Në Ohër të Maqedonisë së Veriut po mbahet konferenca ndërkombëtare “Forumi Dialogu i Prespës” me pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë nga rajoni si dhe zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ky takim i këtij formati është i pari i këtij lloji, ndërsa synon thellimin e bashkëpunimit në më shumë fusha mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca ndërkombëtare mbi Ballkanin Perëndimor ka si temë diskutimi ndërtimin e besimit mes popujve, marrëdhëniet transatlantike, cështje që lidhen me shoqërinë civile, dialogun dhe nxitjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut e kompromisit.
Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut është organizatore e këtij takimi që zgjat të enjten dhe të mërkurën dhe ku marrin pjesë drejtues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të lartë të Administratës së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare.
Në një nga panelet lidhur me ekonominë dhe biznesin titulluar “Rruga drejt një rajoni të lidhur dhe të integruar dhe si të arrijmë deri atje”, foli mes tjerësh dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, i cili theksoi nevojën që drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të zgjidhin dallimet mes tyre përmes dialogut dhe kompromisit për të arritur mirëqenien kolektive.
“Kjo përfshin përparimin në bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe mundësimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha zyrtari amerikan.
Zoti Palmer shprehu zhgënjimin për mosdhënien e datës për bisedime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, krahas përpjekjeve të forta të Portugalisë si vend kryesues i BE-së dhe shteteve të tjera partnere, siç tha.
“Këto vonesa mund të kenë ndikime negative kundrejt synimeve të BE-së dhe SHBA-së për rajonin, përfshirë jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por dhe mbi çështjet kushtetuese që kanë të bëjnë me Bosnjën dhe Bashkimin Evropian, si dhe interesat më të gjera në rajon”, tha ai.
Zoti Palmer tha se ka kritika për rolin e SHBA-së se janë angazhuar tej mase apo se nuk janë mjaft të angazhuara në rajon, por SHBA, shtoi ai, janë të balancuara në lidhje me këtë.
“Por, vizioni ynë afatgjatë për rajonin është paqja në vetvete dhe me fqinjët, një rajon i qëndrueshëm, në mirëqenie, i integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.
“Kjo tha, zoti Palmer, na jep shpresë se ky nuk është vetëm vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, por edhe i partnerëve tanë evropianë, ndërsa tha se është me shumë rëndësi që vetë shtetet e Ballkanit e artikulojnë këtë vizion”.
Ministri gjerman për Evropën Michael Roth tha se mosmarrëveshjet bilaterale si ato mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të jenë pengesë për procesin e integrimit evropian. Edhe ai shprehu keqardhje për vendimin e Këshillit të Ministrave (të BE-së) për të mos përcaktuar datën e bisedimeve për dy vendet e Ballkanit, “për miket tona, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha ai përmes një paraqitjeje online. Zoti Roth nënvizoi, nga ana tjetër nevojën për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Rajoni për herë të parë do të ulet me vetë-iniciativë në mënyrë të rregullt për të biseduar mbi ]ështjet që na dallojnë, por para së gjithash për ato që na bashkojnë, me qëllim të hapjes së rrugës për të arritur deri te portat e Evropës“, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Në një panel që mbahet më vonë gjatë ditës pritet të flasë edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ish-ndërmjetësi i Marrëveshjes së Ohrit Alen LeRoy, ish-Sekretari i Natos Lord George Robertson si dhe autorët kryesorë të arritjes së Marrëveshjes së Prespës, Alexis Tsipras, Zoran Zaev dhe Mathew Nimetz. Konferenca vazhdon edhe të premten.