Në doganën e Morinës ka nisur sot aksioni i pastrimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve nën moton “Për një atdhe të pastër”.
Në aktivitet morën pjesë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, prefekti i qarkut Kukës Zenel Kuçana, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës, dhe Rozeta Hajdari.
Në fjalën e tij, ministri Klosi ka falënderuar vullnetarët që morën pjesë në aksionin e pastrimit të territorit.
“Shumë faleminderit vullnetarëve të dy anëve të Bjeshkëve që organizuam këtë takim dhe padyshim një mirënjohje për institucionet e Kosovës që janë sot këtu për të bërë këtë aktivitet të përbashkët. Jo vetëm vullnetarët, jo vetëm institucionet tona të ministrisë përkatëse, Mjedisit, Turizmit dhe të Mbrojtjes së dy anëve të Bjeshkëve, ushtria e Kosovës dhe forcat e armatosura do të na ndihmojnë ne sot të bëjmë një aksion shumë të rëndësishëm që është pastrimi i liqenit të Kukësit, apo të liqenit që na bashkon të dy krahët e Bjeshkëve. Është një ambient i përbashkët të cilin ne duhet ta ruajmë e ta trajtojmë edhe në fakt për të shkuar drejtpërdrejt në politikat që ndjek Tirana si dy qeveri tashmë për të krijuar aktivitete të përbashkëta mjedisi dhe turizmi, për të fuqizuar ndërlidhjen ndërmjet dy shteteve tona për të bërë atë që kemi thënë gjithmonë e gjithmonë, për të trajtuar të dy anët e Bjeshkëve si një destinacion që i ofrohet gjithë shqiptarisë”, tha ai.
Po ashtu, Klosi shtoi se “këtu jemi në një kufi administrativ po që për historinë tonë dhe vlerat e mjedisit dhe natyrës, turizmit nuk ka asnjë kuptim”.
“Prandaj për këtë aksion të përbashkët që po zhvillojmë sot ne duhet të falënderojmë vullnetarët që kaq shumë na janë bashkuar për të bërë një detyrë që duhet ta bëjmë çdo ditë në atë të pastrimit të liqeneve dhe lumenjve tanë. Po sot edhe në kuadër të këtij sezoni turistik ne jemi bashkë për të dhënë një mesazh, që ne jemi një destinacion, kemi një mjedis, një natyrë, kemi një destinacion turistik dhe prandaj duhet të jemi të gjithë në një forcë, në një vullnet, të gjithë në një ide që duhet ta mbajmë shqiptarinë pastër”, tha Klosi.
Nga ana e saj, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës, Rozeta Hajdari përgëzoi gjithë vullnetarët që kanë marrë një iniciativë kaq të bukur që na bashkojnë dy shtete Kosovë dhe Shqipëri dhe na kujtojnë që ne duhet të punojmë shumë së bashku për të punuar në agjendën evropiane me agjendën e gjelbër”.
“Si Ministri e Industrisë dhe Tregtisë me politikat e reja që do të krijojmë me qeverisjen Kurti do të ndihmojmë dhe kontribuojmë me agjendën evropiane dhe po ashtu bashkëpunimin sa më të afërt me Shqipërinë përsa i përket turizmit dhe sektorëve të tjerë. Unë shpresoj që të takohem me ministrin Klosi dhe të tjerë në festivalin e vreshtës, në festivalin e çiklizmit malor dhe zhvillimin rural dhe shumë oferta turistike që mund t’i afrojmë së bashku si shtete fqinje në tërë Evropën dhe vende të tjera më larg. Si shtete të Ballkanit Perëndimor dhe shtete të Evropës Juglindore ne kemi mundësinë tani që thirret afërsia më e afërt e vijave të prodhimit industrial nga Evropa. Ne nuk mund të prodhojmë automobila, por ne mund të prodhojmë pjesë të tyre. Kështu që është e nevojshme të prodhojmë ofertën e përbashkët si dy shtete dhe unë jam shumë pozitive që bashkë dhe me shtetet e tjera të Ballkanit ne do të kemi një ofertë të mirë”, tha ajo./ata