Në datë 2 mars, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të zgjedhë kryetarin e ri, ndërsa mandati është 5-vjeçar.
Në garë deri tani janë kryetari aktual, Skënder Bruçaj, që kërkon një mandat të dytë, ndërsa përballë tij janë dy kandidatë: Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra dhe inspektori i xhamive i KMSH, Gëzim Abdishaku.
Lajmin e ka bërë të ditur Agron Hoxha, drejtori i medias në KMSH, ndërsa afati për të konkurruar për këtë post përfundon me 28 Shkurt.
“Kemi kandidaturën e kreut aktual të KMSH. Është myftiu i Tiranës Ylli Gurra, është edhe inspektori i xhamive i KMSH, Gëzim Abdishaku”, tha Hoxha.
Kryetari i ri do të zgjidhet me votë të fshehtë nga 12 anëtarët e Kryesisë së Komunitetit Mysliman, 35 myftinj si dhe anëtarë nga shoqëria civile. Gjatë ditës së shtunë pritet të shpallet edhe fituesi.
Zgjedhja e drejtuesit të ri të Komunitetit Mysliman pritet të pasohet edhe me përfundimin e punimeve të Xhamisë së Namazgjasë në vjeshtë.