Forcat e Armatosura të Shqipërisë në bashkëpunim me Forcat Ushtarake të SHBA-së demonstruan në Shtabin e Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr kapacitetin ndërveprues mes tyre në tre skenarë të ndryshëm veprimi, si çminimi, dezinfektimi në rast të sulmeve kimike dhe ndihma në komunitet.
Demonstrimet vijnë në kuadër të stërvitjes, “Defender Europe 2021”, që po zhvillohet prej 4 majit në vendin tonë dhe që është më e madhja në 3 dekadat e fundit. Me anë të kësaj stërvitje po demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.
Kapiteni i forcave amerikane Macintosh, shpjegoi procesin e identifikimit dhe nxjerrjes së minave në një skenar hipotetik në fushë betejë, duke theksuar se automjeti për zbulimin e minave shpëton jetë, pasi këto lloj municionesh janë shumë të rrezikshme për njerëzit
“Demonstrimi i parë ka të bëjë me kërkimin e një mine të pa-aktivizuar, që është groposur diku këtu. Automjeti i parë do të përdoret është pajisje minëzbuluese. Pajisja mund të depërtojë deri në një metër thellësi nën tokë përmes një radari të pajisur me sensorë për zbulimin e minave nën tokë. Pajisja do të lokalizojë vendndodhjen e minës së paaktivizuar dhe në momentin që diktohet mina, ju do të kërkoni përforcim. Këtu ndërkohë kemi një automjet tjetër të madh të quajtur “Bufalo”, i pajisur me një krah metalik, që përdoret për gërmimin dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë vërtet me një minë, apo jo. Pasi mina të identifikohet, do të jetë radha e trupave shqiptare të koalicionit, të cilët do të jenë brenda automjetit dhe të cilët do të na ndihmojnë edhe me detektorët e minave në tokë, ndërkohë që do të përpiqen të realizojnë shpërthimin e minës pas identifikimit të saj. Është gjithçka e pavërtetë dhe thjesht stërvitje. Nuk është minë e vërtetë, por duam të shikojmë demonstrimin tuaj në përdorimin e këtyre pajisjeve. Kjo është ajo që do të shikojmë mëngjesin e sotëm”,- deklaroi Mackintosh.
Demonstrimi i dytë lidhet me dzinfektimin nga sulmet kimike. Xhejm Skenlon nga Roja Kombëtare e Floridas, shpjegoi se këto janë sulme tejet të rrezikshme të vrasjeve në masë. “Sot demostruam një skenar të mundshëm desinfektimi të viktimave në masë bashkë me forcat e armatosura shqiptare, pjesë të stërvitjes Defender 2021. Në thelb, ky është demostrim i veprimeve pas një sulmi hipotetik me armë kimike, bërthamore, apo shpërndarje lëndësh helmuese luftarake, që shkaktojnë numër të madh viktimash. Forcat ushtarake ndërtojnë pas sulmit një qendër dezifektimi, ku sjellin sa më shumë ushtarë të jetë e mundur për dezinfektimin, pastrimin dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor në mënyrë që të rikthehen sërish në pozicionet ku ishin më parë”,-deklaroi ai.
“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë përvoja krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Ne si ushtri amerikane kemi patur shumë më tepër trupa dhe taktika luftarake të zbatuara në operacione të ndryshme, kurse ushtria shqiptare ka të zhvilluar një aspekt tepër të zhvilluar për operacione civile dhe ky është rasti kur të dyja palët bëhen së bashku për të shkëmbyer mënyrat e realizimit të secilit prej këtyre llojeve operacioneve. Kështu, ne patëm mundësinë t’u ofronim trupave shqiptare dijet tona lidhur me veprimet taktike në rastin e helmimeve në masë në rast të një skenari sulmi ushtarak me lëndë helmuese, ndërsa trupat shqiptare na demonstruan më së miri aspektin civil të nëj skenari të tillë, që ne mund ta aktivizojmë për shpëtimin e civilëve në vendin tonë, që besojmë se mund të jetë më efikase”,- nënvizoi Skenlon.
Kapiteni Jasinski më tej në duke folur në lidhje me skenarin e 3-të, të ndihmës në komunitet, u shpreh se kjo pjesë bashkëpunimit lidhet me vështirësitë që hasim gjatë operacioneve ushtarake të ndryshme ku lipset nevoja për të ndërhyrë dhe në infrastrukturë.
“Këtu kemi një demonstrim të ndihmës në komunitet. Unë jam i ngarkuar me detyrën e rregullimit të zonës përreth dhe po punojmë së bashku me ushtrinë shqiptare për shtrimin me zhavorr të rrugës përreth liqenit. Gjithashtu ne po punojmë për përmirësimin e rrugës dhe njëkohësisht dhe përmirësimin e marrëdhënieve me ushtrinë shqiptare”,- tha Jasinksi.
Për majorin Eljon Gjoshe, kjo stërvitje me forcat amerikane ka një rëndësi tepër të madhe dhe për forcat tona.
“Ky është një nder për ushtrinë shqiptare dhe për ne, për të bërë një stërvitje me partnerët tanë strategjikë siç janë ushtria amerikane. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë për periudhën e stërvitjes. Jemi trajnuar me palën amerikane, me ushtarët e tyre, me oficerët e tyre. Për të gjitha procedurat standarde që ata përdorin. Forcat tona kanë kohë që stërviten përditë për këtë lloj trajnimi”, thotë Gjoshe.
Stërvitja “Defender 21”, po kryhet në bazat ushtarake të Bizës, Kuçovës, Pashaliman, Farkë, Rinas, Durrës dhe Zall-Herr. Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj./ata