Ceremonia e inaugurimit të Lojërave Olimpike u mbajt sot në stadiumin olimpik të Tokios, pa pjesëmarrje të publikut e me një minutë heshtje për viktimat e Covid.
Momenti i shumëpritur, për pesë vjet e jo si zakonisht katër, i fillimit të Lojërave Olimpike Verore Tokio 2020 u përurua zyrtarisht, me një ceremoni të thjeshtë dhe me një pjesëmarrje tejet të vogël pjesëmarrësish, për shkak të Covid 19. Pandemia la gjurmë të thella edhe në sport, duke detyruar të shtyhen për një vit Lojërat Olimpike Tokio 200, duke modifikuar kampionatet, garat dhe takimet e çdo disipline sportive dhe duke eliminuar nga tribunat atë që në botën konkurruese të sportit është shfaqur gjithmonë si një element thelbësor: publikun dhe tifozët.
Ceremonia e hapjes filloi me imazhin e një sportisteje të vetmuar për të tërhequr vëmendjen për problemet e sportistëve gjatë pandemisë.
Lojërat Olimpike Verore po zhvillohen pa spektatorë, por gjithësesi me disa të ftuar të shquar për ceremoninë e hapjes.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, qe i pranishëm në stadiumin olimpik së bashku me Perandorin japonez Naruhito.
Ndër të ftuarit në ceremoninë e hapjes ishte edhe zonja e parë, Jill Biden, që erdhi nga SHBA si dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Atletët hynë relativisht shpejt në stadiumin olimpik dhe e përshkuan po ashtu relativisht shpejt pistën rreth tribunave për të evituar infektimet.
Shumica e ekipeve ndoqën rekomandimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që flamurin ta mbanin një sportiste femër dhe një mashkull.
Në parakalimin tradicional, që bëjnë sportistët, ishte dhe grupi i Shqipërisë. 8 sportiste nga 9 në total dhe vetëm 6 zyrtarë (për shkak të kufizimeve për parandalimin e pandemisë, kanë parakaluar ne Stadiumin Olimpik të Tokyos, ku kanë valëvitur flamurin kombëtar, që mbahej nga Briken Calja dhe Luiza Gega. Kuqezinjtë do të synojnë një paraqitje sa më dinjitoze në këto lojëra olimpike.