Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.
Ndërkaq partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke e quajtur këtë e vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit .
Kuvendi gjithashtu nuk aprovoi raportin vjetor të RTK-së për vitin 2020. Për këtë pikë 62 deputetë votuan kundër, kurse pro dhe abstenime nuk pati.
Bordi i RTK-së, i cili u shkarkua sot nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar duke e quajtur këtë vendim politik, antiligjor dhe ndërhyrje flagrante në transmetuesin publik.
Bordi i shkarkuar i RTK-së ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.
Reagimi i plotë i Bordit të RTK-së
Veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.
Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.
Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave.
Bordi i RTK-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.
Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbitrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës./RTK