Ambasada amerikane në Prishtinë kritikoi të premten vendimin e parlamentit të Kosovës për shkarkimin e bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës.
Ambasada tha se shkarkimi u bë me “arsyetime të mangëta”.
Të ënjtën, Parlamenti i Kosovës shkarkoi anëtarët e bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës me propozim të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, të cilët vendimin e kanë arsyetuar me siç thanë “tendencën për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të punonjësve në transmetuesin publik, i cili financohet nga parlamenti i Kosovës”.
Ambasada amerikane pa e përmendur RTK-në, shkroi në rrjetet sociale se “ndonëse qytetarët e Kosovës meritojnë llogaridhënie, shkarkimet duhet të mbështeten në prova transparente ashtu sikundër edhe emërimet duhet të mbështeten në merita. Shkarkimet e njëanshme e të nxituara, dëmtojnë institucionet publike dhe nuk trajtojnë problemet strukturore”, thuhet në reagimin e ambasadës në të cilin nënvizohet se “reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të matur dhe metodike duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”.
<blockquote class=”twitter-tweet”><p lang=”en” dir=”ltr”>(1/2) Yesterday, the Assembly dismissed members of another public oversight board with scant justification. While Kosovans deserve accountability, dismissals should be based on transparent evidence just as appointments should be based on merit. <a href=”https://t.co/L0susn57Zf”>pic.twitter.com/L0susn57Zf</a></p>— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) <a href=”https://twitter.com/USEmbPristina/status/1413455843891159050?ref_src=twsrc%5Etfw”>July 9, 2021</a></blockquote> <script async src=”https://platform.twitter.com/widgets.js” charset=”utf-8″></script>
Kundër shkarkimit të bordit drejtues ishin partitë opozitare në parlamentin e Kosovës.
Anëtarët e shkarkuar të bordit drejtues e cilësuan vendimin si “politik, kundërligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”, ndërsa paralajmëruan verime ligjore për ta kundërshtuar atë, që e cilësuan “vendim arbitrar”.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati e quajti shkarkimin “precedent të rrezikshëm për RTK-në dhe të ardhmen e mediumit publik”.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që nga marrja e detyrës ka shkarkuar borde drejtuese të disa ndërmarrjeve publike.