Ndryshe nga pritshmëritë edhe më modeste, Samiti i II ndërmjet presidentëve Donald Trump dhe Kim Jong-un u mbyll pa asnjë rezultat konkret. Madje, bisedimet u ndërprenë para kohës së caktuar, duke anuluar drekën dhe konferencën e përbashkët të shtypit të të dy presidentëve. Mbetën vetëm eufemizmat diplomatikë justifikues të rastit “më mirë pa marrëveshje se me marrëveshje të keqe”, “bisedime konstruktive, që do vijojnë” dhe asgjë më shumë. Kancelaritë kryesore të botës, Gjermania, Japonia, Kina, Koreja e Jugut etj., shprehën zhgënjimin e tyre, por gjithsesi përshëndetën vazhdimin e këtij dialogu të domosdoshëm për paqen në Gadishullin Korean dhe në botë. Ogur i keq për Presidentin Trump që e kishte “as” të fortë nën mëngë marrëveshjen mbi çarmatimin bërthamor me Korenë e Veriut, sidomos tani kur në Uashington ai po “kryqëzohet” nga të gjitha anët, pas humbjes së shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kur në qiellin e zymtë të politikës amerikane po grumbullohen re të dendura, që paralajmërojnë stuhi të ardhshme zgjedhore.
Përballë një dështimi të tillë, në veçanti ata që janë marrë me diplomaci nuk ka se si të mos shprehin habinë e madhe për këtë dështim spektakolar të politikës së jashtme dhe diplomacisë emblematike amerikane. A nuk e kishin pikasur ata se Kim Jong-un nuk do të “lëshonte pe” në Hanoi? Pastaj, dihet se takimet e këtij niveli janë në fakt ‘show’ politik/mediatik, sepse “menuja” e problemeve dhe hapave “kopsitet” më parë nga ekspertët dhe diplomatët. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një samit të tillë, i cili në vend të bëhej historik, mbeti problematik dhe me më shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje se Samiti i Singaporit i datës 12 qershor që të paktën doli me një deklaratë, ashtu e vakët siç ishte.
Nga reagimet dhe analizat e shumta të këtyre ditëve rezulton se ky dështim është pasojë e mosvlerësimit sa e si duhet të fjalës dhe veprimit diplomatik, largimi nga realpolitika dhe hyjnizimi i “twiterizimit presidencial” të diplomacisë. Pa nënvlerësuar rolin e rrjeteve sociale, sidomos në drejtim të imazhit dhe dimensionit publik, diplomacia reale kërkon impenjim, vizion, parapërgatitje me kohë dhe pa ngut e eufori. Veç kësaj, “skenografia” e këtij samiti anoi dhe tentoi të ishte më tepër një “One Man Show” e presidentit amerikan, mbështetur në aftësitë e tij të njohura për ujdi biznesi. Por që nuk “pinë shumë ujë” në diplomaci, aq më tepër përballë Kim Jong-un, që ashtu si babai dhe gjyshi i tij xhonglon shumë mirë, duke shfrytëzuar edhe fërkimet mes fuqive të mëdha, në rastin më konkret të Kinës e Koresë së Jugut me SHBA-të.
Veç kësaj, në vijim të deklarimeve superlative jo diplomatike të Trump që nga armik, tani e quan “mik”, “lider të madh” se i ka shkruar “një letër të bukur”, se “kanë rënë në dashuri”, Kim Jong-un tentoi të siguronte maksimumin gjatë këtij samiti, sidomos për lehtësimin dhe heqjen e sanksioneve, të cilat e kanë rënduar së tepërmi ekonominë dhe mirëqenien e popullsisë së atij vendi.
Kësisoj, të dy presidentët nuk e lanë diplomacinë të bënte punën e saj, sepse deshën të ishin vetë protagonistë të suksesit të pritshëm. Kjo, pasi nuk kuptuan atë çka thotë Rory Stewart, politikan, diplomat dhe shkrimtar i shquar britanik se në diplomaci “Çështja nuk është se çfarë duhet, por çfarë mund të bëhet”, sidomos duke pasur parasysh historikun e errët të marrëdhënieve mes tyre gjatë gati 7 dekadave të fundit. Rëndësi ka që e kuotuan këtë realitet, disi vonë, por prapë mirë është.
Dështimi është aq i madh sa nuk u arrit të paktën të bëhej një deklaratë e përbashkët shtypi ose një protokoll i thjeshtë me tri pika, si bie fjala mbi hapjen e zyrave ndërlidhëse, që më vonë do t’i çelte rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përfundimit të gjendjes së luftës të vitit 1953 dhe vijimit të demarsheve për trajtimin dhe zgjidhjen e aspekteve të shulta e të ndërlikuara të çarmatimit bërthamor të Koresë së Veriut.
Është e pakuptueshme se si diplomacia amerikane nuk e ka paraqitur këtë si variantin minimal, krahas atij maksimal, siç shkohet në këto lloj samitesh, pavarësisht nga trysnia politike? Të më falin miqtë tanë, por këto gjëra na i kanë mësuar lektorë dhe diplomatë të shquar amerikanë dhe evropianë.
Kjo tregon se politika amerikane nuk e ka kuptuar dallimin që diplomati i shquar britanik Lord Gore – Booth bën kur thotë se, “politika e jashtme është ajo çfarë bëhet, kurse diplomacia tregon se si bëhet”. Për pasojë, politika e jashtme dhe diplomacia amerikane ranë në pozitat dilenteske të “wishful thinking”, pra “dëshirës së mirë”, por vetëm aq. Shfaqja më tipike e kësaj dukurie nga pala amerikane është besimi i saj i tepruar se Koreja e Veriut mund të kryejë shpejt çarmatimin tërësor dhe të verifikueshëm bërthamor. E para, kjo kërkon kohë dhe nëse do të bëhej një ditë. Koreja e Veriut vërtet ka hequr dorë përkohësisht nga testet bërthamore dhe lëshimi i raketave balistike, por jo nga armatimi bërthamor. Ky i fundit përbën të vetmen garanci të sigurt për diktatorin Kim Jong-un. Atij nuk mund t’ia heqë këtë frikë jetike asnjë lloj premtimi, aq më tepër tani që ka parë fatin tragjik të Hussein dhe Gadafi-it.
Por, le të hyjmë pak më thellë në substancë e të tregojmë se si dhe pse të dyja palët shkuan drejt këtij dështimi?
Siç pohojnë njëzëri ekspertët dhe analistët, shkaku themelor qëndron në mos përkufizimin e pranueshëm për të dyja palët të termit dhe praktikës “çarmatimit bërthamor”. Për palën amerikane bëhet fjalë për “çarmatim të plotë, përfundimtar dhe të verifikueshëm”. Por, pala koreane ka një përkufizim tjetër më të gjerë. Për të, çarmatimi i saj bërthamor ndërthuret njëkohësisht dhe shkallë-shkallë edhe me lehtësimin dhe heqjen e sanksioneve ekonomike të OKB-së të vitit 2016 bashkë me tërheqjen e forcave ushtarake dhe heqjen e mbulesës bërthamore amerikane nga Gadishulli Korean.
Në përputhje me këtë vizion, Kim Jong un ofroi në Hanoi çmontimin e kompleksit më të madh bërthamor të Yongbyon, në këmbim siç pohon pala koreano-veriore të heqjes së pjesshme të sanksioneve ekonomike. Por, pala amerikane pretendon se asaj iu kërkua heqja e të gjitha sanksioneve dhe pjesërisht çmontimin e kompleksit në Youngbyon dhe jo një kompleks tjetër. Kjo u bë “molla e sherrit”, që çoi në ndërprerjen e negociatave pa kaluar në aspektet e tjera. Sepse pala amerikane iu përmbajt konceptit “të gjitha, ose asgjë”, që shumë analistë e konsiderojnë si jashtë realitetit. Debatet dhe kundërshtitë që po shfaqen lidhur me këtë pretendim nga të dyja palët, edhe pse natyrisht ne i besojmë palës amerikane, gjithsesi dëshmojnë për mungesë koherence lidhur me çështjen kryesore të këtyre negociatave.
Është e vërtetë se pala amerikane kishte menduar dhe për “karotën”, ose “kulaçin” e rastit. Në këmbim të çarmatimit bërthamor, SHBA-të do mbështesin Phenianin që të zbatojë rrugën vietnameze të ekonomisë së tregut.
Ndaj, pala amerikane e zgjodhi si vend të samitit Hanoin, kryeqytetin legjendar të ish-Vietnamit të Veriut dhe tani i bashkuar. Për disa dekada, edhe Vietnami ishte pothuajse i izoluar, duke mbijetuar kryesisht falë mbështetjes kineze dhe koreano-veriore. Në këto 25 vitet e fundit pas ribashkimit dhe pasi la pas krizën kamboxhiane, Vietnami me 100 milionë banorë ka përqafuar kapitalizmin në ekonomi, nën drejtimin e Partisë Komuniste.
Sipas sondazhit të institutit të famshëm të opinionit publik, “Pew”, mbi 90 për qind e vietnamezëve janë pro ekonomisë së tregut, shifra më e lartë se në çdo vend tjetër të botës. Vietnami ka një rritje të qëndrueshme ekonomike vjetore prej 6 për qind, të ardhurat për frymë gjatë të njëjtës periudhë janë dhjetëfishuar nga 200 në 2500 euro, etj.
Pikërisht mbi këtë bazë, Presidenti Trump deklaroi se po të ndjekë rrugën vietnameze dhe të heqë dorë nga programet bërthamore, ekonomia e Koresë së Veriut mund të rritet me shpejtësi rakete. Kësisoj, mesazhi madhor amerikan ishte se dividenti i paqes dhe bashkëpunimit është shumë më i madh dhe i leverdisshëm për këdo se kostot e paparashikueshme të konfliktit dhe konfrontimit politik, ekonomik dhe sidomos atij bërthamor.
Në fakt, ky model ka ngjallur interes te Kim Jon-un. Ndaj, pas samitit, ai vijon vizitën dypalëshe në Hanoi, e para pas 55 viteve të fundit.
Por, problemi qëndron në faktin se sado joshës ky “kulaç”, në gjendjen ku ndodhet vendi i tij, Kim Jong un ka nevojë më shumë, siç i thonë fjalës “për një vezë sot, se një pulë mot”. Sepse modeli vietnamez do kohë dhe shumë burime financiare që të realizohet, kurse nevojat ulëritëse humanitare të Koresë së Veriut nuk mundet të presin aq gjatë.
Veç sa sipër, negocimi dhe zgjidhja e problemeve të tilla serioze kërkon paraprakisht krijimin e masave të besimit dhe sigurisë dhe për këtë nuk mjaftojnë as samitet dhe as takimet e zyrtarëve më të lartë. Duhet shumë më tepër se aq, e pse jo një “Ostpolitikë” e re koreane.
Në këtë kuptim është sinjal pozitiv që të dyja palët kanë pohuar vazhdimin e dialogut. Veçse këtë radhë, duke futur në fushën e lojës e duke u lënë kohën dhe hapësirën e duhur diplomatëve dhe ekspertëve të tyre të shquar; çarmatimi, sidomos ai bërthamor është temë shumë e ndërlikuar për t’u trajtuar vetëm nga presidentët, sado çudibërëse të jenë aftësitë e tyre, të cilat siç u pa në Hanoi, janë gjithsesi të pamjaftueshme.
Së fundi dhe që lidhet me rajonin tonë, nga ky samit dhe gjithë procesi i deritanishëm SHBA-Koreja e Veriut + ka shumë vend për të mësuar dhe reflektuar sidomos nga liderët e Kosovës në demarshet e tyre lidhur me hartimin dhe miratimin e Marrëveshjes me Serbinë dhe tezën mbi korrigjimin e kufirit. Kjo kryesisht mbasi, siç është përmendur në shkrime të tjera dhe vetë “garantët” e mëdhenj të kësaj marrëveshjeje, SHBA-të, Rusia dhe BE-ja nuk janë më ata të 20 viteve më parë; për rrjedhojë, kjo përmban në vetvete rrjedhoja pozitive, por edhe pasoja të mundshme negative dhe pasiguri serioze. Të mos harrojnë paralajmërimin e Kenedit se, “nëse në politikën e brendshme mund të humbasësh, politika e jashtme mund të të vrasë”.- gsh