Dr. Jorgji KOTE
Po, vërtet që qysh në këto 100 ditët e para, Mario Draghi, Kryeministri i 68-të i Italisë nga data 13 Shkurt ka ngjallur shumë shpresa. Po pse “Super Mario”, siç i thonë italianët, konsiderohet shpresë dhe shpëtimtar i një prej shtatë vendeve më të zhvilluara në botë dhe ekonomisë së tretë më të madhe në Europë? Ja disa prej arsyeve.
Së pari, sepse Italia ka kohë që lëngon në shumë fusha, me një stagnacion ekonomik që vazhdon prej 3 dekadash. Me rënie të GDP-së me 9 qind; me borxhe të huaja mbi 2 trilion Euro ose 158 për qind e GDP-së nga 140 për qind një vit më parë dhe nivel papunësie 11 për qind. Plus nivelin më të ulët të lindjeve në Europë dhe qindra mijra që largohen nga vendi dhe tabloja bëhet akoma më e zymtë. Vjet, Italia u godit ndër të parat dhe më rëndë nga COVID – 19 me rreth 100.000 viktima dhe dëme të pallogaritshme sociale dhe ekonomike.
Në këto kushte, Presidenti Matarella ia besoi nxjerrjen e vendit nga ky udhëkryq historik 74 vjeçarin Mario Draghi, falë përvojës së pasur në fushën e ekonomisë dhe financave italiane dhe ndërkombëtare. Në fakt, është pothuajse e pamundur të gjesh një personalitet tjetër në Europë me një eksperiencë të tillë unikale; fillimisht profesor universiteti, 10 vjet Drejtor i Thesarit të Shtetit, 5 vite Guvernator i Bankës Kombëtare, më tej Drejtor Ekzekutiv në Bankën Botërore, zv.President i të famshmes “Goldman&Sachs” për Europën dhe nga viti 2011 – 2018 President i Bankës Qëndrore Europiane, në periudhën e saj më të vështirë. Promovimi i tij në majat e financave italiane, europiane dhe botërore i dedikohet pasionit, përkushtimit dhe profesionalizmit të këtij menaxhuesi brilant krizash drithëruese për Europën dhe Italinë.
Më 26 Korik 2012, Draghi bëri epokë me fjalimin plot pathos përpara komunitetit elitar financiar në Londër me theksin në tri fjalë monumentale në anglisht ” Do të bëjmë “ whatever it takes” ( do bëjmë të pamundurën!) për të shpëtuar Euron! Tani ky “tri fjalësh”, mishërim i forcës, kurajos dhe vendosmërisë historike është bërë sinonim i “ Jam Berlinez” dhe “ Kam një ëndërr”! Dhe Draghi e mbajti fjalën me hapa dhe veprime që e shpëtuan Euron dhe bashkë me të emrin, imazhin dhe mbijetesën e Europës së Bashkuar. Padyshim që “qershiza mbi tortë” është integriteti i tij model moral, qytetar dhe familjar; megjithë statusin e lakmueshëm pasuror vlerësohet mjaft për jetën modeste, pa zhurmë dhe bujë; ndërsa bashkëshortja aristokrate dhe fëmijët dalin dhe dëgjohen fare pak, për të mos thënë aspak në media e në publik, sepse “ privatja mbetet private”. Draghi spikat dhe për etikën dhe “ “higjienën” komunikuese shembullore, pa asnjë thumb, kunjë, rromuz dhe insinuatë, por drejt e në temë.
Ja pse ai po shihet si shpresa e madhe e Italisë, por me rrjedhoja pozitive për të gjithë BE-në. Draghi në lartësinë e kësaj mega- sfide/përgjegjësie, si “peshë e rëndë » ekonomike dhe politike. Padyshim atë e ndihmon shumë fati&fakti se i njeh « më dhëmbë e dhëmballë të gjitha “skutat” e politikës italiane, duke filluar nga gjendja e rënduar shpirtërore e italianëve në masë. Ndaj, sapo vuri këmbën në Pallatin “Kixhi”, Draghi e filloi axhendën me forcimin e ndjenjës së vetëbesimit; me vendimin politik që « PO, do t’ia dalim, më besoni, ashtu si u betua dhe 9 vite më parë në Londër.
Këtë ai po e bën me pak fjalë por me shumë vepra, vendime dhe veprime të shpejta e të goditura, me programe dhe tani së fundi fondin prej 250 miliard Euro për turizmin, punësimin, biznesin, shtresat e goditura nga krizat, rininë, të moshuarit, etj kundër COVID – 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike. Shumë shpejt Draghi krijoi një profil të lartë politik bindës dhe premtues për shumicën dërmuese të italianëve. Koalicioni i tij qeveritar me bazë të gjerë është produkt i këtij besimi dhe konsensusi politik; ai është sa politik dhe teknik, sa i vazhdimësisë aq dhe i ndryshimit, i unitetit në diversitet nga të gjitha anët. Edhe populistët e « Lega Nord » me « 5 Yjet », ndonëse në opozitë kanë lidhur marrëveshje fjale për ta mbështetur Draghin, diçka e paparë deri tani në politikën italiane.
Ndonëse si gjeni financash dhe si ish President i BQE-së, Draghi është marrë kryesisht me shifra, ai e di se bashkatdhetarët kanë nevojë për diçka më shumë se paraja : Vetëndërgjegjësimi. Bashkë me të dhe ndjenja që Europa t’i dëgjojë dhe t’i respektojë ata. Për fat të mirë, me biografinë e pasur ndërkombëtare, Draghi si asnjë paraardhës i tij ka lidhje, njohje dhe reputacion të madh në Europë dhe në botë. Kjo ka shumë rëndësi kur mendon se me ndonjë përjashtim të rrallë, gjatë tri dekadave të fundit kryeministrat italiane janë konsideruar « pesha të lehta » dhe pa besueshmërinë e duhur. Ndaj nuk ua kanë vënë shumë veshin në Europë. Veç kësaj, Italia është vendi ku BE-ja ka imazhin më të keq, sepse sipas tyre Europa nuk i ka ndihmuar në ditë të hallit. Gjithashtu, me përjashtim të Berluskonit, asnjë Kryeministër tjetër nuk e ka kryer të plotë mandatin kryeministror, duke e lenë vendin në krizë. Ja shihni, në 75 vitet e fundit, ka patur 68 kryeministra! Aq sa në kujtimet e tij, ish Kryeministri Prodi tregon se kur po ndahej nga takimi i parë në Bon më 1996, Kancelari Kohl e thumboi me pyetjen « A dini gjë se kur do të takohem me pasardhësin tuaj ? »
Veç kësaj, Draghi po tregohet partner dhe bisedues i barabartë me homologët e tij, nga Merkel, Macron dhe deri në instancat më të larta te BE-së. Kjo e ndihmon atë të marrë vendime dhe veprime të guximshme që gjejnë mbështetje dhe simpati në popull. Kështu, në fillim të muajit Mars, kur vaksinat ishin problem në BE, ai ndaloi eksportet e Astrazenecës për në Australi. Ndërsa më 15 Maj ai vendosi të hapë Italinë për turistët e vaksinuar dhe me teste negative të koronës nga EUROPA, Britania e Madhe dhe Izraeli.
Më tej, Draghi është europianist i bindur dhe i rallë në çdo aspekt. Kur e do puna ai u thotë « JO » dhe më të mëdhenjve në Europë. Kështu, kur disa javë më parë, Presidentja e Komisionit Europian vazhdonte t’i bënte pyetje lidhur me programin e rimëkëmbjes ekonomike, nga e cila Italia perfiton 200 miliard Euro ose 27 për qind të fondit europian, sipas mediave italiane ai i tha prerë Ursula von der Leyen: ” Tani boll më, Italia meriton respekt !” Paskësaj, Komisioni Europian nuk dërgoi më pyetje të tjera.
Ndërsa një muaj më parë, me kërkesë të tij ndaj Presidentit Macron, qeveria franceze ndaloi 7 terroristë të Brigadës së Kuqe famëkeqe të dënuar nga Italia, të cilët kanë mbi 3 dekada që jetojnë në Francë në azil. Dhe tani po shihen mundësitë ligjore të ekstradimit të tyre. Në Romë, ky veprim u prit me duartrokitje nga të gjitha anët e politikës dhe familjarët e viktimave të shumta.
Për rrjedhojë, me Draghin në krye të qeverisë, Italinë kanë filluar ta marrin seriozisht liderët e Europës dhe të botës, me shanse dhe perspektiva premtuese për të ardhmen. Kudo te fqinji ynë po dëgjohet të thuhet se me Draghin në krye, më në fund me italianët po ndihen krenarë, brenda vendit dhe në Europë! Ogur i mirë ky dhe për BE-në, për partnerët dhe fqinjët si dhe vendin tonë ; ky i fundit, bashkë me komunitetin e madh dhe cilësor të bashkatdhetarëve ka te Italia një aleat dhe mik të veçantë në ditë « me diell dhe me shi »