Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan sot nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të rimarrë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkura e rrëzoi grupin nga pushteti.
Deri tani zoti Ghani apo administrata e tij në Kabul nuk ka bërë asnjë koment. Në një mesazh të regjistruar të shtunën, zoti Ghani shprehej se po konsultohej me faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për situatën të cilën e quajti “luftë e detyruar”. Ndërkohë sipas agjencisë së lajmeve Reuters Presidenti Ghani është nisur drejt Taxhikistanit.
Nënpresidenti Afgan, Amrullah Saleh, i cili thuhet se po shoqëron zotit Ghani shkruante në Twitter, se nuk do të përkulej para talebanëve, por ai nuk iu përgjigj një mesazhi rreth njoftimeve për largimit të tij nga vendi.
Talibanët kanë arritur të futen në Kabul në kryeqytetin e Afganistanit dhe thonë se janë në pritje të një transferimi paqësor të pushtetit.
Më herët gjatë ditës së dielë, talebanët morën Jalalabadin, kryeqytetin e provincës Nangarhar dhe qytetin e fundit të madh jashtë kryeqytetit që kishte qenë nën kontrollin e qeverisë.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po evakuojnë diplomatët nga ambasada e tyre me helikopterë.
Një zyrtar i lartë tha për agjencinë Reuters se talebanët po vinin “nga të gjitha anët”, por nuk dha hollësi të tjera.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të qëndronin në Afganistan, pasi kryengritësit talebanë hynë në kryeqytetin e vendit, Kabul.
Zoti Blinken tha se Uashingtoni kishte investuar miliarda dollarë për forcat qeveritare afgane gjatë katër administratave amerikane, duke u krijuar atyre përparësi ndaj talebanëve, por ata nuk ia kanë dalë siç tha ai të ndalin përparimin e tyre.
“E vërteta është se ne kemi parë që këto forca nuk ka qenë në gjendje ta mbrojnë vendin”, tha zoti Blinken. “Dhe kjo ka ndodhur më shpejt nga sa e kishim parashikuar”, shtoi ai.
Ndërkohë Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ai i Mbrojtjes Lloyd Austin, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, do të informojnë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbi situatën në Afganistan gjatë një konference virtuale të paklasifikuar, njoftoi Associated Press.
Takimi është kërkuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi së bashku me një takim të klasifikuar që do të zhvillohet kur ligjvënësit të kthehet në Uashington pas 23 gushtit.
Në një deklaratë të NATO-s thuhej se kjo ajo “po ndihmon operacionet në aeroportin e Kabulit për ta mbajtur Afganistanin të lidhur me botën”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se aleanca do të ruante praninë e saj diplomatike në Kabul. “Siguria e personelit tonë është parësore dhe ne do vazhdojmë të përshtatemi sipas nevojës”, thuhej në deklaratë.
NATO nuk dha detaje mbi numrin e stafit të saj që vazhdon të jetë në Afganistan, por tha se po “vlerësonte vazhdimisht zhvillimet” në vend.
“Ne mbështesim përpjekjet afgane për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit, e cila tashmë është më urgjente se kurrë”, thuhej në deklaratë./voa