Nga Genc MLLOJA
2021 do të mbetet një vit përkujtimesh historike monumentale për Republikën Popullore të Kinës që i kanë bërë mbarë popullin, të gjitha shtresat, përfshi edhe pakicat kombëtare, të ndjehen më krenar për lartësitë që ka kapur vendi i tyre dhe plot shpresë për të ardhmen më të begatë. Nuk do të ishte aspak i tepërt përcaktimi: ‘Nga tragjedia në lavdi!” në këtë vit përvjetoresh sepse 100 vite nga krijimi i Partisë Komuniste kanë sjellë njërin sukses pas tjetrit nën udhëheqjen e saj duke kulmuar me shpalljen e vizionit largpamës të ndërtimit të një vendi të madh, të fuqishëm e të zhvilluar socialist në mesin e shekullit 21.
Në këtë rrugëtim të plotsuksesshëm në mes përpjekjesh të panumërta titanike zë një vend të veçantë në kronologjinë e vitit 2021 përvjetori i rikthimit të RP të Kinës në vendin e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, rivendosja e të drejtave të saj legjitime si një ndër vendet anëtare të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe një prej 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, që ngjau më 1971 në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Miratimi i rezolutës Nr. 2758 më 25 tetor të atij viti vendosi me shumicë absolute të votave drejtësinë e mohuar çka edhe shënoi fillimin e marrëdhënieve të reja midis Kinës dhe OKB-së. Tashmë ky vend me popullsinë më të madhe në botë, me pontencial në rritje zhvillimi ekonomik dhe fuqi determinuese politiko-ushtarake zuri vendin e tij të privuar prej dekadash të tëra.
Në çdo moment që përfaqësuesit kinez të niveleve të ndryshme, përfshi edhe Presidentin Xi Jinping, ngjiten në podiumin e Asamblesë së Përgjithshme, flasin në Këshillin e Sigurimit, debatojnë në 6 Komisionet kryesore dhe mekanizma të tjerë të sistemit të Kombeve të Bashkuara, por veçanërisht në këtë 50 vjetor historik si përvjetor, por edhe historik për udhëkryqin ku ndodhet bota, anëtarët e delegacioneve të 187 vendeve anëtare kanë çfarë të mbajnë shënim mbi propozimet konkrete dhe urgjente që i parashtron njerëzimit vendi me popullsinë më të madhe në botë dhe i dyti më i fuqishmi ekonomik, vendi që u del zot vendeve në zhvillim e popujve të varfër, fuqia ndër më të mëdhatë ushtarake që garanton paqë, siguri dhe stabilitet në mbarë planetin tonë e konsideruar shtëpia e përbashkët e të gjithë popujve.
“Kjo është një ngjarje e një rëndësie të madhe historike dhe shënon se Kombet e Bashkuara janë bërë me të vërtetë organizata përfaqësuese ndërkombëtare më universale. Gjatë 50 viteve të kaluara, Kina ka qenë nxitëse e paqes botërore, një kontribuuese e zhvillimit global dhe një mbrojtëse e rendit ndërkombëtar, duke dhënë kontribut pozitiv për çështjen fisnike të Kombeve të Bashkuara”, vinte në dukje një deklaratë e Ministrisë së Jashtme më 30 prill 2021.
Në atë deklaratë zbuloheshin një sërë veprimtarish që janë parashikuar të mbahen në këtë kuadër në fushat e misionit paqeruajtës të OKB-së, të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor, të zhdukjes së varfërisë, të ambjentit ekologjik, të të drejtave të njeriut etj.
Për të qenë më konkret. Pikërisht në këtë përvjetor Kina inicioi Grupin e Miqve mbi Mbrojtjen e Sigurimin e Paqeruajtësve të OKB-së më 27 prill duke e udhëhequr këtë iniciativë fisnike e humane. Duke filluar veprimtarinë operative qendra për çështjet e paqeruajtësve e Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës dhe Departamenti i Operacioneve të Paqes zhvilluan bashkërisht një mbledhje virtuale gjatë të cilës shkëmbyen përvojën në fushën e paqeruajtjes në botë, një kontribut i vyer për popujt e vendeve në konflikte shpesh të përgjakshme pjesa më e madhe e të cilave janë krijuar e nxitur nga SHBA dhe aleatët e tyre më të afërt perëndimorë si në kohën e kolonializmit e neokolonailizmit. Çfarë është më e dukshme dhe e rëndësishme për paqen në botë mjafton të përmendim se Kina ka marrë pjesë në 29 misione paqeruajtëse të OKB-së dhe ka dërguar një total prej më shumë se 5.000 paqeruajtësish. Kësisoj ajo është bërë kontribuuesja më e madhe në operacionet paqeruajtëse ndër anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Sipas ministrit të jashtëm Wang Yi, Kina është kontribuuesi i dytë më i madh me fonde i OKB-së dhe i operacioneve paqeruajtëse të kësaj organizate.
1950-2121, vlera e patjetërsueshme e 5 parimeve të bashkekzistencës paqësore
Duke folur në Forumin Lanting me temë “Kina dhe OKB: Bashkëpunimi në 50 vjet dhe më Tej” më 25 qershor 2021, Ministri i Jashtëm Wang Yi deklaroi se gjatë 50 viteve të kaluara, shumë qytetarë kinezë janë angazhuar në veprime të OKB-së dhe kanë qenë dëshmitarë, kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar për bashkëpunimin e Kinës me OKB-në, tha Wang. Sipas tij, Kina ka dhënë një shembull të mirë në ruajtjen e rendit ndërkombëtar dhe është e angazhuar ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe barazisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai risolli në vëmendje se Kina propozoi 5 Parimet e Bashkekzistencës Paqësore qysh në vitet 1950 dhe që nga ajo kohë i ka respektuar ata besnikërisht, duke kontribuar dukshëm në formulimin e normave bazë që drejtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë ai vuri në dukje se Kina ka mbrojtur fort sistemin ndërkombëtar të drejtuar nga OKB-ja dhe ka nxitur rolin qendror të organizatës në çështjet ndërkombëtare.
Si vendi më i madh në zhvillim në botë dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, Kina ka respektuar gjithmonë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe ka nxitur frymën e multilateralizmit, deklaroi Wang.
Në çdo fushë kontributi i saj ka qenë vendimtar dhe i mirëpritur por po lë gjurmë të thella ndihmesa e saj në përballjen me pandeminë kovidiane, çka edhe më skeptiku nuk e mohon. Mbarë njerëzimi është i njohur me këtë kontribut, përfshi edhe opinionin publik shqiptar, i cili është mirënjohës për ndihmën e dhënë nga autoritetet përkatëse kineze të ndihmave me mjete anti-kovidiane në kulmin e krizës shëndetësore në Shqipëri.
Por dukshëm është rritur aktivizimi i Kinës në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut se nëse ka vend që jetën e ka vënë në krye të çdo detyre këtë e tregoi me mobilizimin kombëtar në mposhtjen e pandemisë, dhe ia doli me sukses me nivelin më të ulët të fataliteteve dhe në kohë rekord (tre muaj)!
Në këtë aspekt Kina ka qenë aktive në kuadrin e forumeve të OKB-së të shpreh mbështetjen në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vendin e vet dhe në vende të tjera. Koincidoi që 50-vjetori i ripranimit në OKB të shënohet me 20-vjetorin e miratimit të “Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durban-it”, që kundërshton racizmin, diskriminimin racor dhe ksenofobinë.
Me këtë rast në sesionin e 47-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që u mbajt në Gjenevë nga 21 qershori deri në 14 korrik 2021, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në OKB, Chen Xu, mbajti një fjalim të përbashkët në emër të mbi 50 vendeve, ku theksoi se bashkësia ndërkombëtare është kundër racizmit, diskriminimit racor dhe ksenofobisë. Ambasadori Chen Xu vuri në dukje se vitet e fundit, diskriminimi dhe krimet e urrejtjes kundër personave me prejardhje aziatike dhe afrikane janë rritur ndjeshëm në vende përkatëse për shkak të nxitjes së deklaratave nga politikanët dhe mediat. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të bëj çmos të çrrënjosë farën e keqe të racizmit dhe nuk duhet të lejojë ushtrimin e dhunës dhe diskriminimit ndaj tyre, deklaroi përfaqësuesi kinez.
Në fund të diskutimit të përgjithshëm dhe debatit sesioni i 47-i këtij Këshilli miratoi më 13 korrik 2021 rezolutën me titull “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të afrikanëve dhe të personave me prejardhje afrikane kundër përdorimit të tepruar të forcës dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut nga zyrtarët e zbatimit të ligjit përmes ndryshimit transformues për drejtësinë dhe barazinë racore”, e cila bën thirrje për angazhim konkret për trajtimin e racizmit sistemor kundër afrikanëve dhe personave me prejardhje afrikane.
Ndër të tjera kjo rezolutë kujton vrasjen tragjike të George Floyd-it në Minesota, SHBA, më 25 maj 2020, vë në dukje se tregtia e skllevërve transatlantikë është ndër burimet kryesore dhe manifestimet e racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me të, dhe në fund kjo rezolutë parashtron krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar të ekspertëve të pavarur për të hetuar përgjigjet e qeverive ndaj protestave paqësore kundër racizmit dhe të gjitha shkeljeve të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Por, nga ana tjetër, nga podium i sesionit të 47-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut kanë shprehur qëndrimet e tyre shumë organizata shoqërore kineze. Ato ishin të pranishme në konferencë nëpërmjet lidhjes me video për të treguar arritjet e të drejtave të njeriut të Kinës dhe për të folur mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në SHBA. Në dialogun mbi përballimin e pandemisë, përfaqësuesi i Fondacionit Kinez për Lehtësimin e Varfërisë Wu Peng tha se pandemia COVID-19 ka zhytur në varfëri 100 milionë njerëz në mbarë botën. Fondacioni bën përpjekje për të parandaluar dhe kontrolluar epideminë e brendshme si dhe ka zhvilluar bashkëpunim me Mianmarin, Nepalin, Pakistanin, Etiopinë për të siguruar jetesën bazë të banorëve vendorë, që tregon konceptin e Kinës për ta vendosur jetën e banorëve në vend të parë.
Për solidaritetin ndërkombëtar, përfaqësuesi i Fondacionit Kinez për Zhvillimin e të Drejtave të Njeriut Yang Bochao u shpreh se qysh nga shpërthimi i pandemisë, Kina ka zbatuar premtimin për bërjen e vaksinave një produkt publik global, ndërkohë ka ofruar dhe shumë ndihmë humanitare.
E reja nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut Chen Yingxin tha se në samitin e G7-s të mbajtur pak kohë më parë, disa vende goditën Kinën me akuza të pabaza. Por në fakt, hongkongasit përshëndetën miratimin e ligjit të sigurisë kombëtare për shkak se ai mbron të drejtat e jetës së tyre dhe i mbron ata nga dhuna.
Lidhur me të drejtat e njeriut dhe korporatat ndërkombëtare, përfaqësuesi kinez Zhang Xiaoyu u shpreh se Kina i përmbahet gjithnjë parimit të përfitimit të ndërsjellë dhe këmbëngul në rregullin e tregtisë shumëpalëshe. Tani mbi 1 milion ndërmarrje të huaja kanë hapur degët e tyre në Kinë. Kina do të shpejtojë ndërtimin e mekanizimin e ri të ekonomisë me mënyrën e hapur dhe me nivelin e lartë, për t’u ofruar më shumë mundësi tregtare shumëkombësheve, mjedis më të mirë investimi dhe kthim më të lartë të investimeve, që do të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të zhvillimit të njerëzve nga vende të ndryshme.
Një përfaqësues nga rajoni i Xinjiang-ut foli mbi problemin e së ashtuquajturës “punë të detyruar” duke theksuar se të gjitha të drejtat e tij mbrohen dhe nuk ekziston e ashtuquajtura “punë e detyruar”. Për mbrojtjen e privatësisë, përfaqësuesi Wang Sixin u shpreh se Kina ka forcuar ligjet, ka fituar më shumë përvojë dhe ka arritur rezultate të dukshme mbi respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave personale të privatësisë. Nga ana tjetër, në SHBA kanë shpërthyer një seri skandalesh që shkelin seriozisht të drejtën e privatësisë, prandaj ai vend duhet të përballet me problemet e veta dhe jo të shënjeshtrojë vendet e tjera.
Ndërkohë ka qenë i ashpër reagimi i Kinës ndaj veprimit jashtëzakonisht provokues që lidhet me uljen e një aeroplani ushtarak amerikan në ishullin e Tajvanit. Ky veprim përplaset haptas me vijën e kuqe të Kinës si dhe shkel dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane. Pala kineze shprehu kundërshtim të fortë ndaj këtij veprimi dhe publikoi një paralajmërim solemn, që Ushtria Çlirimtare e Popullit Kinez mban një qëndrim të lartë gatishmërie dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shtypur me vendosmëri çdo komplot të “pavarësisë së Tajvanit”, njoftonte CRI më 16 korrik 2021.
Çështja e Tajvanit është më e ndjeshmja në marrëdhënie kino-amerikane. Pas ardhjes në pushtet të administratës së tanishme amerikane, ajo ngul këmbë në politikën e ‘Një Kine’, por në fakt nxit vazhdimisht forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”, për ta kthyer ishullin kinez në një peng strategjik të SHBA-së ndaj Kinës. Kjo qasje e gabuar u jep sinjale të gabuara forcave përçarëse dhe tensionon më tej marrëdhëniet kino-amerikane.
Tajvani është pjesë e pandarë e territorit kinez. Ky është një fakt i njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Përballë popullit kinez të fortë dhe të bashkuar, çdo përpjekje për të përçarë Kinën nuk do të ketë kurrë sukses. “Kina duhet të unifikohet dhe do të unifikohet. Kjo është prirje historike që askush nuk mund ta ndalë”, citohet nga CRI pala kineze.
Edhe pse jo ‘fizikisht’ ne OKB, diplomacia kineze ishte aktive
Pavarësisht se nuk ishte e përfaqësuar me diplomatët e saj në Kombet e Bashkuara që u mbajt në mënyrë të paligjshme dhe me makinacione nga SHBA e aleatët e saj më të ngushtë nën emrin e Tajvanit deri më 1971, politika e jashtme e Pekinit zyrtar ka qenë mjaft dinamike në dobi të vendit por edhe për ruajtjen e paqes në botë. Mjafton të vëmë në dukje rolin e saj gjatë kohës së Luftës së Ftohtë midis SHBA dhe ish – Bashkimit Sovjetik kur bota kaloi momente kritike krizash midis dy ish – supërfuqive në vitet 1960-70.
Në të gjitha skemat që përpiloheshin nga strategët e secilës palë faktori Kinë ishte shumë determinues në marrjen e vendimeve shumë prej të cilave ishin edhe aventureske e mbartnin rreziqe për mbarë njerëzimin. Pikërisht në ato kohëra ‘ngrice’ në politikën globale botërore jo si pjesë e garës së armatimeve por në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të kërcënuar territorial si dhe të stabilitetit në botë, Kina arriti të bëhej anëtare e ‘klubit’ të fuqive bërthamore pa pritur ftesë prej asnjërit! Dhe pa dyshim udhëheqja kineze ishte e ndërgjegjshme që as nuk do ti bëhej një ‘ftesë’ e tillë!
Më 16 tetor 1964 Kina kreu provën e parë bërthamore duke u bërë fuqia e pestë bërthamore në rruzullin tokësor. Tashmë ishte thyer monopoli bërthamor i SHBA-së, BS-së, Britanisë dhe Francës, dhe vitet e mëpastajme shënuan suksese të reja të saj për të arritur suksesin më të madh me lëshimin e super sondës hapësinore në planetin Mars këtë vit prej nga po sillen në tokë pamje të planetit të ashtuquajtur të kuq.
Por është për tu shënuar se politika e jashtme kineze ishte shumë aktive në marrëdhëniet e saj me vendet në zhvillim dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete të rëndësishme duke afirmuar autoritetin e saj në rritje. E pikërisht pjesa dërmuese e këtyre vendeve, që njëri pas tjetrit po thyenin prangat e kolonializmit, mbështesnin fuqishëm çështjen që Kina të zinte vendin e saj të ligjshëm në OKB.
Mirëpo sa më shumë vite kalonin nga 1949, edhe shumë vende perëndimore po e kuptonin se ishte gabim fatal të anashkalohej ky vend në zhvillim dinamik, i cili ndiqte një politikë paqësore me dëshirë për bashkëpunim në përfitim reciprok. Shumë prej tyre e kuptuan këtë dhe ndryshuan kurs duke shumëfishuar shkëmbimet me të në të gjitha fushat përfshi edhe ato politike. Asnjë vend në botë nuk kishte luksin që të injoronte apo anashkalonte Kinën dhe rolin e saj në skakierën politike e diplomatike botërore pavarësisht se i ishte privuar vendi i saj në OKB. Koincidencat njihen e pranohen por unë i besoj më shumë realizmit pragmatik dhe kështu e kam vlerësuar ‘zbarkimin’ e Dr. Henri Kizinger në Kinë me degën e ullirit për popullin kinez pikërisht më 1971!
Shqipëria e ‘vogël’ kundrejt te ‘mëdhenjve’ anti-kinezë
Duke përkujtuar këtë 50-vjetor nuk mund të mos vë në dukje faktin se në Kinë shprehet vlerësim i lartë për rolin që ka luajtur Shqipëria në ripranimin e saj në OKB. Ky është qëndrim konstant dhe i sinqertë i klasës politike dhe qarqeve intelektuale, të cilët përpiqen t’ua kalojnë edhe brezave të rinj këtë ngjarje diplomatike, veçanërisht atij grupi që merret me shkencat politike, diplomatike dhe sociale.
Ngjarje të tilla me përmasa historike ndërkombëtare dalin më shumë në pah në raste përvjetoresh sikurse është viti 2021 që shënon 50-vjetorin e atij momenti të shumëpritur kur RP e Kinës u rikthye në OKB, aty ku duhej të ishte, aty ku zaptimi i vendit të saj në mënyrë të paligjshme ishte tepër armiqësor dhe mëse i paarsyeshëm, aty ku mungesa e saj krijonte boshllëkun e madh të përfaqësuesve të një populli mbi 1 miliard banorë në atë kohë, aty ku popujt gjithnjë e më tepër po ngrinin zërin kundër shtypjes e plagës kolonialiste e raciste, aty ku po forcohej blloku për ta kthyer OKB-në në institucionin e vërtetë universal të ruajtjes së paqës dhe sigurisë në botë, të luftës kundër konflikteve rajonale, të mposhtjes së varfërisë dhe futjen e popujve të vendeve në zhvillim në rrugën e zhvillimit për të kapërcyer varfërinë.
Ja çfarë shkruante në një përmbledhje të disa konkluzioneve personale diplomati i shquar i ndjerë shqiptar Sokrat Plaka lidhur me atë ngjarje historike: “Kur Shqipëria ndihmoi Kinën e madhe për t’u rivendosur në të drejtat e saj të ligjshme në OKB, Revolucioni i madh kinez rrëzoi regjimin çankaishist dhe vendosi Republikën Popullore të Kinës. Me grindjen midis BS e Kinës, iniciativën për rivendosjen e të drejtave legjitime të RPK e mori Shqipëria dhe disa vende të tjera. Prandaj çdo vit, 16 vende, me iniciativën e Shqipërisë, para sesionit bënin kërkesën për rivendosjen e të drejtave të Kinës në OKB. Çështja e Kinës ishte problem kryesor i OKB-së për Kinën dhe për vetë efikasitetin e Organizatës Botërore. Një tjetër aspekt i çështjes së Kinës ishte teoria e “dy Kinave” sepse shtete serioze, përfshirë fuqitë e mëdha, kanë përkrahur idenë se nuk ka vetëm një Kinë. Misioni ynë pranë OKB-së ka përkrahur kurdoherë se ka vetëm një Kinë dhe kjo është Republika Popullore e Kinës. Tajvani është pjesë e pandarë e RPK. Por çështja ka vazhduar 21 vite rresht pa ndonjë rezultat konkret. Shumica dërmuese e AP luftonte që Kina të zinte vendin sa më parë në OKB. Opinioni ndërkombëtar kërkonte që Kina të vinte në OKB. Tërë situata shkonte në favor të rivendosjes së të drejtave të RPK në OKB. Edhe SHBA e kuptonin këtë situatë. Ndaj në korrik 1971 amerikanët dërguan Henri Kizingerin në Pakistan e në Kinë. Kurse unë shkova në Nju-Jork po në korrik 1971, ku u bë një mbledhje. Mendimi i përgjithshëm aty ishte se situata ishte duke kaluar në favor të shtetit kinez. U ktheva në Tiranë, ku bëmë mbledhjen e ngushtë të Kolegjiumit, pas së cilës përgatita taktikën e fitores për në sesionin e shtatorit. Këtë taktikë e miratuan Ministri dhe Udhëheqja e Lartë e Shqipërisë”. (Telegraf, 12 korrik 2018)
Rezoluta shqiptare ishte bërë natyrshëm temë edhe shtypit botëror, kryesisht atij amerikan meqë ngjarja zhvillohej në Nju Jork ku është edhe selia qendrore e Kombeve të Bashkuara. Ndër shumë artikuj e komente po risjellë paragrafin e mëposhtëm të një artikulli të gazetës amerikane “The Uashington Post” botuar më 21 tetor 1971, kur RP e Kinës zuri zyrtarisht vendin e saj në OKB.
“Nju Jork, 26 tetor 1971. Salla shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje pasi shumica e delegatëve të Asamblesë prej 131 shtetesh ishin ngazëllyes. Pjesa më e madhe e tyre mbështetën rezolutën shqiptare për përjashtimin e Tajvanit nga Asambleja dhe futjen e Kinës. (Reis) Malile, ministër i Jashtëm i RPSH, brofi në këmbë përpara Bushit. Kina në Organizatë. Reagimet emocionale të zv. Ministrit të Jashtëm pas votimit të rezolutës shqiptare. Zv. Ministri i Jashtëm shqiptar Sokrat Plaka, që mori menjëherë fjalën tha në frëngjisht: “Ky vendim ishte një humbje e rëndë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Pas votimit të rezolutës shqiptare, Ambasadori Amerikan flaku i nervozuar kufjen. Lajmi i futjes së Pekinit në OKB dhe i përjashtimit të Taipeit, solli reagime të ndryshme nga analistët e çështjeve të jashtme. Ata e shohin një lëvizje të tillë si faktor që do të ndryshojë politikën botërore të viteve në vazhdim”.
Stafeta vazhdon
E askush nuk e vinte në dyshim se skena politike botërore do të ndryshonte sikurse edhe vetë OKB-ja, e cila nuk do të ishte më klubi ‘privat’ i SHBA-së e fuqive të mëdha perëndimore. Era e ndryshimit po frynte në favor të vendeve të vogla e të mesme, të atyre në zhvillim, që përbënin edhe shumicën dërmuese të anëtarëvë të kësaj organizate. Prania e Kinës me të drejta të plota e forconte më tej këtë front. Kësisoj në këtë 50 vjetor na jepet e drejta ta shikojmë botën me syrin e një hopi të ndryshimeve të mëdha për çka ka influencuar zëri dhe roli gjithnjë e më aktiv i Kinës në Kombet e Bashkuara.
Por cilësisht të rëndësishme kanë qënë disa zhvillime në dy dekadat e para të këtij mileniumi. Një shikim i shpejt tregon se SHBA dhe vendet perëndimore janë ballafaquar me kriza të natyrave të ndryshme ekonomike dhe sociale. Të dukshme kanë qënë luftërat e pasuksesëshme të SHBA të nisura prej tyre në rajone të ndryshme të botës si në Lindjen e Mesme dhe së fundit rasti i Afganistanit prej ku u tërhoqën pas pothuajse tre dekadash duke lënë prapa kolapsin e plotë të shkaktuar në atë vend dhe tragjedinë mbi një popull. Ngjarjet e dhunëshme të krahasuara si skena të një lufte civile në Uashington në kohën e kalimit të pushtetit nga Trump tek Biden janë ndër faqet më të trishta të historisë amerikane. Vendet e zhvilluara evropiane nga ana e tyre po mundohen të rikuperojnë goditjet nga Brexit e krizat e tjera të njëpasnjëshme me Konferencën për të Ardhmen e Evropës. Pasojat e pandemisë janë akoma tragjike në fatalitete dhe rrënuese në aspektin ekonomik e social.
Sa më sipër janë vetëm maja e ajsbergut por gjithësesi janë mjaftueshëm serioze që e bëjnë OKB-në pikën fokale ku të gjithë vendet kanë mundësinë të bashkërendojnë veprimet dhe të koordinojne përpjekjet për të shpëtuar njerëzimin e boten, shtëpinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar një jetë të re. Dhe marrin vlerë të veçantë dhe janë shpresëdhënëse në këto momente historike zhvillimesh ndërkombëtare zotimet e vendeve si Kina në këtë 50 vjetor të ripranimit të saj në OKB sipas të cilës kjo organizatë është kyçi që mund të sjell ndryshime pozitive për mbarë njerëzimin.
Në këtë frymë në këtë 50-vjetor e shikoj me vend të risjell në vëmëndje çfarë u zotua Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping në fjalimin e tij ne debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së më 22 shtator 2020, që përkoi me 75- vjetorin e fitores në Luftën Anti-Fashiste Botërore dhe krjimin e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Xi deklaroi se Kina do të mbështesë OKB-në për të luajtur rolin qëndror në çështjet ndërkombëtare dhe shpalli angazhimet e mëposhtme: të japë 500 milion US$ për planin e përgjigjes humanitare globale të ‘UN COVID-19’; 50 million US$ për Fondin e Besimit të Bashkëpunimit Jug-Jug (faza III) Kinë-FAO; do të zgjasë 5 vjet pas skadimit të afatit më 2025 të Fondit të Besimit për Zhvillim dhe Paqë; do të krijojë një Qëndër Globale Inovacioni dhe Njohurish Gjeohapësinore të OKB-së dhe një Qëndër Kërkimesh Ndërkombëtare të Dhënash për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për të lehtësuar zbatimin e Axhendës 2030 të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në mbyllje Presidenti Xi lëshoi mesazhin e mëposhtëm: “Stafeta e historisë i ka kaluar brezit tonë, dhe ne duhet të bëjmë zgjedhjen e drejtë, një zgjedhje e vlefshmë për besimin e popujve dhe të kohës sonë. Le të bashkojmë duart për të mbajtur lart vlerat për të gjithë ne të paqës, zhvillimit, barazisë, drejtësisë, demokracisë dhe lirisë dhe të ndërtojmë një tip të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Së bashku, ne mund ta bëjmë botën një vend më të mirë për të gjithë”./CRI