Katër vite më parë në ditë të sotme u nënshkrua Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Marrëveshja është nënshkruar në Shkup nga kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i atëhershëm i Qeverisë së Bullgarisë Bojko Borisov.
Marrëveshja, në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, u nënshkrua në gjuhën maqedonase, e gjithashtu, në përputhje me Kushtetutën e Bullgarisë, është nënshkruar edhe në gjuhën bullgare. Marrëveshja e fqinjësisë së mire, miqësisë dhe bashkëpunimit, nënshkrimi i së cilës nga Zaevi dhe Borisovi është vlerësuar si moment historik, është paramenduar si themel për çeljen e perspektivave për të dyja vendet për bashkëpunim intensiv dhe të fuqishëm në planin bilateral dhe multilateral, avancim të lidhjeve transportuese dhe komunikimeve, lehtësim të formaliteteve doganore dhe kufitare, veçimin e mjeteve për projekte rajonale infrastrukturore dhe ndërkufitare, lehtësim të kontakteve mes qytetarëve të dy shteteve, dhe ajo që është më e rëndësishme, mbështetje e fuqishme e Bullgarisë për aspiratat euroatlantike të vendit.
Në përputhje me Marrëveshjen është formuar Komision i përbashkët maqedonaso-bullgar për çështje historike dhe arsimore, që deri tani mbajti 14 takime. I fundit u mbajt më 11 qershor dhe ishte i treti nga pesë takimet e parashikuara për sivjet, ndërsa takimi i radhës është në tetor. Në takimin e fundit nga pala maqedonase në takimin janë dhënë propozime të mbështetura në të kuptuarit bashkëkohor për arsimin historik të mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe UNESKO, në të cilat respektohen, pikëpamjet dhe interpretimet e ndryshme për të kaluarën dhe që janë treguar si të zbatueshme në tejkalimin e kontesteve që rezultojnë nga interpretimi i ndryshëm i së kaluarës. Nga pala bullgare ato propozime janë refuzuar si të papranueshme dhe të pazbatueshme. Historianët bullgarë, nga ana tjetër, me akuzë se kolegët maqedonas “kanë refuzuar në mënyrë kategorike të bisedojnë për temë konkrete historike” dhe se është vështirë të arrihet mirëkuptim për Goce Dellçevin.
Deri tani Komisioni i përbashkët multidisiplinor arriti marrëveshje për pesë personalitete historike, dhe për tri periudha historike.
Katër vite pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, dhe një vit e gjysmë nga vendimi i Këshillit Evropian për fillimin e bisedimeve, Maqedonia e Veriut është ende e bllokuar në rrugën evropiane, tani me bllokadën e Bullgarisë dhe kërkesat e tyre për identitetin, gjuhën dhe historinë.
Ndërkohë, në Bullgari u mbajtën dy cikle të zgjedhjeve parlamentare. Në të parat sivjet, të mbajtura më 4 prill, nuk u formua Qeveri, derisa në të dytat, që u mbajtën më 11 korrik fitoi partia “Ka popull të tillë” të Sllavi Trifonov, ndërsa dje Presidenti Rumen Radev mandatin për formimin e Qeverisë së re ia ndau Pllamen Nikollovit nga kjo parti. Ndërkohë, në Sofje kishte Qeveri teknike, por bisedimet nuk pushuan, por, siç deklaroi në disa raste shefi i diplomacisë Bujar Osmani, ata ishin të fokusuar në bashkëpunimin ndërsektorial, mes ministrive lineare, në mënyrë që të kthehet besimi dhe të krijohet ambient që në periudhën në njëfarë mënyre ishte prishur pjesërisht. Osmani të premten tha se sapo të formohet qeveria e re në Sofje, pas 15 gushtit do të intensifikohen bisedimet në mënyrë që të bëhet depërtim eventual që në shtator, pa, siç u shpreh, t’i rritë pritjet e opinionit në raport me këtë çështje.
Kuvendi, ndërkohë, miratoi Rezolutë për përcaktimin e pozicioneve shtetërore maqedonase në kontekst të bllokadave të integrimeve evropiane, në të cilën janë shprehur “linjat e kuqe” në bisedimet me Sofjen. Ministria bullgare e Punëve të Jashtme shprehu dëshpërimin që në Kuvend është miratuar Rezoluta për “vijat e kuqe” maqedonase në bisedimet me Sofjen. MPJ-ja bullgare bëri të ditur se shprehin keqardhje që Rezoluta është miratuar në një kohë kur, siç bëjnë të ditur, dialogu bilateral ka filluar të kalojë në fazën pozitive dhe shprehën pritjen se Rezoluta do të publikohet në mënyrë që të mund ta analizojnë dhe të shohin nëse përgjigjet me Marrëveshjen për miqësi që e nënshkruan dy vendet.
MIA bisedoi me analistët nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgarisë, të cilët japin vlerësim për situatën e tanishme në marrëdhëniet maqedonase-bullgare, katër vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.
Malinka Ristevska Jordanova nga Institutit i Politikës Evropiane (EPI), në pyetjen e MIA-s se cila është përshtypja katër vite më vonë dhe nëse mund të arrihet marrëveshje më e mirë, duke marrë parasysh situatën e sotme, shprehet se kjo tani nuk është çështja kryesore, por tani është me rëndësi realizimi i kësaj Marrëveshjeje në vullnet të mirë.
“Pas luftës është lehtë të jesh gjeneral. Sigurisht se më pas mund të thuhet se mund të arrihet marrëveshje më e mirë. Mirëpo, kjo nuk është tani çështja themelore. Çështja themelore është realizimi i Marrëveshjes në vullnet të mirë, që është kyçe për secilën marrëveshje ndërkombëtare. Ajo që ne tani e shohim është se Marrëveshja nuk realizohet në vullnet të mirë, me vetë atë që Bullgaria e ka keqpërdorur për bllokadë të çeljes s bisedimeve aderuese të BE-së me Maqedoninë”, shprehet ajo për MIA-n.
Ristevska-Jordanova, në raport me atë nëse Marrëveshja është me të vërtetë baza për të arritur zgjidhje për çështjen bilaterale, vlerëson se Marrëveshja është instrument për imponimin e zgjidhjes bullgare të çështjes së imponuar.
“Deri tani nuk kam parë përkufizim ose përcaktim më të saktë të “çështjes bilaterale”. “Çështja bilaterale” është e imponuar nga pala bullgare, ndërsa interpretimi bullgar i Marrëveshjes është instrumenti për imponimin e zgjidhjes bullgare për çështjen e imponuar, edhe atë përmes procesit eurointegrues. Në këtë moment Marrëveshja është shndërruara në antipod të tij – instrument për mohimin e identitetit të nënshkrueses së barabartë të Marrëveshjes, vlerëson ajo.
Lidhur me debatet e fundit për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase, Ristevska Jordanova bën të ditur se problemi qëndron në atë se nuk ka debat as qëndrim të bazuar në debat, por vetëm qëndrim të kryeministrit.
“Në shtetin tonë kishte debate shkencore, janë lëshuar edhe publikime rreth ndryshimeve që do të jenë të domosdoshme në Kushtetutë gjatë aderimit në BE, me ç’rast janë shqyrtuar praktikat dhe shembujt më të mirë. Nuk më kujtohet se kishte propozim të këtillë. Kjo është po aq problematike saqë kërkesë të këtillë nuk ka në Pozicionin kornizë të Bullgarisë për çeljen e bisedimeve me Maqedoninë. Qëndrimi edhe më shumë irriton nëse merret parasysh se Bullgaria nuk i zbaton as vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që kanë të bëjnë me bashkimin e lirë të minoritetit etnik maqedonas në Bullgari”, tha ajo.
Ristevska-Jordanova vlerëson se për të gjitha kërkesat që vijnë nga pala bullgare nevojitet kujdes shumë më i madh, ndërsa autoritetet duhet doemos t’i konsultojnë institucionet, opinionin shkencor dhe më të gjerë dhe të marrin qëndrim në procedurë në përputhje me ligjet tona, ndërsa përfaqësuesit e tyre të përmbahen nga dhënia e deklaratave të shpejtuara që mund të kenë pasoja largpamëse.
“Në kontekst të marrëveshjes bilaterale me Bullgarinë, gjithsesi duhet të konsultohet edhe pjesa maqedonase e Komisionit të përzier për çështje historike dhe arsimore që ka pasqyrë më të mirë për tërësinë e kërkesave bullgare lidhur me Marrëveshjen (ndërsa kërkesat bullgare kanë të bëjnë kryesisht me këto çështje, nuk ka interes të veçantë për pjesët tjera të Marrëveshjes). Pjesa jonë e Komisionit deri tani tregoi kapacitet që në mënyrë evropiane të përballet me detyrën që nuk është e lehtë fare”, shprehet ajo.
Për pritjet nga Qeveria e re bullgare dhe nëse mund të bëhet depërtim sivjet, dhe me këtë të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, Ristevska-Jordanova shprehet se nuk mund të kemi pritje më të mëdha duke marrë parasysh rezultatet e ndara nga zgjedhjet dhe fakti se shumica e partive e përsërisin qëndrimin të njohur tashmë.
“Kriza politike bullgare do të zgjasë dhe ne nuk duhet të notojmë në ujin e tyre të ndotur. Duhet të përqendrohemi në konsolidimin dhe forcimin e pozicionit tonë, lobimin e mëtejshëm me shtetet anëtare të BE-së dhe agjendat vendore”, shprehet ajo.
Sipas saj, është e gabuar të përqendrohemi vetëm në konferencën e parë ndërqeveritare.
“Ajo është e rëndësishme për shkak se në të do të prezantohej Korniza e bisedimeve – pra se paraprakisht duhet të jetë e miratuar, respektivisht Bullgaria të jetë dakord me tekstin e propozuar tani. Asgjë tjetër deri tani nuk ka ndodhur në këtë konferencë. Mirëpo, sipas propozimit portugez, në rastin tonë shtohen më shumë deklarata me të cilat synohet të kënaqet pala bullgare, në mënyrë që të pajtohet për miratimin e Kornizës së bisedimeve, e me to tashmë relativizohet përmbajtja e dokumentit të propozuar”, shprehet ajo.
Ristevska-Jordanova përkujton se pala bullgare në Pozicionin kornizë ka kërkesa që kanë të bëjnë edhe me Konferencën e dytë ndërqeveritare, që deri tani ishte faktikisht fillim i bisedimeve. Pra, thekson ajo, duhet të merren parasysh të gjitha kërkesat bullgare nga Pozicioni meqë ato paraqesin konstruksion të lidhur mes vete dhe tërësi që në esencë e mohon identitetin maqedonas.
“Dhe përfundimisht – të përkujtojmë se edhe deri tani, por veçanërisht me Metodologjinë e re, bisedimet për aderim në BE janë përmbushje e kushteve gjithnjë e më të vështira dhe më të ndërlikuara të vendosura nga BE-ja, sesa bisedimet në kuptimin klasik. Nëse lejohet kushtëzimi në aderimin të shndërrohet në imponim të kushteve nga shteti anëtar jashtë kornizës së vendosur dhe në kundërshtim me vlerat e BE-së, kjo do ta bëjë procesin e bisedimeve absurd dhe do të ketë pasoja të këqija afatgjate për ne”, konstaton Ristevska-Jordanova për MIA-n.
Vesella Çerneva, zëvendës drejtore e think-tenkut me ndikim Këshillit evropian për marrëdhënie të jashtme dhe drejtor i Zyrës në Sofje, për MIA-n shprehet se në interes të dy popujve, edhe të atij bullgar edhe atij maqedonas, është Marrëveshja e fqinjësisë së mirë të shikojë kohëra më të mira.
“Marrëveshja e fqinjësisë e vitit 2017 është një dokument shumë i sjellshëm, që duhet të përmbushej me përmbajtjen nga ata që e nënshkruan. Ajo duhej t’i vendosë në pistë të shpejtë marrëdhëniet bilaterale: politike, por edhe në të gjitha fushat tjera”, thekson ajo.
Sipas saj, katër vite më vonë thuajse nuk është bërë asgjë për infrastrukturën, investimet, shkëmbimin kulturor dhe “meritën” e të dyja palëve. “Fatkeqësisht, ideja se mund të miratojmë ligje dhe më pas të mos i implementojmë, është shumë e përhapur në Ballkan. Dhe fatkeqësisht, Marrëveshja bën pjesë në atë kategori”, shprehet ajo.
Lidhur me debatet për përfshirjen e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut në Kushtetutën e vendit, Çerneva bën të ditur se kur Sofja flet për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, ajo duhet qartë të thirret në to si grup i posaçëm.
“Tjetër gjë është të themi “të gjithë maqedonasit janë bullgarë, prandaj nuk mund të jenë minoritet”, ndërsa kjo është absurditet evident”, vlerëson Çerneva.
Lidhur me zhvillimet aktuale në skenën politike bullgare dhe pritjet nëse me Qeverinë e re do të bëhet depërtim në bisedimet me Shkupin sivjet, Çerneva shprehet se Parlamenti i ri do të jetë kompleks, por segmenti më i rëndësishëm për ndryshimin e pozicionit bullgar.
“Në të tashmë ka forca politike, që tentojnë të gjejnë rrugëdalje nga qorrsokaku – më së shumti “Bullgaria Demokratike” (BD), por ka edhe të tjerë. Në “Ka populli të tillë”, toni është ende për gjetjen e zgjidhjes”, thekson Çerneva.
Ajo shprehet se shtrohet pyetja se sa lartë në rend dite të Parlamentit do të jetë kjo çështje, e kjo, sipas saj, nuk është e qartë për shkak të prioriteteve rreth aktualizimit të buxhetit, Planit për rindërtim, Marrëveshja e gjelbër, etj…
Shefi i shtetit Stevo Pendarovski nuk pret që në periudhën e ardhme të ketë ndryshime më të mëdha në raport me kontestin me Bullgarinë, duke marrë parasysh faktin se vendi realisht në këtë moment nuk ka bashkëbisedues nga ana tjetër, meqë Sofja ende nuk ka formuar Qeveri. Aq më tepër, që nuk përjashtohet mundësia në Bullgari të ketë edhe zgjedhje të treta parlamentare.
Dhe derisa Maqedonia e Veriut e pret bashkëbiseduesin, kandidati për kryeministër të Bullgarisë Pllamen Nikollov doli me porosinë se nuk do të udhëheqin politikë të konfrontimit.
Nikollovi në gostinë në televizionin kombëtar bullgar BNT, në përgjigjen e pyetjes nëse Sofja do ta ruajë pozicionin e deritanishëm ndaj Maqedonisë së Veriut theksoi se nëse formojnë Qeveri, nuk do të udhëheqin politik të konfrontimit./Zhurnal.mk