Krerët e qeverive të BE diskutojnë mbi politikën e jashtme. Bëhet fjalë për raportet me Rusinë, rrëmbimin në Bjellorusi dhe refugjatët. Por Be ka edhe tema të tjera delikate aktualisht.
Sapo armëpushimi midis Izraelit dhe udhëheqjes palestineze uli presionin ndaj politikës së jashtme në BE, një rast tjetër ngriti prapë tensionet. Qeveria e Lukashenkos detyroi një fluturim të Ryanair për në Vilnius, që të zbarkojë në Minsk, të dielën në mënyrë që të arrestonte aktivistin politik Roman Protasvic, i cili ishte në bord.
“Një proces i paparë deri tani”, shkroi i indinjuar presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda në Twitter dhe kërkoi reagime të menjëhershme nga BE dhe NATO. Kryeministri polak foli për një “akt të terrorizmit shtetëror”, e komisionerja e BE Ursula von der Leyen deklaroi: “Çdo shkelje e rregullave ndërkombëtare të trafikut ajror duhet të kenë pasoja”.
Problemet e politikës së jashtme të BE-së
Rrëmbimi i një avioni në linjën e fluturimeve civile e vendos Bjellorusinë përsëri në axhendën e BE. Për dhunës ndaj opozitës, evropianët kanë përgatitur sanksione të tjera që duhet të futen në fuqi në qershor – kundër 50 zyrtarëve të tjerë të lartë në Bjellorusi. Deri më tani, 90 anëtarëve të aparatit qeveritar të presidentit Lukashenko u është ndaluar të udhëtojnë dhe u janë bllokuar llogaritë. Këto sanksione të hershme të BE-së kundër regjimit, shpesh janë kritikuar si tepër të buta. Tani krerët e qeverive duhet të mendojnë për masa më të ashpra.
Kjo çështje do të tratjohet edhe në debati e planifikuar për marrëdhëniet e ardhshme me Rusinë. Vendosja masive kohët e fundit e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, ose dëbimi i diplomatëve pas grindjeve politike me Republikën Çeke, për shkak të një operacioni të mëparshëm të shërbimit sekret, shihen si provokim nga shumë vende të BE-së.
Debati në darkën e shefave të shteteve anëtare të BE-së këtë të hënë ka për qëllim të dëshmojë se sa e fuqishme do të jetë përplasja e dyerve për presidentin Putin dhe në çfarë mase mund të ketë në të ardhmen bashkëpunimi strategjik. Komisioni i BE do të paraqesë një raport për raportet e prishura së fundi. Mbi këtë bazë, BE do të marrë një vendim në parim për t’iu përgjigjur pyetjes: Çfarë do të ndodhë në raportet me Moskën?
Këtu është shtuar kritika ndaj Hungarisë, sepse qeveria në Budapest ka refuzuar kohët e fundit të miratojë rezolutat e BE-së për gjendjen në Hong Kong dhe raportet mes Izraleit dhe territoreve palestineze. Në këtë mënyrë Hungaria ka bllokuar 26 vendet e tjera anëtare. Diçka e ngjashme pritet të ndodhë edhe në debatin për Rusinë, ndaj nga kryeministri Orban po kërkohet të jetë shumë më kooperativ. Në përgjithësi, diplomatët në Bruksel ankohen se këto janë periudha të vështira për politikën e jashtme të BE, që të mos përdorim fjalën: grumbullimi i mbetjeve.
Gjendja me pandeminë Corona po përmirësohet
Diplomatët e BE e shohin situatën aktuale të Coronës “më mirë se në të kaluarën”. Tani flitet për rihapjen e zonës Shengen. Pasi Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian miratuan një certifikatë të gjelbër për Coronën për të gjithë njerëzit e vaksinuar dhe shëruar në BE, tani vendet anëtare duhet të vendosin për zbatimin e shpejtë të vendimit.
Mbi të gjitha, vendet e jugut, të cilat janë varen shumë nga turizmi, po bëjnë presion për një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të jenë në gjendje të rihapin kufijtë fillimisht brenda BE dhe më vonë në vendet e treta. Vaksinimet e mundshme për fëmijët dhe planifikimi i një raundi të tretë të vaksinimeve për vjeshtë, nëse është e nevojshme, janë aktualisht çështjet e hapura në diskutim.
Brexiti ende problem
Diplomatët nga vendet e prekura janë tronditur nga veprimet e fundit të Britanisë së Madhe, në zbatimin e marrëveshjes Brexit. Mosmarrëveshja mbi kushtet e peshkimit për peshkatarët francezë në kanalin Lamansh, përshkruhet si “serioze”. Ndërsa sjellja britanike, sipas së cilës anije të shumta franceze duhet të ndalohen, si e papranueshme.
Një problemi edhe më i madh politik, është zbatimi i Protokollit me Irlandën e Veriut. Gjatë vizitës së tij të fundit në Irlandë, Ministri francez për Evropë Clément Beaune kërkoi që Britania e Madhe të përmbushë detyrimet e saj. “Kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë fleksibilitet, për të shmangur fërkimet. Shpresoj se kemi të bëjmë vetëm me një periudhë dhe jo ndonjë vullnet të përgjithshëm për të provokuar BE-në”.
Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney shpreson se çështjet e hapura do të zgjidhen shpejtë, sepse “veprimet e njëanshme nga qeveria britanike do të ishin një katastrofë.” Kjo çështje duhet të zgjidhet me marrëveshje dhe jo me grindje.
Shqetësimet për valët e reja të refugjatëve
Kryeministri italian Mario Draghi dëshiron të diskutojë rrezikun e një vale të re refugjatësh në darkën joformale të hënën. Fundjavën e kaluar rreth 2000 refugjatë arritën në ishullin Lampedusa, ndërsa mbi 13.000 u regjistruan në të gjithë bregdetin e Italisë. Italia shpreson për ndihmë nga vendet e tjera të BE-së, që deri tani ka munguar.
Kohët e fundit, Parlamenti Evropian bëri të ditur se do të përmirësohen aksionet e shpëtimit në det. Organizatat e ndihmës thonë se prej fillimit të vitit në Mesdhe ka pasur mbi 550 viktima. Por deri tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet për një marrëveshje në nivel të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve.
Spanja do të ngrejë në Bruksel trajtimin e incidenteve të fundit në enklavat Ceuta dhe Melilla. Madridi akuzon qeverinë në Marok për përdorimin e refugjatëve dhe migrantëve për shantazhe politike. Diplomatët e BE shpjegojnë se sanksionet nuk janë aktualisht në rend dite. Por disa shtete kërkojnë shtimin e presionit kundër vendeve të Afrikës Veriore, Marokut dhe Tunizisë, prej nga aktualisht vijnë pjesët më të mëdha të refugjatëve në Evropë.