Pas aktit të nënshkrimit të heqjes dorë nga mandati i deputetëve të opozitës, kanë reaguar në bllok disa përfaqësi diplomatike në Tiranë.
E para ka qenë ajo e OSBE-së, sipas së cilës, “vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar”.
“Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan”, shton ajo.
Kurse pas saj, ambasada e Italisë në Tiranë ka deklaruar se shprehja e dhunës do të dënohet me vendosmëri nga Roma zyrtare.
“Protestat janë një mjet ligjor i shprehjes së shoqërisë demokratike, por liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën dhe akte akoma më pak të dhunshme. Shpresoj se demonstrimet e së nesërmes do të jenë paqësore dhe se respekti i plotë për institucionet e shtetit do të mbahet. Çdo shprehje e dhunshme e mospajtimit do të dënohet me vendosmëri nga pala italiane”, thotë ambasadori Cutillo.
Nga ana tjetër, ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, tha se dorëzimi i mandateve është një rrugë e gabuar ndërkohë që çdo deputet duhet të mbaj përgjegjësi individuale. Sipas saj, dhuna do të jetë e papranueshme.
“Por në interes të Shqipërisë, unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament. Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete”, theksoi ajo.