Kuvendi i Shqipërisë, mblidhet nesër në seancë plenare për të votuar qeverinë re pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 ku rikonfirmon Partinë Socialiste me kryeministër Z.Edi Rama në mandatin e tretë e qeverisës.
Më parë qeveria e re është dekretuar nga Presidenti Meta i cili pasi mori përgjigjen nga SPAK dhe prokuroria e Përgjithshme se asnjë nga ministrat nuk janë në hetim, ka dekretuar qeverinë e re ‘Rama 3’.
Me mandatimin e kryeministrit dhe dekretimin e qeverisë së re nga presidenti, Rama tashmë i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin qeverisës dhe emrat e ministrave parlamentit. Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga Kuvendi në një afat 10 ditë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka lëshuar sot urdhrin për seancën e nesërme ku në rend të ditës është projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.
Sipas rendit të ditës nesër kryhet paraqitja e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, nga Kryeministri i emëruar me dekretin e Presidentit të Republikës, ora 10:00.
Përgjigjet e pyetjeve nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, ora 13:00.
Debati mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, ora 16:00.
Mbrëmjen e së martës Presidenti Ilir Meta dekretoi qeverinë e re të propozuar nga kryeministri Rama.
Meta dekretoi emërimin e Këshillit të Ministrave me këtë përbërje:
Zoti Edi Rama- Kryeministër;
Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;
Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;
Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.
Kujtojmë se Qeveria “Rama 3” do të betohen para Presidentit, të cilin e shkarkuan vetëm pak muaj më parë.