Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke e uruar për ‘udhëheqjen dhe përkushtimin’ për kontributin e dhënë në arritjen e Marrëveshjes së Prespës. Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Kryeministrit Zaev, Presidenti i Shteteve të Bashkuara uron në emër të popullit amerikan, ratifikimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës duke shkruar se “kjo është arritja më historike në Ballkan që nga Marrëveshja e Dejtonit dhe se kjo dëshmon për drejtimin Tuaj të guximshëm”.
Presidenti Trump nënvizon më tej përpjekjet e kryeministrave Tsipras dhe Zaev për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme, jo vetëm për të dy shtetet por për të gjithë rajonin. “Vendi juaj tash do ta ketë vendin që i takon në Aleancën Veriatlantike si Repubika e Maqedonisë së Veriut”, shkruhet në letrën e Presidentit amerikan, ndërsa theksohet shpresa se marrëveshja do të shërbejë si frymëzim për shtetet e tjera në rajon. “Marrëveshja e vë në spikamë të vërtetën thelbësore se me guxim politik dhe aftësi për t’u përqendruar tek përfitimi afatgjatë përballë rreziqeve aftashkurtëra, udhëheqësit mund të arrijnë kompromise të vështira që janë të domosdoshme për t’i çuar vendet e tyre në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur”, theksonte Presidenti amerikan në letër.
“Maqedonia e Veriut është partnere e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne gëzohemi që do të mund t’ju presim si aleatin tonë të 30-të në Aleancën Veriatlantike dhe të vazhdojmë me punën tonë të përbashkët me qëllim që të sigurojmë paqen dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e Presidentit Trump.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë kursyer ndihmën për arritjen e Marrëvershjes së 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Athinës dhe Shkupit, që do ta përmbyllte një kapitull raportesh të ftohura prej rreth tre dekadash midis dy vendeve fqinje dhe që do t’ia hapte rrugën e integrimit vendit më të vogël ballkanik drejt NATO-s dhe BE-së. Autoritetet maqedonase patën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara në një kohë kur vinin kundërshtime por edhe kërcënime nga Federata Ruse ndaj autoriteteve në Shkup. Moska e shikonte anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike të globit, si një kërcënim ndaj interesave të saj, ndërkohë që vazhdonin përpjekjet përmes të dërguarve të ndryshëm rusë për t’ia ndryshuar mendjen qeveritarëve maqedonas.
Në këtë kohë, Shkupin e vizituan ish-Sekretari i Mbrojtjes, gjenerali James Mattis, duke i dhënë mbështetje të fortë Kryeministrit Zaev dhe qeverisë së tij për ndryshimin e emrit të vendit, që për rrjedhojë do ta bënte Maqedoninë (e Veriut) shtetin e 30 anëtar të NATO-s. Përkrahje po kaq të fuqishme erdhën edhe nga Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, teksa Kancelarja Angela Merkel ishte po ashtu vetë në Shkup për ta theksuar këtë mbështetje.
Aktualisht, parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s po bëjnë ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Të mërkuren atë e ratifikoi Parlamenti i Bullgarisë. Greqia ishte vendi i parë që e ratifikoi atë dhe pas saj vijuan Sllovenia dhe Shqipëria. Pasi të gjitha parlamentet e 29 vendeve anëtare ta ratifikojnë protokollin, Maqedonia e Veriut do të bëhet vend anëtar me të drejta të plota në Aleancë. Për momentin, Shkupi merr pjesë përmes ministrave përkatës në takimet dhe Këshillat e rregullta të NATO-s, por pa të drejtë vote./VOA