Nëpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris pati një bisedë telefonike të premten me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku ajo shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën nga ana e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani, tha Shtëpia e Bardhë.
Zonja Harris, thuhet në njoftimin për telefonatën, afirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe shprehu vlerësimin për pritjen e përkohshme nga Kosova të afganëve të rrezikuar në Kampin Bondsteel.
“Nënpresidentja Harris nënvizoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit dhe shpresat për përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja”, tha Shtëpia e Bardhë.
Nënpresidentja informoi gjithashtu Presidenten Osmani se 503,100 doza shtesë të vaksinës Pfizer, dhuratë e Shteteve të Bashkuara do të mbërrijnë në Kosovë këtë fundjavë, duke iu shtuar 35,100 dozave që janë dhënë tashmë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më herët se e kishte falenderuar zonjën Harris për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, në veçanti për dhurimin e vaksinave kundër COVID-19.
Në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës thuhej se Presidentja Osmani ka falenderuar Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin Biden për donacionin e mbi gjysmë milionë dozave të reja të vaksinës kundër COVID-19.
“Një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së forcave të huaja.
Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën dhe pritet të strehojë deri në dy mijë shtetas afganë.
Deri më tani në Kosovë janë strehuar 467 shtetas afganë, të cilët do të strehohen në vend përkohësisht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.
Shtetasit afganë janë vendosur në ish-kampin e “Bechtel Enkas”, në afërsi të Ferizajt, rreth 35 kilometra larg Prishtinës. Shumica e afganëve që kanë ardhur deri më tani janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.