Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian e quajti një shkelje serioze të besimit krizën e shkaktuar nga marrëveshja për nëndetëset mes SHBA-së, Australisë dhe Britanisë së Madhe, ndërsa theksoi se ajo do të rëndojë mbi të ardhmen e NATO-s.
“Në një aleancë të vërtetë ne flasim me njëri-tjetrin, ne respektojmë njëri-tjetrin. Ky nuk ishte rasti”, vuri në dukje ministri.
“Për herë të parë në historinë midis SHBA-së dhe Francës, ne thirrëm ambasadorin tonë për konsultime”, vazhdoi ai.
Sipas Le Drian, kjo marrëveshje përbën një akt të rëndë politik, që përfaqëson peshën e krizës midis Francës, SHBA-së dhe Australisë dhe që do të rëndojë mbi të ardhmen e aleancës së Atlantikut.