ANDREA TORNIELLI
Pamjet e atentatit kundër Papës Gjon Palit II të tmerrojnë edhe sot, pas dyzet vjetësh. Burri i veshur me të bardha, në të gjashtëdhjetat, ende i fortë fizikisht, gjatë audiencës së përgjithshme të 13 majit 1981 në Sheshin e Shën Pjetrit, ngre dhe përqafon një vajzë të vogël flokëverdhë me kaçurrela, që prindërit ia japin për ta bekuar. Menjëherë pas të shtënave me armë, mosbesim, Papa Wojtila që shembet në krahët e sekretarit të tij, xhipi i bardhë që vrapon si i marrë drejt Vatikanit. Pastaj, vrapi tjetër për në Poliklinikën Gemelli, kundër minutave, që kalojnë me shpejtësi; lutjet e besimtarëve të shtangur në të gjithë botën; shpresa, që ringjallet, pas një operacioni të gjatë dhe të ndërlikuar.
Por pamjet më të fuqishme, marrë nga dokumentari i realizuar katër vite pas asaj ngjarjeje, janë ato ku shihet dritarja bosh e studios papnore, me zërin e Papës transmetuar përmes radios për besimtarët në sheshin e Vatikanit. Papa Wojtyla nuk mungoi kurrë në takimin e së dielës dhe nuk mungoi as në atë 17 maj 1981, për lutjen e parë të Mbretëreshës Qiellore, pas atentatit, kur me një zë të zbehtë, regjistruar nga shtrati i spitalit, tha: “Lutem për vëllain që më goditi, të cilin e kam falur me gjithë zemër. I bashkuar me Krishtin, Meshtar e Viktimë, i ofroj vuajtjet e mia për Kishën dhe për botën”.
Fjalët e para të Papës, plagosur gati për vdekje, ishin fjalë faljeje për atentatorin. E ky mesazh mbërriti drejt e në zemrën e gjithë botës, me një forcë edhe më të madhe, më 27 dhjetor 1983, kur Gjon Pali II, Papa autor i enciklikës “Dives in misericordia”, kapërceu pragun e burgut të Rebibies, në Romë, për të hyrë në qelinë e Ali Agçait e për ta përqafuar të riun, që donte ta vriste. Në dokumentarin e komentuar nga André Frossard [të cilin e gjeni në faqen tonë të internetit “vaticannews.va”, duke klikuar në gjuhën shqipe] gjenden të gjitha pamjet e atij takimi. Pa zërin, sepse askujt nuk iu lejua të afrohej dhe të dëgjonte çka i thanë njëri-tjetrit Papa dhe atentatori i tij. Janë pamje, që prekin dhe mallëngjejnë, duke na çuar në zemrën e krishterimit dhe duke e bërë konkretisht të dukshme atë, që Pasardhësi i dytë i Karol Wojtyla-s, Papa Françesku, u tha ipeshkvijve meksikanë të mbledhur në katedralen e Qytetit të Meksikos, më 23 shkurt 2016:
“E vetmja forcë, në gjendje të fitojë zemrat e njerëzve, është dhembshuria e Zotit. Çka magjeps dhe tërheq, çka përkul dhe fiton, çka thyen e çliron nga zinxhirët, nuk është forca e mjeteve, ose ashpërsia e ligjit, por butësia e plotfuqishme e dashurisë hyjnore, që është forcë e parezistueshme e ëmbëlsisë së Zotit dhe premtim i patjetërsueshëm i mëshirës së tij”./vaticannews