Fenomeni i Non paper-ave dhe projekti aktual që po iniciohet për “Iliridën”, janë promotorë të politikave nacionaliste në rajon dhe dalin në sipërfaqe çdoherë kur dështon Europa, ka deklaruar në Klan Debat, Kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se dalja në skenë e këtyre dokumenteve nuk është e rastit.
“Duhet të jenë sinjale për Bullgarinë dhe për Brukselin se duhet intensivisht ta vazhdojnë procesin e integrimit të rajonit në BE. Është kthimi i borxhit ndaj Ballkanit Perëndimor, kurse ndaj RMV-së ky borxh është 10 herë më i madh. Përgjigjen e projekteve për kufij të rinj në Ballkan duhet ta japë BE-ja me përforcimin e proceseve eurointegruese për rajonin”.
Kryeministri Zaev kishte edhe një mesazh, siç tha, për ata që promovojnë ide nacionaliste në Maqedoninë e Veriut.
“Do të formohet “Ilirida”, Janko Baçevi do të bëjë nuk e di se çka. Jo këshilltarë të komunave apo deputetë, por as kryetarë të bashkësive vendore nuk do të fitojnë. Kjo tashmë nuk kalon në RMV”.
Duke komentuar dialogun Prishtinë-Beograd, Kryeministri Zaev u shpreh i prerë se Brukseli fillimisht duhet që në mënyrë të pakushtëzuar të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, kurse krerët e Kosovës dhe Serbisë ta marrin si model Marrëveshjen e Prespës.
“Liderët e Kosovës dhe liderët e Serbisë qytetarëve të tyre ua kanë borxh ardhmërinë, perspektivën. Nuk është e lehtë për të dyja palët. Por, le të mësojnë nga shembulli ynë me Greqinë. Duhet të mbyllen dyert e së kaluarës kur hapen dritaret e së ardhmes”.
Kryeministri Zaev në Klan Debat u shpreh se partia që drejton ai, LSDM-ja, në zgjedhjet lokale të së vjeshtës do të bashkëpunojë me partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës.
“Po, me BDI-në, me Besën dhe me PDSH-në do të bashkëpunojmë. Me një pjesë në rrethin e parë kurse me të tjerë në rrethin e dytë zgjedhor. Diku do të bashkëpunojmë që në rrethin e parë dhe pres nga partnerët kandidatë të mirë e të pranueshëm, siç pres të pranohen edhe nominimet tona të kandidatëve”.
Kryeministri Zaev, duke komentuar Raportin e fundit të UNESCO-s ku rekomandohet që Rajoni i Ohrit të vihet në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, ka pranuar se kjo organizatë disa vite është duke i paralajmëruar autoritetet e vendit, por se pas pranisë së ekspertëve të UNESCO-s është bërë shumë në drejtim të rrënimit të objekteve të jashtëligjshme rreth brigjeve të liqenit në qytetin e Ohrit duke u bërë thirrje autoriteteve të Strugës që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.