Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot Ambasadorin e RP të Kinës, Zhou Ding.
Ambasadori Ding i uroi Nikollës suksese në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe e garantoi për vullnetin e RP të Kinës për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe rritjen e bashkëpunimit parlamentar midis të dy vendeve.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës janë miqësore. Marrëdhëniet ekzistuese politike, midis qeverive e parlamenteve të të dy vendeve, mund dhe duhet të intensifikohen. Midis të dy vendeve ka edhe mundësi të pashfrytëzuara për për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, thuhet në njoftimin për medie të zyrës së shtypit të Kuvendit.
Po ashtu, vlerësohet se shkëmbimet parlamentare mes Shqipërisë dhe Kinës kanë qenë shumë të mira, në formën e vizitave zyrtare në nivele te larta si edhe në nivel të delegacioneve të Grupeve të Miqësisë.
Në Kuvendin e Shqipërisë do të formohet së shpejti Grupi i Miqësisë me RP të Kinës.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nënvizoi se “Kuvendi do të rrisë bashkëpunimin me Asamblenë Kombëtare Popullore të RP të Kinës dhe do të nxisë bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve dhe dy popujve tanë”.