Shqipëria ka konstituuar legjislaturën e saj të dhjetë që nga rënia e komunizmit në vend në seancën e së premtes me deputetët e zgjedhur më 25 prill të vitit 2021.
Lindita Nikolla është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Shqipërisë me 79 vota pro, 4 vota kundër dhe 57 abstenime. Disa nga deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike, përmes një aksioni simbolik, grisën fletëvotimet dhe i hodhën në tokë pranë kutisë së votimit, duke treguar kështu se kundërshtojnë zgjedhjen e zonjës Nikolla si kryetare e institucionit më të lartë të shtetit. Këto vota u morën si abstenime.
Seanca konstituive u zhvillua nga deputetja më e vjetër e Kuvendit, Luljeta Bozo.
Në këtë seancë morën pjesë për herë të parë deputetët e PD-së dhe LSI-së, të cilët rreth dy vite më parë dogjën mandatet e tyre të deputetëve, duke u bërë zyrtarisht opozitë jo-parlamentare.
Kuvendi i ri i Shqipërisë përbëhet nga Partia Socialiste që fitoi 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 dhe Partia Social-Demokrate 3 mandate.