Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar ka arritur të enjten në Shkup për një seancë të përbashkët ndërqeveritare me kabinetin qeveritar të Maqedonisë së Veriut të drejtuar nga Kryeministri Zoran Zaev. Në mbledhje janë janë nënshkruar 11 marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Kryeministri Zoran Zaev e priti homologun e tij Albin Kurti me ceremoni të larta ushtarake dhe shtetërore para ndërtesës së qeverisë.
Dy kryeministrat zhvilluan më pas një takim kokë më kokë, teksa ministrat përkatës mbajtën takime bilaterale, para një seance të përbashkët të dy qeverive.
Ndërsa kryeministri maqedonas u shpreh se marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje ishin të shkëlqyera, kryeministri i Kosovës i quajti marrëdhëniet fqinjësore si “të mira”.
Seanca e parë e përbashkët paraqet një shtysë për zhvillim e mëtejshëm ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovsës. Në këtë mbledhje u nënshkruan 11 marrëveshje dhe memorandume në fushën e ndërlidhjeve infrastrukturore midis dy vendeve për lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimit si dhe memorandume e programe që kanë të bëjnë me projekte ndërkufitare me mbështetje të programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjisë, turizmit, kulturës e nismave për zhvillimin teknologjik.
“Ndër to është edhe memorandumi i bashkëpunimit sipas të cilit do të formohet një komision i përbashkët për rrugën Prizren-Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky ishte zotim zgjedhor dhe synim programor i qeverisë sonë, që lidh edhe më ngushtë vendet tona, ekonomitë tona, dhe qytetarët tanë”, tha Kryeministri Kurti.
Zoti Kurti është i bindur se këto marrëveshje do të zbatohen.
Ndërkohë, Kryeministri Zaev marrëveshjet e sotme i vlerëson si interes i përbashkët, ndëra theksoi se Kosova paraqet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtar të Maqedonisë së Veriut dhe se tregëtia mes tyre zhvillohet pa dogana.
“Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2020 ishte 305,7 milion dollarë, dhe vetëm në tremujorn e parë të këtij vitin janë realizuar mbi 130 milion dollarë në tregtinë midis dy vendeve”, bëri të ditur Kryeministri Zaev.
Por këto shifra janë në dobi të Maqedonisë së Veriut e cila eksporton shumë herë më tepër mallra se sa që importon nga Kosova.
Zoti Zaev tha se qeveria e tij është e gatshme t’i ndajë me Kosovën praktikat që kanë të bëjë me liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mbante edhe rajonin të qëndrueshëm.
Kryeministri Kurti theksoi qëndrim e tij të njohur lidhur me nismën Ballkani i hapur:
“Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërkaq Europa është kontineti ynë”, u shpreh Z. Kurti, duke shtuar se Republika e Kosovës i mbështetë të gjitha nismat rajonale të cilat burojnë nga BE.
Ndërkohë, Kryeministri Zaev tha se megjithë pikëpamjet e ndryshme (me zotin Kurti lidhur me Ballkanin e Hapur), kjo nuk e pengon bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy vendeve fqinje.
“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim, marrëveshje dhe zbatim të tyre në aspektin bilateral dhe dëshmi për këtë është mbledhja e dy qeverive. Jemi të orientuar kah e ardhmja, e për ne, e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra, BE-ja është fati ynë, ndërkaq Evropa është kontinenti ynë, andaj edhe si Republikë e Kosovës ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi Bashkimin Evropian të cilat janë nga BE”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se nismat rajonale, përfshirë edhe Ballkanin e Hapur, janë në interes të vendosjes së një bashkëpunimi më të mirë mes shteteve, si lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe forcimin ekonomike të shteteve, me synimin e fundit, integrimin në Bashkimin Evropian.
“Për çështjen e Ballkanit të Hapur, si kryeministra kemi qëndrime të ndryshme, por kjo nuk paraqet asnjë pengesë që të kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, pasi e kemi për obligim që ti shërbejmë qytetarëve tanë, ekonomisë, institucioneve dhe pikërisht këtë po bëjmë..Unë mund të them se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ajo ka qëndrimet e saj dhe ne i respektojnë ato”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev duke theksuar nevojën që në Ballkan të ketë dialog dhe bashkëpunim mes shteteve.
“Çdo marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe këtu në rajon ka për qëllim të ardhmen më të shpejt dhe më të sigurt në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Zaev duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe nismat tjera rajonale, në veçanti Procesin e Berlinit, për rëndësinë e të cilit, siç tha është diskutuar edhe në takimet në Tiranë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Iniciativa Ballkani i Hapur, i njohur më parë si Mini-Shengeni Ballkanik është krijuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve, e cila, siç kanë thënë nga qeveria në Shkup “konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në fushate e interesit të ndërsjellë mes dy vendeve dhe shkëmbimit të përvojave për bashkëpunimi më intensiv në rajon.