Mund të ketë ndodhur më shumë se 2.300 vjet më parë, por misteri i vdekjes së Aleksandrit të Madh, mund të jetë zgjidhur më në fund falë një akademikeje në Universitetin e Otagos në Zelandë e Re.
Dr.Kethrin Holl, lektore në Shkollën Dunedin të Mjekësisë dhe mjeke praktikante, beson se sundimtari i lashtë nuk vdiq nga infeksioni, alkoolizmi apo vrasja, siç pretendojnë të tjerët. Përkundrazi, ajo argumenton se ai vdiq si pasojë e një çrregullimit neurologjik që njihet si Sindroma Gilen-Bare (GBS).
Në një artikull të botuar në “Buletinin e Historisë së Lashtë”, ajo thotë se teoritë e mëparshme rreth vdekjes së udhëheqësit të famshëm në vitin 323 Para Erës Sonë, nuk kanë qenë të kënaqshme, përderisa nuk e kanë shpjeguar të gjithë ngjarjen.
Dekompozimi i vonuar i trupit
Në veçanti, ajo thotë se askush nuk ka dhënë një përgjigje gjithëpërfshirëse, që të përmbajë një shpjegim të besueshëm dhe shterrues për një fakt të regjistruar nga një burim – trupi i Aleksandrit nuk arriti të shfaqte shenja të dekompozimit për 6 ditë pas vdekjes së tij.
“Grekët e lashtë, menduan se kjo provonte që Aleksandri ishte realisht një hyjni. Ky studim, është i pari që siguron një përgjigje të botën reale”- thotë Dr.Holl. Së bashku me vonesën e raportuar të dekompozimit të trupit, 32-vjeçari thuhet se kishte ethe; dhimbje barku; një paralizë progresive dhe simetrike në rritje; dhe qëndroi i vetëdijshëm deri pak para vdekjes së tij.
Dr.Holl beson se një diagnozë e GBS, e kontraktuar nga një infeksion i bakterit Kampilo Pilori (i zakonshëm në atë kohë, dhe një shkaktar i shpeshtë i sindromit GBS), i qëndron testeve rigoroze shkencore, nga perspektiva klasike dhe mjekësore.
Shumica e argumenteve rreth shkakut të vdekjes së Aleksandrit, përqëndrohen tek ethet e tij dhe dhimbja e barkut. Megjithatë, Dr.Holl thotë se përshkrimi se ai mbeti me mendje të kthjellët deri në fund, vështirë se ka marrë ndonjë vëmendje. Ajo beson se ai u prek nga një variant akut motorik i neuropatisë aksonale të GBS që i prodhoi paralizë, por pa pasur konfuzion apo humbur vetëdijen.
Frymëmarrja dhe jo pulsi
”Vdekja e tij, u ndërlikua më tej nga vështirësitë në diagnostikimin e vdekjes në kohërat e lashta, të cilat mbështeteshin në kontrollin e frymëmarrjes, në vend të pulsit”- thotë ajo. Këto vështirësi, së bashku me llojin e paralizës së trupit të tij (zakonisht të shkaktuar nga GBS), dhe rënia e kërkesës për oksigjen, do të zvogëlonte dukshmërinë e frymëmarrjes së tij.
Një shkatërrim i mundshëm i autoregullimit të temperaturës së trupit, dhe kokërdhokët e syve të tij që fiksohen dhe zgjerohen, dëshmojnë gjithashtu se ruajtja e trupit të tij për disa ditë nga dekompozimi, nuk ka ndodhur për shkak të një mrekullie, por për shkak se ende nuk kishte vdekur.
“Unë dëshiroja të nxisja një debat dhe diskutim të ri, dhe ndoshta të rishkruaj librat e historisë, duke argumentuar se vdekja e vërtetë e Aleksandrit ndodhi 6 ditë më vonë se sa është pranuar më herët. Vdekja e tij mund të jetë rasti më i famshëm i pseudothanatosit, ose diagnozës së rreme të vdekjes, që është regjistruar ndonjëherë”- thotë ai.
Dr. Holl beson se njerëzit janë ende të interesuar për Aleksandrin, pasi ai ishte një person psikologjikisht kompleks dhe i ndërlikuar, që shihej si një hero luftëtar. Ndërsa analizat më moderne janë përpjekur të jenë më të gjera dhe më të nuancuara, pavarësisht mënyrës sesi
duan ta perceptojnë njerëzit Aleksandrin, ka një dëshirë për të provuar dhe kuptuar jetën e tij,
në një dimension sa më më plotë që të jetë e mundur.
Misteri i qëndrueshëm i shkakut të vdekjes së tij, vazhdon të zgjojë interesin publik dhe të studiuesve. Popullariteti i hipotezës së sindromës GBS, si shkaku i vdekjes së Aleksandrit të Madh, qëndron tek fakti se ajo shpjegon në një qasje të ndryshme shumë elemente të ndryshëm, dhe i rendit ato në një tërësi koherente.
ancient origins – bota.al