Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti arritën marrëveshje që në zgjedhjet presidenciale të shkojnë me kandidat të përbashkët konsensual.
Pas takimit Ahmeti tha se ditët në vazhdim do të përcaktohen për njërin nga emrat që përfolën tashmë në media respektivisht Radmilla Shekerinskën, Nikolla Dimtirovin, Oliver Spasovskin apo Stevo Pendarovskin.
“U dakorduam që në këto zgjedhje të dalim me kandidat të përbashkët. Kishim takim të rëndësishëm përmbajtjesor, bëmë analizë esenciale, vendosëm se duhet vënë një standard në vendin tonë. Edhe pse për këtë kishte tentime edhe më parë, por nuk kanë qenë të suksesshme”, ka thënë Ahmeti për mediat pas takimit një orësh me Zaevin.
Ai ka shtuar se dëshiron që deri te qytetarët të dërgojnë porosi për vendin, që siç tha, “kemi mjaftueshëm parti politikisht të pjekura, por edhe shoqëri e cila të mund të sjell vendim të përbashkët për president shteti”.
Në ditët në vijim, ka thënë Ahmeti, do të vazhdojnë konsultimet me partitë e tjera politike të bllokut shqiptar lidhur me kandidatin e përbashkët për president.
Përfundimisht, emri i kandidatit do të mësohet deri të premten.
Ahmeti tha se me Zaevin kanë biseduar edhe për zhvillimet aktuale dhe krizën mes partnerëve të kaolicionit që u nxit pas zhvillimeve në kuvend me mos heqjen e imunitetit të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit aktual Trajko Veljanovski, i cili akuzohet nga gjykata për organizim të dhunës në Parlament më 27 prill 2017.