SHTZ Mikhail Afanasiev*
Ambasador i Federates Ruse në Shqipëri,
Pikërisht 80 vjet më parë, Gjermania naziste sulmoi pabesisht Bashkimin Sovjetik, duke nisur një nga luftërat më të përgjakshme në historinë e vendit tonë dhe të gjithë njerëzimit. Në mëngjesin e hershëm të 22 qershorit 1941, 1418 ditë të vështira të Luftës së Madhe Patriotike nisën numërimin e tyre mbrapsht. Kjo datë tragjike në historinë e vendit tonë kujtohet si Dita e Përkujtimit dhe Pikëllimit. Në këtë datë ne kujtojmë baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, të cilët, pa mëdyshjen më të vogël, u ngritën për të mbrojtur Atdheun, luftuan kundër armikut me vetëmohim dhe, me çmimin e përpjekjeve të paimagjinueshme, mbrojtën çdo pëllëmbë të tokës amtare, duke afruar fitoren e shumëpritur.
Ky përvjetor pikëllimi është një tjetër kujtesë për brezin e sotëm se sa të rrezikshme janë aventurat e papërgjegjshme dhe të çmendura që synojnë vendosjen e dominimit botëror. Fitorja e popullit sovjetik në luftën kundër nazizmit u bë për të gjithë botën një shembull i qartë i faktit se çdo agresor, që sulmon Atdheun tonë, do të përballet me vetëm një fat – shpartallimin e plotë dhe përfundimtar. Me çmimin e jetës së 27 milionë qytetarëve sovjetikë, miti i pathyeshmërisë së Vermahtit ra, boshti i ideve të nazizmit, të cilat u përpoqën të lëshonin rrënjë në të gjithë globin, u thye.
Data e 22 qershorit ka një rëndësi të madhe jo vetëm për Rusinë, por për të gjithë njerëzimin, përfshirë Shqipërinë, një nga vendet e para që përjetoi të gjitha mundimet e shtypjes fashiste. Pushtimi i Shqipërisë ishte prelud i shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Popullit heroik shqiptar iu desh të merrte armët në dorë, në mënyrë që të mbronte lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e paqtë në një kohë, kur shumë kryeqytete evropiane flinin të qetë, pa menduar se me çfarë sprovash të rënda do të përballeshin disa muaj më pas.
Në kohën tonë të trazuar, kur vatra paqëndrueshmërie shpërthejnë dhe konflikte ushtarake ndizen në pjesë të ndryshme të botës, ne duhet të jemi veçanërisht të vetëdijshëm se sa e brishtë është paqja, në të cilën jetojmë dhe sa e lehtë është ta humbasim atë. Përkujtimi i të rënëve në ato vite të vështira na detyron të ruajmë me kujdes të vërtetën për ngjarjet e 80 viteve më parë dhe të ndërpresim çdo përpjekje për shtrembërimin e rishkrimin e kësaj të vërtete nga ata, të cilët përpiqen të rehabilitojnë emrat e kriminelëve dhe xhelatëve nazistë, të dorëzuar harresës përgjithmonë. Është në fuqinë tonë të bëjmë gjithçka kemi në dorë, me përpjekje të përbashkëta, që tragjedia e vitit 1941 të mos përsëritet më kurrë.
Përulemi me nderim dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë atyre që kaluan vitet e vështira të Luftës së Madhe Patriotike, duke fituar lirinë me çmimin e jetës së tyre! Lavdi e përjetshme heronjve dhe fitimtarëve!
* Fjala e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, M. Afanasiev në lidhje me 80-vjetorin e sulmit të Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik