Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhen sot në Tiranë, për Samitin e Ballkanit. Shqipëria është mikpritësja e samitit të radhës i cili u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ku moren pjesë drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.
Drejtuesit e Samitit ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi deklaroi sot arritjen e një marrëveshje në BE për financimin e planit ekonomik dhe të investimeve, që pritet të mobilizojë 1/3 e PBB së rajonit.
Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama pas punimeve të samitit të krerëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Varhelyi theksoi se “ky muaj, ky vit mund të jetë vërtetë muaj dhe viti i Ballkanit Perëndimor”.
Ai u shpreh se “jam veçanërisht i kënaqur që shoh që ndoshta ky do të jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë COVID-19 dhe ndoshta do të fillojmë t’i rikthehemi mënyrave të mëparshme të punës dhe të kryhen takime të tilla kaq të rëndësishme të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në formë fizike dhe që të kemi mundësi të shtyjmë përpara agjendën tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor”.
“Kjo, pasi ky takim, ka të bëjë pikërisht për këtë agjendë të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, një agjendë e cila nuk krijohet vetëm nga Komisioni Europian, por nga vetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe prandaj ky takim është kaq i rëndësishëm. Ne shikojmë në fakt një angazhim dhe përkushtim shumë të qartë të këtyre udhëheqësve, e kemi parë tashmë, u formëzua edhe vitin e shkuar për të krijuar tregun e përbashkët rajonal dhe ne sot kemi patur mundësin t’i hedhim sytë pas dhe të shikojmë se çfarë ecurie dhe çfarë përparimi kemi bërë. Nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë që të arrijmë, por duhet të arrimë atje, deri në korrik, kur të kemi në fakt edhe samitin e radhës”, tha Várhelyi.
Në vijim, Komisionari Várhelyi, shtoi se “shikojmë tashmë dhe rezultate e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve me lançimin e marrëveshjes pa tarifa roming në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
“Kjo vërtetë që është një arritje shumë e madhe dhe do të ketë ende gjera shumë të mëdha, si për shembull në të ardhme qytetarët të mund të lëvizin me letërnjoftime, larta identiteti, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë. Për të gjitha këto gjëra së bashku do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor t’u ofrojë shumë gjera qytetarëve, përfshirë edhe tregtinë online ose atë që njihet si e-tregtia”, shtoi ai.
Komisioneri u ndal edhe te plani i BE-së për investime në rajonin tonë duke theksuar se “ne jemi të gatshëm që rikonfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan që e kemi treguar që në vjeshtë që mobilizon 1/3 e PBB së rajonit, pra pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon”.
“Por ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se ne nuk kemi një treg rajonal. Nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave, në rast se të gjitha automjetet e mëdha do të ndalojnë në pika të ndryshme kufitare ndërmjet kufijve, çdo 100 km të themi. Nuk ka kuptim për të punuar më shumë këto hekurudha në rast se trenat do të hasnin vështirësi, ose rrugë të reja tregtie në rast se do të duhet të ketë 6 lloj të ndryshme certifikatash për mallrat, ose tatime të ndryshme për këto lloj mallrash”, shtoi ai.
Sipas tij, ky plan ekonomik dhe plan investimesh do të jap rezultate e veta në rast se vetë ky rajon punon për këtë treg rajonal, dhe ky është dhe mjedisin të cilin do të funksionojë dhe ky treg rajonal.
Në vijim, Komisioneri Várhelyi theksoi se “nga ana ime, lajmi që unë solla sot këtu për ju është se ne kemi një marrëveshje tashmë në Bashkimin Europian për financimin e këtij plani.
“Kemi arritur në javën e shkuar këtë marrëveshje me Këshillin dhe Parlamenti Europian për programin IPA 3 siç e quajmë ne pra është asistenca e fondeve të paraaderimit, i cili do të jetë edhe mekanizëm me në të së cilit do të financohet ky plan. Ne nga ana jonë jemi më se të gatshëm edhe me fondet që të fillojmë këtë plan ekonomik investimesh dhe ne duam që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të fillojnë sa më shpejt me këtë plan. Siç e shihni, ne po hyjmë në muajin qershor i cili është kritik për Ballkanin Perëndimor. Kemi shumë çështje mbi tryezë, ne, në BE. Ne dëshirojmë që të organizohen konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi, që të vazhdojnë negociatat e anëtarësimin, duam që të organizohen dy konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kemi këtë samit të sotshëm që të tregojmë rezultate për qytetarët e këtij rajoni. Pra ky muaj, ky vit mund të jetë vërtet muaj dhe viti i Ballkanit Perëndimor. Ne të gjithë duhet të tregojmë rezultat dhe arritje dhe ky është mesazhi që dëshiroja të sillja jo vetëm këtu por edhe për shtetet anëtare”, tha Komisioneri.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se jetësimi i katër lirive të Europës në rajonin tonë është një proces i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë, Kryeministri Rama e falënderoi Komisionerin Varhelyi, i cili sipas tij, “shprehu menjëherë gatishmërinë për të ndryshuar axhendën e tij dhe për të ardhur në këtë takim, që në këndvështrimin tim është i një rëndësie të veçantë për dy arsye”.
“Së pari, të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi sesi e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e katër lirive të Europës në rajonin tonë. Nga ana tjetër ky proces tashmë është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së që prej nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale të interkonktivitetit dhe të gjithë sektorit të energjisë si dhe të dixhitalizimit përbën lëvizjen më të madhe historike të BE-së ndaj apo në drejtim të Ballkanit Perëndimor”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ishte një kënaqësi, sepse më në fund takimi nuk ishte virtual, sepse ne kemi mundësinë t’i mikpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj që edhe Komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli ndjehet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë dhe gjërat tanimë janë konkrete”.
Kryeministri Rama u shpreh se “planet e punëve janë konkrete dhe ky është nga ato momente që duhet ta pranojmë që BE-ja të vetën deri këtu e ka bërë plotësisht, na takon ne të bëjmë tonën”.
“Nuk diskutohet që qeveria e Republikës së Shqipërisë, unë personalisht, kemi qenë që në momentin e parë dhe mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se projekti i atij që unë e quaj Shengeni Rajonal, dikush e quan Minishengen, por dikush tjetër mund të mos e thërrasë në emër, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale, por në fund fare edhe politikisht për gjithë rajonin”, – tha Rama.
Më tej kryeministri Rama tha se “më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe tani jemi në kushtet që po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e Komisionit Europian nën udhëheqjen e Presidentes së Komisionit me dëshirën dhe ambicien që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deri tanishëm dhe vitin e ardhshëm, të bëhet një format nën kujdesin e Komisionit me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Kjo është një ambicie e jona dhe një dëshirë që fatmirësisht e ndajmë plotësisht”.
Ndërkohë, vijoi Rama, ne kemi vendosur edhe një sërë pikash ambicioze për të ndërlidhur progresin e bërë së brendshmi në rajonin tonë me vetë mënyrën e funksionimit në ato drejtime ku ne do të bëjmë progres, të hapësirës së BE-së.
“Që do të thotë që ne këtu bëjmë hapa në drejtim të jetësimit të 4 lirive të BE-së, këto hapa ambicia është të na njihen edhe në hapësirën e BE-së, në aspektin e tregtisë, të qeverisjes të të dhënave, e mundësive nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “siç e dini brenda rajonit, por përpara dy ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë në postpandemi pa detyrime ekstra, teste dhe histori të tjera, për shkak se nuk jemi anëtarë të BE-së”.
“Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian kërkesën që karta e gjelbër dixhitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë hapësirën e BE-së edhe ne të lëvizim lirisht siç lëvizin qytetarët e BE-së”, – tha Rama.
Edhe pse është zgjeruar në masë të madhe, BE-ja sot nuk është Evropë. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë BE-së, thote Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalen e tij.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, por BE-ja akoma nuk është Evropë.
Qasja aktuale ndaj bashkëpunimit rajonal ndikohet negativisht nga mosmarrëveshjet politike që e kanë penguar bashkëpunimin dhe i kanë ngritur dyshimet dhe pasiguritë në lidhje me të ardhmen. Për t’i zgjidhur këto probleme, ne së pari duhet ta pranojmë hapur burimin e tyre, pa ekuivoke ose finesë.
Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; ne do të angazhohemi vetëm si të barabartë.
BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të mund të zhvillonin një samit të veçantë në vitet 2024 dhe 2027 për ta vlerësuar nivelin e gatishmërisë për anëtarësim të plotë në BE.
Republika e Kosovës është e interesuar të anëtarësohet në BE dhe të kontribuojë në rritjen e saj të vazhdueshme. E mirëpresim mundësinë për të punuar ngushtë me të gjithë fqinjët tanë rajonalë në lehtësimin e anëtarësimit tonë kolektiv në BE. Propozimi ynë është i guximshëm, por të tilla janë edhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Ne jemi të bindur që nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët, vijon me tej ne fjalen e tij Z.Kurti.
Zaev thotë se vendet e rajonit bashkë janë më të forta dhe e bëjnë Ballkanin Perëndimor më konkurrues, të fortë dhe afër tregjeve të BE.
Ai thekson se të gjitha vendet e rajonit po punojnë për vendosjen e tregut të përbashkët rajonal. Zaev praon se Planik ekonomik dhe investues do e bëjë rajonin më tërheqës dhe të do të mundësojë hyrjen e shumë investimeve.
“Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor e mbështet rimëkëmbjen afatgjate ekonomike të rajonit, njëkohësisht duke nxitur integrimin rajonal. Zbatimi i Planit do të stimulojë aktivitetin ekonomik, do të rris investimet në sektorin privat dhe publik, do të përforcojë konkurrencën dhe inovacionet, veçanërisht në kompanitë e vogla dhe të mesme.
Vullneti ynë është nxitja e zhvillimit të kapaciteteve me energji të ripërtërishme dhe kalim nga qymyri në burime të ripërtërishme të energjisë, rritje të efikasitetit energjetik, ulje të emetimeve të gazeve serrë dhe përmirësimin e infrastrukturës për menaxhim me ujërat e zeza. Gjatë këtyre periudhave sfiduese, të gjitha vendet nga rajoni punojnë në vendosjen e tregut të përbashkët rajonal.
Harmonizimi i ngushtë i rregulloreve të Ballkanit Perëndimor me parimet themelore që rregullojnë tregun e brendshëm të BE-së, bazuar në qasjen e katër lirive përmes marrëveshjeve për njohje reciproke, do të zhvillojë mundësitë për punësim sepse liberalizimi i tregtisë, rrjedha e kapitalit dhe lëvizshmërisë do të sjellin deri në zgjerimin e tregut. Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë të hyra të investimeve.
Me zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal krijojmë vende më të mira të punës, zgjedhje të shkëlqyer të çmimeve më të ulëta për udhëtim, studim dhe punë afariste në rajon, më lehtë dhe pa pengesa. Me treg të integruar sjellim rritje plotësuese të PBB-së në rajon sepse bashkë jemi më të fortë, gjë që e bën Ballkanin Perëndimor më tërheqës, më konkurrues dhe më afër tregjeve të BE-së.”- tha Zaev.