Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një deklarate për mediet i është drejtuar sot të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit me një thirrje për t’u bërë pjesë e Taskforcës që pritet të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Jam këtu sot për të ndarë me të gjithë ju një lajm të mirë, por edhe për t’ju drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë brenda apo jashtë vendit një thirrje. Në datë 11 qershor, pra vetëm pak javë nga sot, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023”, tha Xhaçka.
“Falë një fushate lobimi shumë profesionale dhe të suksesshme disavjeçare, vendi ynë ka arritur të fitojë mbështetjen e Grupit të Europës Lindore, për të konkurruar në këtë garë si kandidaturë konsensuale. Çka do të thotë që jemi kandidatura e vetme dhe zgjedhja është e sigurt. Është vërtet një lajm i madh dhe një moment historik për Shqipërinë dhe shërbimin tonë diplomatik, fakti që për herë të parë pas 65 vitesh si anëtare e OKB, Shqipërisë i jepet një mundësi kaq e jashtëzakonshme”, theksoi Xhaçka.
“Është po ashtu, një konfirmim i pjekurisë që ka arritur diplomacia shqiptare dhe politika e jashtme e Shqipërisë, e cila tashmë falë një diplomacie të kujdesshme bilaterale e multilaterale, falë rolit konstruktiv në rajon e më gjerë, falë kontributit në shërbim të paqes, sigurisë e stabilitetit në nivel rajonal e global, përmes pjesëmarrjes në nisma e misione të OKB dhe kryesimit të suksesshëm të OSBE, do të mund të ketë vendin në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale”, u shpreh ajo.
“Misioni ynë në Këshillin e Sigurimit, në Nju-Jork, fillon në datë 1 janar 2022. Kjo është një mundësi e madhe për Shqipërinë, por ne jemi të ndërgjegjshëm që është njëkohësisht edhe një sfidë shumë e madhe. Sepse, le të jemi të sinqertë e të hapur me njëri-tjetrin, diplomacia shqiptare gjatë të gjithë historisë së shtetit shqiptar nuk ka pasur kurrë mundësinë të operojë në një forum kaq të lartë e kaq sfidues”, theksoi Xhaçka.
“Synimi ynë është që në këtë mundësi historike që i jepet vendit tonë, Shqipëria të ketë një performancë po aq dinjitoze, po aq profesionale e të suksesshme, sa ajo që treguam gjatë Kryesimit të OSBE, për të cilën jemi vlerësuar me nota maksimale”, tha Xhaçka.
“Është kjo arsyeja përse në diskutimet e zhvilluara me Kryeministrin Edi Rama, kemi vendosur që t’u drejtojmë një thirrje të hapur të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, që të bashkëpunojnë me ne për realizimin me sukses të këtij misioni historik. Ne duam që Shqipëria të prezantohet në Këshillin e Sigurimit me Dream Team, Ekipin e saj të Ëndrrave. Një ekip, ku do të ketë një ndërthurje të diplomatëve më të mirë e më me shumë përvojë të shërbimit tonë diplomatik dhe të ekspertëve e profesionistëve më të mirë nga çdo vend ku jetojnë e punojnë shqiptarë”, u shpreh ministrja.
Prandaj, nënvizoi ajo, “dua t’ju bëj sot një thirrje të gjithë atyre djemve e vajzave, burrave e grave, që me shumë punë e mund kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme, të gjithë profesionistëve të talentuar, që të aplikojnë për tu bërë pjesë e Ekipit tonë në Këshillin e Sigurimit”.
“Aplikimi do të mund të bëhet në një dritare të veçantë në faqen zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku do të ketë udhëzime të mëtejshme për dokumentacionin që duhet dorëzuar dhe fushat e ekspertizës që kërkohen. Paskëtaj, aplikimet do të vlerësohen nga një Komisionin i posaçëm që do të ngrihet në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme për të përzgjedhur pastaj në finale fituesit, të cilët do t’i atashohen Ekipit në Këshillin e Sigurimit, në Nju-Jork, si ekspertë për vitet 2022-2023”, tha Xhaçka.
“Unë shpresoj që sa më shumë shqiptarë e shqiptare të talentuara ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme, për t’u bërë pjesë e ekipit tonë duke dhënë më të mirën e tyre për të nderuar vendin tonë në këtë mundësi historike për të cilën është punuar aq shumë”, përfundoi Xhaçka./ata