Komisioni Europian reagoi sot pas padisë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bëri në SPAK ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme të Bashkimit Europian, Peter Stano, deklaroi sot në një konferencë për mediet, se i cilëson të pabaza akuzat e ngritura ndaj ambasadorit Soreca, duke thënë se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri.
“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër kreut të Delegacionit të BE në Tiranë, dhe më duhet të them se akuzat dhe iniciativat nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në Shqipëri, të drejtuara ndaj kreut të Delegacionit në Shqipëri janë të pabazuara dhe dezinformuese”, tha Stano.
“Ambasadori Soreca, kreu i Delegacionit ka suportin e plotë dhe të palëkundur nga liderët e Komisionit Europian dhe EEAS, për punën e madhe që po kryen në terren dhe në interesin e BE, të marrëdhënieve mes BE-së dhe Shqipërisë dhe të popullit shqiptar”, theksoi Stano.
“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe u bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë të mbështesin vazhdimin e implementimit të reformës në gjyqësor, sepse përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në ndjekje të Reformës në Drejtësi dhe vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë tashmë rezultat e para të prekshme dhe nuk mund të kthehen mbrapsht apo të ngadalësohen”, nënvizoi Stano.