Ambasada e Gjermanisë në Tiranë bën të ditur se kancelarja Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë ditën e martë, datë 14 shtator.
Ambasada po ashtu publikoi edhe axhendën e kancelares Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë.
Në Tiranë, sipas Ambasadës, ajo do takohet fillimisht për një bisedë me Kryeministrin Edi Rama.
“Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në”, bën të ditur Ambasada.
Sipas Ambasadës gjermane, në bisedimet e mëpasme me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal.
Gjithashtu janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.