Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka zgjedhur kryetarin e ri.
Ai është Bujar Spahiu, që deri tani ka mbajtur postin e nënkryetarit, ndërsa tashmë do të drejtojë KMSH-në në një mandat 5-vjeçar.
Bujar Spahiu arriti që të fitonte që në raundin e parë, pasi mori 59 vota, ndërsa myftiu i Tiranës Ylli Gurra mori 26 vota dhe kandidati i tretë Gramoz Blliku, vetëm 2 vota.
Kujtojmë që Skënder Bruçaj u tërhoq duke mos pranuar që të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa Gëzim Abdishaku dhe Islam Hoxha.
Të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin e ri e kishin 91 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.
Por “kemi një farsë në zgjedhjen e kreut të këtij komiteti”, është shprehur Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra në përfundim të procesit që e nxorri humbës nga gara për kreun e ri të KMSH.
Sipas Ylli Gurrës, procesi është ndikuar nga palët të tjera për katapultimin e fituesit, Bujar Spahiu, në krye të KMSH.
“Kam detyrimin e të ngarkoj përgjegjësinë e realitetit shqiptar. Gylenistët nuk janë pa ndikime në këtë katapultime. Besimtarët duhet ta zgjedhin kryetarin pa ndikime, financiare apo ideologjike. Kemi një farsë në zgjedhjen e kreut të këtij komiteti. Komiteti sot, nuk duhet të ishte në vazhdimin e status quo. Duhet të ishte një vazhdim për shqiptarët, me shqiptarët dhe për Shqipërinë. KMSH nuk është peng i askujt, e besoj se do të ketë zhvillime të reja. KMSH duhet të ishte sot në frymën e ndalimit të ekstremizmit. Mënyra se si u katapultua në 2014-ën Bruçaj, solli në këtë situatë. Nuk ka asnjë logjikë që të dorëhiqet Myftiu i Tiranës. Jam shqiptar, mysliman. Ushtar i askujt majtas apo djathtas, në Anadoll apo gjëkundi”, u shpreh Ylli Gurra në dalje nga Medresea e Tiranës, ku u mbajt edhe votimi për kreun e ri të KMSH.