U nënshkrua sot në Tiranë memorandumi i mirëkuptimit mes Albgaz, Excelerate Energy L.P dhe Snam S.p.A, për të studiuar mundësitë për bashkëpunim për ndërtimin e një gazsjellësi nga terminali i Vlorës në drejtim të infrastrukturave të tjera të mundshme të gazit natyror në Shqipëri.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e mbajtur në këtë takim tha se gazifikimi i vendit është një nga strategjitë më të rëndësishme të qeverisë.
Sipas saj, nuk mund të mbështeten të gjithë sektorët e ekonomisë vetëm në energjinë elektrike.
“Është i nevojshëm për ne krijimi i një burimi alternativ për mbështetjen e industrisë, turizmit, apo bujqësisë, një burim alternativ siç është gazi, me një strategji, një master plan që jep në mënyrë të detajuar të gjitha hapat që do të hidhen për të ardhmen. Sot jemi këtu pikërisht për të hedhur themelet e kësaj strategjie të rëndësishme. TAP, një nga projektet më të mëdha sa i përket fushës së gazifikimit, kalon në Shqipëri dhe ky është një fat i madh për vendin. Zhvillimi i këtij projekti u kthye në shembull për projektet që do të bëhen në të ardhmen. Nëse TAP nuk do kishte kaluar në Shqipëri, nuk do kishim sot kompaninë tonë kombëtare të gazit, Albgaz”, tha ministrja.
Ministrja Balluku e cilësoi ambicioz bashkëpunimin me TAP për të ringjallur TEC-in e Vlorës.
“Kur diskutuam në fillim si mund të gjenim një mënyrë bashkëpunimi midis TAP dhe projektit tonë për të ringjallur TEC-in e Vlorës në fillim kemi qenë edhe vet skeptik. Ishte diçka që nuk e dinim nëse do të kishim një pritje pozitive nga ana e TAP për të përdorur të gjithë infrastrukturën e tyre dhe injektuar atje gazin e lëngshëm që do të vijë në Shqipëri, për të bërë operativ TEC-in e Vlorës. Pjesë shumë e rëndësishme e projektit është kthimi i Shqipërisë në një HAB për shpërndarjen e gazit të lëngshëm amerikan. Rëndësia gjeopolitike e këtij projekti nuk ndalet thjeshtë në rritjen e prodhimit energjetik në vend, por në forcimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, mbështetur në aleancën tonë me SHBA”, deklaroi Balluku.
Sipas saj, synimi i qeverisë shqiptare fillimisht është të plotësojë nevojat e tregut vendas, e më pas të kthehet në një fuqi eksportuese në rajon për t’u dhënë konsumatorëve familjarë e bizneseve.