“Kjo është dita për të thënë që ne nuk do ia kishim dalë dot, as më shumë më pa sesa kaq, nëse nuk do të kishim investuar me të gjitha forcat, edhe pse jo të mjaftueshme mundësitë tona për ta ngritur në një nivel tjetër spitalet, pagën e mjekëve dhe infermierëve, e për t’i krijuar kushte të mira pune dhe atë parakusht të domosdoshëm që ka munguar. Nga ana tjetër dua t’ju them përsëri dhe sot kur zgjedhjet kanë mbaruar që rritja e pagës së infermiereve dhe infermierëve ka qenë e konsiderueshme, por e pamjaftueshme. Angazhimi ynë për të arritur pagën brenda mandatit të ri, në 40% akoma, është angazhim që mbetet dhe që do e përmbushim 100%. Për t’u mos u zgjatur në shumë gjëra që ia vlejnë të thuhen në një ditë si ky, dua të nënvizoj edhe diçka tjetër. Ne flasim për vaksinat dhe vaksinimet, është legjitime të jemi krenar për çka kemi arritur, sepse normalisht kemi bërë detyrën, por padiskutim edhe të tjerë si ne do të kishin dashur të bënin detyrën, po ja që jo të gjithë sot ne jemi në të njëjtën pozicion. Është krenari ta shohësh Shqipërinë në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve Evropiane, ashtu sikundër, është kënaqësi të shohësh që Shqipëria së bashku me Finlandën janë dy vende me riskun më të ulët në Evropë, në këtë moment. Kjo luftë s’ka mbaruar e ne do të vazhdojmë të bëjmë tonën. Përtej asaj që kemi bërë ne për të siguruar vaksinat e përtej rezultatit, jo vetëm organizimi që sigurisht është meritë e pamohueshme e ministres, por puna juaj çdo ditë në të gjithë sistemin e vaksinatorëve, është fantastike. Disiplina, korrektesa, serioziteti, profesionalizmi, është mbresëlënës, prandaj respektit e mia më të sinqerta për këtë fakt dhe padiskutim që ky fakt na jep shumë energji e shumë besim akoma se në të gjithë procesin e transferimit të shëndetësisë, do të mbështetemi tek njerëz si ju. Jam i kaqardhur që sa herë ndodh në mjedisin publik, dalin pamjet e një ane të errët, neveritshme, të gjithë kësaj përpjekje, për shkak të individëve të caktuar që nuk janë në lartësinë e këtij misioni e nuk meritojnë të jenë në mesin e qytetarëve të lirë. Unë e di shumë mirë, ne e dimë, që individë të atillë nuk janë përfaqësuesit e armatës suaj. Ne e dimë shumë mirë që shumica dërrmuese e infermierëve dhe infermierëve të Shqipërisë janë heronj, e jo njerëz të ulët që fusin duart në xhepat e familjarëve për të bërë detyrën në raport me pacientët. Përfitoj nga rasti që ju kam përballë ju, nëpërmjet jush dhe kolegët tuaj, për t’iu thënë që nuk duhet të ligështoheni nga balta që e merrni të gjithë bashkë. Mos humbni sensin e punës së jashtëzakonshme që jeni duke bërë, mos harroni për asnjë sekondë dhe duhet të jeni krenarë, ku dilni nga shtëpia për të shkuar në punë, e iu bie për t’u kthyer në shtëpi. Sepse ajo që po bëni për popullin shqiptarë është historike”,-tha Rama./
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve se pas formimit të qeverisë së re, do të miratohet një ligj për të mbështetur fëmijët e infermierëve që humbën jetën gjatë punës duke u përballur me COVID-19.
Rama tha se miratimi i këtij ligji do të jetë veprimi i parë i qeverisë së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ambasadorja Kim: SHBA krah Shqipërisë deri sa të arrijmë fundin e pandemisë
Pasditen e sotme ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ishte e pranishme në në takimin e zhvilluar me infermierët të amfiteatrin tek Liqeni i Tiranës.
Teksa falenderoi infermierët dhe mjekët për punën e tyre gjatë pandemisë, Kim tha në fjalën e saj se SHBA do të jenë në mbështetje të Shqipërisë deri në fund të pandemisë.
Gjithashtu, ambasadorja shprehu ngushëllimet për mjekët që humbën jetën në luftë me COVID-19
“SHBA e ka ndihmuar Shqipërinë me më shumë se 2 milion dollarë për të luftuar Covid. Ne siguruam trajnim për trajnimin e infermierëve. Siguruan automjete për t’i dhënë mundësinë profesionistëve për të kryer gjurmim të kontakteve. Të gjithë këto janë mbështetje për personat që kanë bërë punën më të madhe në këtë luftë me koronavirusin. Ju keni frymëzuar gjithkënd, treguan durim forcë, sakrificë vetëmohuese dhe ne do të jemi krah jush. Për këtë arsye sot është në nderin tim të ndodhem mes heronjve të Shqipërisë për t’ju treguar respektin për personat dhe kolegët që keni i humbur. Zotohem që do të vazhdojmë krah jush dhe me ju deri sa të arrijmë dritën në fund të tunelit”, tha Kim
Ambasadori Soreca: Infermierët janë vija jonë e parë kundër COVID-19.
Po ashtu Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehu sot mirënjohje për të gjithë infermierët.
“Jemi krenarë që mbështesim përpjekjet e tyre të përditshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, theksoi Soreca.
“Mirënjohje për të gjithë infermierët në të gjithë botën dhe në Shqipëri! Ata janë vija jonë e parë kundër COVID-19. Jemi krenarë që mbështesim përpjekjet e tyre të përditshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri qëndron me ju. Faleminderit që na mbani të sigurt!”, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
/argumentum.al