Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin në oret e para të mëngjesit, ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 2 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Përplasja me armë zjarri ka nisur mes 2 familjeve pronare të dy hoteleve në zonë, vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit, për disa shezlongë.
Konflikti që nisi verbal përfundoi në përdorimin e armëve, plumbat e të cilave i morën jetën Kujtim Ferracakut; dy pronarëve të hotelit tjetër Xhovani dhe Edmond Gocaj. Bashkë me ta humbi jetën dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç.
Drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj ka dhënë detaje në lidhje me përplasjen me armë pak pas mesnate, në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona dhe dy të plagosur.
Brahimaj dhe se ngjarja ka ndodhur para ambienteve të hotel ‘Gocaj’ dhe përplasja ka nodhur për shkak të ndarjes së pronësisë mbi ambientet ose mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzohen për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve. Brahimaj tha më tej se janë përdorur më shumë se një armë.
‘Rreth orë 00.30 minuta në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet të jashtëm të hotel Gocaj ku për shkak të konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta. Motive të dobëta, duhet të them për shkak të ndarjes së pronësisë mbi ambientet ose mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzohen për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.
Si rezultat ka gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, dhe 2 anëtare të familje Gocaj, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç. I vdekur ka mbetur edhe Myzerim Zeneli 20 -vjeç punonjësi i shezlongëve, vetëm 20 vjeç. I plagosur në ngjarjen e rëndë ka mbetur Hasan Ferracaku 54-vjeç, si dhe Elmilind Dyli 17-vjeç.
Policia ka marrë masa dhe ka mbërritur në vendngjarje. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë. Një pistoletë është sekuestruar. Janë sekuestruar një numër kamerash sigurie. Shumë shpejt do të ketë persona të arrestuar.’- tha Brahimaj.
Reagimet
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur mëngjesin e sotëm me pamje nga bregdeti i Velipojës, ku vetëm pak orë më parë ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur. Si duket ende nuk ishte njohur me ngjarjen tronditëse, ndaj postimi i tij u fshi menjeherë pas qindra reagimesh nga lexuesit në facebook.
“MIRËMËNGJES nga Velipoja e dashur”, shkruan Rama përbri fotos. Nuk kanë munguar dhjetëra komente që i kanë kujtuar kryeministrit se çfarë ka ndodhur duke e pyetur madje nëse e ka seriozisht me këtë postim.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: Shteti është gjunjëzuar para krimit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Velipojë, ku pas një përpjasje me armë mbetën të vdekur katër persona. Basha thotë se shteti është gjunjëzuar para krimit. Duke ju referuar një fotoje të kryeministrit Edi Rama në Facebook, për Velipojën turistike, postim i cili u fshi shumë shpejt, Basha thotë se përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë.
‘Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik. Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë.’- shkruan Basha.
Ndërkohë presidenti Ilir Meta bën thirrje që Policia e Shtetit dhe e strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit. Meta shton se rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Ademi se humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
Voltana Ademi: Mund të ishte parandaluar, nëse do ishin dhënë sipas afateve hapësirat
Për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Velipojën e tronditur nga 4 të vrarët në këtë sezon turistik ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Ajo shkruan se kjo duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Sipas saj humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
“Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar përpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm. Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimmarrje të vonuara apo të munguara të shtetit”, ka shkruar Ademi.
Presidenti Meta: Policia e Shtetit të mbikëqyrë territorin e vendit! Rendi dhe siguria janë dëmtuar seriozisht, duhen masa të reja
Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak pas mesnate në Velipojë, ku pas një përplasje me armë zjarri mbetën të vdekur 4 persona. Meta bën thirrje që Policia e Shtetit dhe e strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Meta thotë më tej se rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.
‘Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.
Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”. Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë.
Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.’- shkruan Meta.
Erion Braçe: Braçe ka ardhur koha që shteti të marrë atë që i takon, atë që është publike për ta menaxhuar me mënyrën e vetme, duke i shërbyer qytetarëve kudo
Zëvendës kryeministri Erion Braçe, ka reaguar për vrasjen e katërfishtë që tronditi mbrëmjen e së shtunës Velipojën.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Braçe thekson se beteja me armët i përket institucioneve duke filluar nga Policia tek Prokuroria e Gjykata, ndërsa thekson se ligjet për janë aty, madje sipas tij edhe të ashpra.
Gjithashtu Braçe shprehet se prej 30 vitesh është thënë se privati e menaxhon më mirë atë që është e shtetit, por sipas tij e vetmja gjë që ka ndodhur është vetëm shkatërrim, ndërtime pa leje, çmime luksi duke u bërë zot me bregun e shtetit.
Tashmë thotë Braçe ka ardhur koha që shteti të marrë atë që i takon, atë që është publike për ta menaxhuar me mënyrën e vetme, duke i shërbyer qytetarëve kudo, si atyre vendas dhe qytetarëve të huaj.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje./ argumentum.al