Memorandumi i Mirëkuptimit midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe SHBA-së për sigurinë 4G dhe 5G, ka hyrë tashmë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
I firmosur në Bruksel, më 13 qershor 2021 nga Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ky memorandum jo vetëm që do të përmirësojë sigurinë kombëtare, por gjithashtu do të ofrojë mundësi që novatorët e sektorit privat të kenë sukses në kushte të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe do të përfitojnë nga ekonomitë përkatëse digjitale.
Por ku bazohet dhe çfarë parashikon ky memorandum?
Duke marrë parasysh që rrjetet e sigurta të gjeneratës së pestë (5G) do të jenë me rëndësi jetike si për prosperitetin e ardhshëm ashtu dhe sigurinë kombëtare dhe që vendimet e marra në lidhje me rrjetet e komunikimit pa tel të gjeneratës së katërt (4G) do të paraqesin implikime serioze për instalimet e ardhshme të 5G, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara shprehin dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin e tyre për 4G dhe 5G.
“5G do të mundësojë një gamë të gjerë aplikimesh të reja, përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve kritike për publikun, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe ekonomive tona”, thuhet në Memorandum.
Rritja në sasi dhe përhapja e pakufizuar e të dhënave në rrjetet 5G do të ndërlidhin më tej ekonomitë e botës, përfshirë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara, dhe do të lehtësojnë shërbimet dhe tregtinë ndërkufitare.
Si aleatë të NATO-s, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kuptojnë se përdorimi i rrjeteve 5G të prodhuara nga prodhues jo të besueshëm mund të rrezikojë ndërveprimin ushtarak dhe civil dhe mundësitë e shkëmbimit të dhënave të inteligjencës.
“Mbrojtja e këtyre rrjeteve të komunikimit të gjeneratës së ardhshme nga ndërhyrja ose manipulimi dhe garantimi i sigurisë, privatësisë dhe lirive individuale të qytetarëve të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë me rëndësi jetike për të siguruar që popujt tanë të përfitojnë nga mundësitë e jashtëzakonshme ekonomike që 5G do të mundësojë”, vlerësohet më tej.
Si rrjedhojë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara njohin deklaratën e Konferencës së Pragës për Sigurinë e 5G –“Propozimet e Pragës” –si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një plani të përbashkët për sigurinë e rrjetit 5G dhe sigurimin e një ekosistemi 5G të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
Propozimet e Pragës theksojnë nevojën e zhvillimit, instalimit dhe komercializimit të rrjeteve 5G, bazuar në parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, transparencës dhe sundimit të ligjit.
Shqipëria dhe SHBA ntheksojnë rëndësinë e inkurajimit të pjesëmarrjes së furnizuesve të sigurt dhe të besueshëm të harduare dhe softuare në tregjet 4G dhe 5G, duke marrë në konsideratë vlerësimet e profilit të riskut dhe promovimin e kornizave efektive për të mbrojtur rrjetet 4G dhe 5G nga aksesi ose ndërhyrje të paautorizuara ose me qëllim të keqdashës.
Po ashtu, Shqipëria dhe SHBA pranojnë më tej se furnizuesit me 4G dhe 5G duhet të ofrojnë produkte dhe shërbime që mundësojnë inovacionin dhe promovojnë efikasitetin. Këto produkte dhe shërbime, gjithashtu, duhet të mundësojnë konkurrencë të ndershme dhe të inkurajojnë zhvillimin e mëtejshëm nga një numër maksimal i pjesëmarrësve në treg.
Shqipëria dhe SHBA besojnë se qeveritë kanë një përgjegjësi të përbashkët të ndërmarrin një vlerësim të kujdesshëm, të ekuilibruar të furnizuesve me harduare dhe softuare të 4G dhe 5G dhe zinxhirit të furnizimit të teknologjisë 4G dhe 5G, në përpjekje për të promovuar një arkitekturë të sigurt dhe të qëndrueshme 5G.
Me qëllim për të promovuar një ekosistem të qëndrueshëm dhe vibrant të një rrjeti 5G, vlerësimi i rreptë i furnizuesve duhet të marrë parasysh sundimin e ligjit; mjedisin e sigurisë; praktikat etike të furnitorëve; dhe pajtueshmërinë e një furnizuesi me standardet e sigurta dhe praktikat më të mira të industrisë.
Konkretisht, vlerësimet duhet të përfshijnë elementet e mëposhtme: 1. nëse furnizuesit me harduare dhe softuare të rrjetit i nënshtrohen, pa shqyrtim gjyqësor të pavarur, kontrollit nga një qeveri e huaj; 2. nëse furnizuesit me harduare dhe softuare të rrjetit financohen në mënyrë të hapur dhe transparente, duke përdorur praktikat standarde më të mira në prokurim, investime dhe kontraktim; 3. nëse furnizuesit me harduare dhe softuare të rrjetit kanë pronësi, partneritete dhe struktura qeverisjeje transparente të korporatës; 4. nëse furnizuesit me harduare dhe softuare tregojnë përkushtim për inovacionin dhe respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Shqipëria dhe SHBA do të konsiderojnë të ndihmojnë njeri tjetrin në vlerësimin, shqyrtimin dhe zbatimin e këtyre parimeve sipas nevojës.
“Duke pasur parasysh se Shqipëria dhe SHBA janë të vendosur të mbështeten vetëm te prodhues të besuar në përputhje me standardet e përmendura sa më sipër, ne inkurajojmë kalimin nga furnizues me harduare dhe softuare të pabesueshëm në rrjetet ekzistuese tek ata që janë të besueshëm nëpërmjet zëvendësimeve të rregullta me një cikël jetësor”, thuhet më tej në memorandum.
Përpjekje të tilla, pavarësisht nga vështirësitë, jo vetëm që do të përmirësojnë sigurinë kombëtare, por gjithashtu do të ofrojnë mundësi që novatorët e sektorit privat të kenë sukses në kushte të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe do të përfitojnë nga ekonomitë përkatëse digjitale.
Për të lehtësuar krijimin e një zinxhiri të sigurt furnizimi për infrastrukturën e ardhshme të telekomunikacionit, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë të punojnë në koordinim me njëri-tjetrin dhe me qeveritë e tjera të interesuara për inovacionin për të promovuar një zinxhir të larmishëm dhe vibrant të furnizimit me teknologji të sigurta dhe të besueshme të rrjetit pa tel të gjeneratës së ardhshme.