Në një reagim zyrtar DASH-i shpalli dje Z.Sali Berisha “person të padëshiruar” për të hyre në SHBA. Në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, thuhet ne kete reagim, Z. Berisha ka qenë i përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.
Ndërkohë nga ana tjetër Berisha i është përgjigjur edhe dje kësaj deklarate nga Blinken duke theksuar se në 30 vite karrierë në politikë nuk ishte akuzuar asnjëherë për korrupsion.
Ky lajm në 24 orët e fundit ka bere xhiron e mediave botërore , po ashtu kanë ardhur ragimet e para nga zyrtare të lartë dhe ish –ambasadore.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer i tha Zërit të Amerikës se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsonin. I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish Presidentin Sali Berisha, zoti Palmer tha se koha nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.
“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumenta që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, tha zoti Palmer.
“Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi zoti Palmer.
“Ky është një ndër instrumentat që ne kemi për të luftuar korrupsionin publik. Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit.
Ish-ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, ka reaguar mbi vendimin e DASH për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ish-kryediplomati tha se vendimi ishte një bombë për politikën shqiptare.
“Vendimi ishte një bombë për politikën shqiptare”, tha Arvizu shkurtimisht për MCN
Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit Thomas Countryman, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimet për përcaktimin publik të zyrtarëve të huaj të përfshirë në korrupsion të niveleve të larta nuk merren lehtësisht dhe shton se ai nuk ndihet i befasuar nga klasifikimi i ish-presidentit Sali Berisha si i tillë. Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha.
“Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Countryman, i cili si zevendës ndihmës sekretar për Evropën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentat që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit ushtrohet me kujdes.
“Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman.
Ai shton se shpreson që ky përcaktim të nxisë Shqipërinë dhe vendet e rajonit të luftojmë me forcë korrupsionin.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se nuk ka ndonjë arsye të fshehtë që njoftimi u bë në këtë moment dhe se burokracia në Shtetet e Bashkuara lëviz me ritmin e vet.
“Nuk besoj se SHBA kanë marrë ndonjëherë anë në Shqipëri në luftën shumë të hidhur politike mes partive kryesore. Por sigurisht kur isha unë në qeveri dhe besoj edhe më pas, SHBA janë shqetësuar gjithmonë për faktin se ka akuza të besueshme për korrupsion në lidhje me disa parti të ndryshme në Shqipëri. Shpresoj që ky veprim nga Shtetet e Bashkuara, i cili jam i sigurt se do të shihet si dramatik në Shqipëri, të sjellë si rezultat ripërtëritje të përpjekjeve për të ndërmarrë veprime kundër politikanëve të korruptuar nga çdo parti”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Zoti Countryman e sheh ndryshe dhe parashikon të shohë edhe përcaktime të tjera të kësaj natyre.
“Duhet parë si një sinjal i qartë se korrupsioni i vazhdueshëm nga çdo parti në Shqipëri, nga çdo parti në vendet e tjera, ka pasoja përtej atyre të vetë vendit dhe ndikon në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.
Sipas tij këto veprime janë pjesë e një prirjeje të administratës së zotit Biden për ta pasur përparësi luftën ndaj korrupsionit global.
Ndërsa Diplomati i njohur italian dhe ish-ambasador i këtij vendi në Shqipëri, Paolo Foresti, ka komentuar vendimin e Departamentit të Shtetit për ish-kryeministrin Sali Berisha.
I pyetur nga gazetari Aleks Kapllaj, ai tha se real politika bëhet e rrezikshme kur injoranca mbizotëron mbi njohuritë.
Pyetje: Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi ish-Kryeministrin dhe Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, “non grata” në SHBA, për arsye korrupsioni! Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim dhe asnjë dënim në asnjë nivel gjykimi për të, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Si e shihni ju një vendim të tillë?
Berisha ka 8 vjet që nuk ka asnjë funksion aktiv politik dhe ka një vit që nuk ka imunitet parlamentar, kështu është i lirë për t’u ndjekur dhe gjykuar. Çfarë baze juridike ndërkombëtare ka ky vendim?
Paolo Foresti: Nuk ka bazë ndërkombëtare, por një vendim autonom nga SHBA. Mbi çfarë baze, nuk e di!
Për të qenë serioz dhe i besueshëm, shumë prej drejtuesve të sotëm institucionalë shqiptarë do të duhej të deklaroheshin, të paktën, të dyshuar për korrupsion.
Do të doja të dija sa di Sekretari Blinken për Shqipërinë sot!?
Real politika praktike (që bazohet më shumë mbi parimet praktike dhe interesat personale të momentit, sesa ato parimet universale morale e etike A.K) është veçanërisht e rrezikshme, kur injoranca mbizotëron mbi njohurinë.
/argumentum.al