Forcat e Azerbajxhanit dhe Armenisë shkëmbyen zjarr për disa orë përgjatë një pjese të tensionuar të kufirit të tyre.
Ministritë e Mbrojtjes të të dyja vendeve akuzuan njëra-tjetrën për provokime.
Të shtënat ndodhën në enklavën Nakskivan të Azerbajxhanit, e cila shtrihet midis Armenisë dhe Iranit.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se një ushtar i saj u plagos, pasi forcat armene hapën zjarr, duke përdorur armë të kalibrave të ndryshëm në pozicionet e Azerbajxhanit.
Ministria tha se forcat azerbajxhanase qëlluan për hakmarrje.
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se forcat azerbajxhanase filluan të qëllonin të parat.
Edhe Bakuja, edhe Jerevani konfirmuan se situata tani për tani është e qetë,megjithate Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në kufirin shtetëror Armeno-Azerbajxhan.
Përfaqësuesi Special i BE për Kaukazin e Jugut dhe krizën në Gjeorgji Toivo Klaar bëri një postim në Twitter në lidhje me këtë.
“Zhvillimet thellësisht shqetësuese vazhdojnë në kufirin shtetëror Armeno-Azerbajxhan. Përsërisni thirrjen tonë për përmbajtje dhe ndarje të forcave dhe angazhim konstruktiv për çështjet e kufirit përpara se të regjistrohen viktima të reja. BE është gati të ndihmojë palët,” shkroi Toivo Klaar në Twitter.
Dy vendet, vitin e kaluar, kanë luftuar gjashtë javë për rajonin e Nagorno Karabakut.
Ky rajon njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.
Rreth 6,000 njerëz janë vranë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpshimi të ndërmjetësuar nga Moska.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.