Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe ambasadorja e Greqisë Sophia Philippidou u ndalën gjatë ditës së sotme në pikën kufitare të Kakavijës ku së bashku me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtorin e Policisë Ardi Veliu vlerësuan punën për sigurinë e kufirit.
Gjatë vizitës së diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë u ekspozuan dhe disa pajisje logjistike të dhuruara nga qeveria amerikane në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit.
“Konfiskimet e fundit në kufij janë një tregues i mirë dhe pajisjet që kemi dhuruar kanë shërbyer. […]Trafikimi i armëve, tregtitë e paligjshme i lidh diçka e përbashkët, drejtohen nga kriminelë që janë të zgjuar dhe fuqishëm, prandaj duhet të jemi më të zgjuar dhe pak më të pamëshirshëm, – u shpreh ambasadorja Yuri Kim teksa theksoi se SHBA është e palëkundur në angazhimin për forcimin e ligjit në Shqipëri.
Pika kufitare e Kakavijës është ndër pikat kryesore të kalimit nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Vlen të theksohet se kjo është pika e vetme kufitare direkte e Shqipërisë me një vend anëtar të BE-së.
Kriza e refugjatëve dhe flukset e shtuara të kalimeve drejt vendeve të BE-së nga vendet e Lindjes së Mesme detyroi vite më parë Brukselin që të aktivizonte edhe në kufirin shqiptar strukturat e FRONTEX-it. Kjo u përmend edhe nga ambasadorja Philippidou.
“Kjo [pikë kufitare] vazhdon të mbetet një kufi i jashtëm i BE, ne kemi FRONTEX-in në të dy kahet e kufirit. Bashkëpunimi ynë me Shqipërinë do të forcohet edhe me tej dhe ky forcim do të fuqizohet kur të mund të ngrihet qendra për bashkëpunimin e Policisë dhe Doganave në pikën e kalimit kufitar në anën e kufirit,” – tha ambasadorja Philippidou.
Autoritetet e dy vendeve besojnë se ngritja e një pike të përbashkët policore do të mundësojë shkëmbim më të shpejtë informacioni dhe parandalim më të fortë të kontrabandës.