Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas raportimeve të fundit për mundësinë e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, dhe se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka mundësi të bëhet më 12 qershor në Uashington.
Kurti ka thënë, në një shkrim të tij në Facebook, se opsione për Kosovën po bëhen mjaftueshëm, “me 13 pika, me 16, me 17 e me 22 pika”.
E gjithë kjo po ndodh, sipas tij, sepse “presidenti i Kosovës e ka vënë shtetin në pazar dhe po thotë se u bë aksham”.
Kurti ka thënë se Thaçi “don ta çmontojë dhe ta falë” Kosovën, ose do ta “shesë pjesë-pjesë”.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Opsione për Kosovën, sa të duash. Me 13 pika, me 16, me 17, me 22 pika! Sepse i ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin tonë në pazar dhe po thotë se u bë aksham. Kosovën don ta çmontojë dhe ta falë ose shesë pjesë-pjesë: dikujt Trepçën, tjetërkujt Ujmanin, me përqindje KEK-un, Mitrovicën ta bëjë Bërçko, kishat e manastiret ortodokse Hilandar, dhe, statuse speciale gjithandej diku 35 e diku 99 vjet. Çka i bie kjo, si Bosnja, si Palestina apo si Hong Kongu? Paj, të trija këto. Ama në fund të dialogut na vjen njohja, thotë edhe qeveria porsi ai – pra, do të njihet ajo që mbetet nga Kosova, ndërkohë që e kanë pranuar mosnjohjen e Serbisë. Këta njerëz edhe pavarësinë ta varin.