Aksidenti tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë, ku një familje me 4 anëtarë humbi jetën të Premten ka shkaktuar dhimbje dhe hidhërim tek shqiptarët si dhe reagime të forta mbi atë që po ndodh.
Ngjarja
Aksidenti tragjik, ndodhi mëngjesin e sotëm, ku një makinë tip “Audi” në aksin “Levan-Vlorë” përplasi nga pas një tjetër makinë tip “Toyota” duke u shkaktuar vdekjen 4 anëtarëve të së njëjtës familje. Viktmë mbetën Eduart Gushi 44 vjeç, Silvana Gushi 33 vjeç, Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.
Për aksidentin u arrestua Igli Madani, 22-vjeç sipas njoftimit te Policisë së Shtetit:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin:
M., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin E. G., 44 vjeç dhe si pasojë ndërruan jetë 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin mjetin “Toyota”.
Reagimet
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka dalë me një deklaratë pas aksidentit tragjik në Fier-Vlorë që përfundoi me bilancin e 4 viktimave nga e njëjta familje.
Dervishaj siguron se ngjarja po hetohet me kujdes maksimal nga autoritetet për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë.
Ai thekson se pavarësisht prezencës së shtuar të uniformave blu në akse, sërish aksidentet po marrin 4 herë më shumë jetë njerëzish në Shqipëri se ngjarjet kriminale.
Ndërkohë ai paralajmëron se do të vijojë përforcimi i masave në këtë drejtim.
“Së pari, në emër të Policisë së Shtetit i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të personave që humbën jetën sot në aksidentin e ndodhur në aksin Fier – Vlorë.
Pavarësisht çdo rezultati të viteve të fundit, pavarësisht çdo trendi pozitiv në uljen e të vdekurve apo të plagosurve, aksidentet rrugore vijojnë të marrin jetë dhe për Policinë e Shtetit, çdo jetë e humbur në rrugë është shumë dhe do vijojë të konsiderohet shumë dhe e papranueshme, edhe sikur të ishte një jetë e vetme.
Jemi sinqerisht të keqardhur që pavarësisht prezencës së shtuar të Policisë Rrugore në të gjitha akset kryesore të vendit, sidomos tani gjatë sezonit të verës, angazhimi ynë me burime njerëzore dhe mjete teknologjike, ndonjëherë nuk mundet të parandalojë tragjedi të tilla.
Së dyti, dua të siguroj gjithë familjarët dhe të afërmit, si dhe opinionin publik, se aksidenti i sotëm po hetohet me kujdesin maksimal për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë në këtë rast tragjik.
Së treti, dua të theksoj se angazhimi ynë maksimal në terren ka nevojë për mbështetje, për mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve. Aksidentet rrugore sot marrin katër herë më shumë jetë se ngjarjet kriminale në vend dhe besoj kjo është mjaftueshëm për këdo të kuptojë se sa e rëndësishme është sjellja e kujtdo, në rrugë.
Së fundmi, dua t’i siguroj të gjithë se Policia e Shtetit do të vijojë të përforcojë masat, jo në funksion të ndëshkimit si qëllim, por për të mos lejuar që drejtuesit e mjeteve t’i kthejnë këto të fundit në rrezik real për veten dhe qytetarët e tjerë”, ishte kjo deklarta e Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj pas ngjarjes se rende.
Presidenti Meta: Policia Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e familjes në një aksident rrugor në autostradën Fier-Vlorë. Meta shpreh dhimbjen për humbjen e rëndë, ndërsa apelon policinë që të ndërmarrë masa për të parandaluara tragjedi të tilla. Ai bëri edhe një apel për qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
“Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë. I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve. Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret“, shkruan Meta.
Ruçi shpreh ngushëllimet: Parandalim dhe zero tolerancë ndaj shkeljes së ligjeve dhe rregullave të qarkullimit!
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të katër anëtarëve të familjes Gushi. Ruçi bën apelon ndaj qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa i bën thirrje policisë rrugore që të marrin masa dhe të tregojnë zero tolerancë për ata që shkelin ligjin.
“Një lajm tronditës, për një tragjedi familjare që mbylli dyert e një shtëpie. U ndërpre aksidentalisht jeta e dy vajzave të mitura dhe e prindërve të tyre. Lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, qytetarët e Patosit dhe të gjithë ne. U bëj thirrje gjithë qytetarëve, posaçërisht drejtuesve të mjeteve, të bëjnë kujdes në rrugë. U bëj thirrje forcave të rendit dhe policisë rrugore te marrin masa parandaluese dhe të tregojnë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjeve dhe rregullave të qarkullimit. U prehshin në paqe shpirtrat e vogëlusheve Eva dhe Anastasia dhe prindërve të tyre, Silvanës dhe Eduartit!”, shkruan Kryetari j Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Protesta
Të organizuar në rrjetet sociale me dhjetëra të rinj janë mbledhur sot para Ministrisë së Brendshme dhe më pas në atë të Transporteve duke u shtrirë në tokë ‘si të vdekur’ si mesazh sensibilizues për aksidentin e rëndë që ndodhi sot në aksin rrugor Fier-Vlorë, ku u shua një familje për shkak se u përpllasën nga një makinë me shpejtësi shkëterrë e drejtuar nga një i ri 20-vjeçar.
“Te paktën për një dite t’i lëmë qoftet dhe birrat nga tendat tek sheshi “Skënderbej” dhe të transferohemi pak nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Transportit. Në shenjë reagimi mbi aksidentet rrugore në vend, të mblidhemi tek këto dy vende dhe të shtrihemi në tokë “si të vdekur” duke dhënë një mesazh sensibilizues mbi ngjarjet e fundit. Është momenti për të reaguar. Sot në atë aksident mund të isha unë, ti apo kushdo nga ne! Sot ora 20:00 duhet të jemi të gjithë bashkë në shenjë proteste dhe ndërgjegjësimi”, thuhet në njoftimin në Facebook të shpëndarë nga të rinjtë.