Rezoluta që njeh dhe dënon gjenocidin e Srebrenicës, të cilën opozita malazeze e udhëhequr nga partia boshnjake e dërgoi në parlamentin malazez për miratim, do të ketë një shumicë. Përfaqësuesit e Lëvizjes Ura të Dritan Abazoviqit do të votojnë në parlament për miratimin e rezolutës së re mbi Srebrenicën.
Partia e boshnjakëve ishte përpjekur të vendoste të njëjtën rezolutë në axhendën e parlamentit malazes në fund të vitit të kaluar, por më pas nuk mori shumicën për ta diskutuar atë.
Vete Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i cili është për vizitë zyrtare në Sarajevë, ka thënë se raporti i tij ndaj gjenocidit të Srebrenicës është i qartë dhe se pikërisht për këtë arsye ka filluar procesi i shkarkimit të ministrit Vlladimir Leposaviq, edhe pse, siç thotë, e ka ditur se kjo mund të çojë në procesin e rrëzimit të Qeverisë. Ai, ndërkaq nuk ka mundur të përgjigjet në pyetjen nëse Kuvendi i Malit të Zi do ta miratojë rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë. Pas takimit me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltia, Krivokapiq tha se gjëja më e keqe që po ndodhë në këtë zonë është që viktimat të përdoren përsëri për qëllime politike. Ai thekson se pajtimi është më i rëndësishëm se çdo grindje. Mesazhi i vetëm është ai i dashurisë, e nëse nuk do të ketë këso mesazhesh atëherë ne do t’i helmojmë gjeneratat, që nuk është në interes të askujt, ka thënë kryeministri Krivokapiq. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltia, tha se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2006, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina kanë pasur marrëdhënie të mira dhe miqësore pa çështje të hapura.
Ura: Do të votojmë për rezolutën
Shefi i grupit të deputetëve të Lëvizjes qytetare URA, Millosh Konatar, ka kumtuar se kjo parti gjatë votimit udhëhiqet vetëm me principe dhe se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Konatar ka paralajmëruar se URA të enjten sërish do të votojë për ndryshimet e ligjit mbi prokurorinë shtetërore dhe se kurrfarë presioni kundër tyre nuk do t’i lëkundë që të shmangën nga qëndrimet dhe bindjet që i kanë vendosur para zgjedhjeve të 30 gushtit. Kolegia e tij, Bozhena Jellushiq, ka thënë se URA do t’u mbesë besnike orientimeve programore dhe do të votojë për rezolutën mbi Srebrenicën. Duke folur mbi shkrimet e disa medieve mbi përçarjet në parti, nga URA kanë thënë se fjala është për presione që janë të orientuara vazhdimisht kundër tyre. Ata kanë rekomanduar se nuk do të jenë urë për kthimin e regjimit të vjetër, por as urë e improvizuar për çintegrimin e Malit të Zi, raporton rtcg.
Rezoluta dënon me forcë gjenocidin në Srebrenica, konfirmon se mbi tetë mijë civilë boshnjakë vdiqën në gjenocid, ndalon mohimin publik të ekzistencës ose zvogëlimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe shpall 11 korrikun si ditën e përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.
Siç shkruajnë më tej edhe mediat në Mal të Zi, anëtarët e koalicionit “Bardh e Zi” konfirmuan në një konferencë shtypi se do të mbështesin rezolutën mbi Srebrenicën, e cila, me 40 anëtarë të opozitës, do të ketë një shumicë të mjaftueshme për miratimin e saj.
“Është një detyrim për ne. Sigurisht që do të votojmë me ‘po’”, citohet të ketë thënë deputetja Bozhena Jelushiq, një anëtare e koalicionit Bardh e Zi.
Dhe sigurisht, pas këtij lajmi kanë ardhur reagimet nga Serbia, përkatësisht nga shumë media atje.
Mediumi serb, SrbijaDanas një veprim të tillë madje e ka quajtur “thikë pas shpine”.
/argumentum.al